Sa është e gatshme Kosova ta japë veriun për Luginën e Preshevës dhe a do të jetë kjo ofertë e pranueshme për palën serbe?

Aktuale July 21, 2018 - 14:26
Detajet

Analisti dhe Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika të Kosovës, Naim Rashiti në një intervistë për gazetën “zëri”, ka thënë se është e vështirë që të ketë shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij është e vështirë si dhe një proces i ndërlikuar implementimi i këtyre marrëveshjeve.

LEXO EDHE: Rashiti: Shkëmbimi i territoreve s’e zgjidh konfliktin

Zëri: A është e gatshme Kosova ta japë veriun për Luginën e Preshevës dhe a do të jetë kjo ofertë e pranueshme për palën serbe?

Rashiti: Në rastin hipotetik nëse flitet për ndarje të Kosovës flitet për shkëmbim. Janë disa opsione në tavolinë, një Asociacion me kompetenca ekzekutive, një traktat që nuk përfshin njohjen, një status autonomie për veriun për njohje, shkëmbim i territoreve mes dy vendeve etj., por këto çështje diskutohen në kancelari të ndryshme si analiza e që nuk janë zyrtarisht në tavolinën kryesore. Besoj që në Beograd nuk mund të flasësh për ndarje të Kosovës pa shkëmbim dhe kur flitet për shkëmbim flitet për dy komunat në Luginë të Preshevës. Implementimi i marrëveshjeve të tilla është çështje shumë e ndërlikuar dhe duke e njohur kontekstin dhe marrëdhënien mes dy vendeve është vështirë të mendohet që konflikti zgjidhet përmes ndryshimeve të territoreve. Kjo mund të jetë pjesë e përmbylljes së paqes, por jo bërja e paqes me automatizëm, sepse do të jetë shumë sfiduese nëse eventualisht mendohet që të shkohet në atë drejtim. Duhet shumë punë përgatitore dhe një menaxhim i fuqishëm i procesit, për të cilin faktori ndërkombëtar nuk është i interesuar të investojë.

Zëri: Njëra nga marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë e që është arritur në Bruksel është Asociacioni i Komunave Serbe, mirëpo ende nuk kemi parë zbatimin e kësaj marrëveshjeje. A rrezikon Kosova që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive?

Rashiti: Asociacioni është dashur të implementohet shumë më herët, pasi është e pamundur të implementohen marrëveshjet tani në pikën e negociatave për një marrëveshje të madhe. Serbët po kërkojnë tani me atë që është e ngjashme me çka pretendojnë të jetë marrëveshje përfundimtare dhe Prishtina e di që nëse tani e krijon një Asociacion, prapë pas tre muajsh do të jetë pjesë e negociatave për ta rritur atë. Ajo që politikisht është korrekte e që BE-ja e kërkon, pra implementimin e marrëveshjeve të arritura, praktikisht është e pamundur. Në kuadër të finales mes dy shteteve kompromisi do të jetë krejt ndryshe me dialogun e deritanishëm. /ZERI