Holanda, Danimarka dhe Gjermania skeptike për Kosovën, institucionet duhet të i bëjnë këto gjëra

Aktuale July 21, 2018 - 13:34
Detajet

Analisti dhe Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, Naim Rashiti ka thënë që Kosova duhet të fokusohet në lobimin në shtetet si Holanda, Danimarka dhe Gjermania për shkak se këto shtete vazhdojnë të kenë qëndrime skeptike për sa i përket Kosovës, shkruan “Zëri.info”.

LEXO EDHE: Parlamenti Evropian së shpejti në zgjedhje, a do ta vonojë kjo gjë votimin për heqjen e vizave për Kosovën?

Zëri: Ndërkohë, çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës pas rekomandimit pozitiv?

Rashiti: Disa shtete mbeten skeptike për Kosovën, prandaj nuk mund të lejojmë të ndodhin skandale në Kosovë. Duhet të lobohet ende te Holanda, Danimarka dhe në Gjermani duhet të punohet me disa ministra. Po ashtu duhet të ketë fushata informuese se çka do të ndodhë më pas në Kosovë pas liberalizimit të vizave, pasi duhet të jemi më të përgatitur që të mos ndodhin skandale. Ekziston edhe mekanizmi i suspendimit të vendimit, prandaj nuk mund të rrezikojmë që t’i marrim vizat dhe pastaj BE-ja të na bëjë presion për suspendime për ndaljen e emigracionit, për ndaljen e udhëtimit të njerëzve etj. Jam i bindur që tani për shkak të emigracionit dhe politikave të tjera në BE institucionet e BE-së janë shumë më të rrepta, prandaj duhet të ketë monitorim, informim dhe kontrollim më të mirë në vend.

LEXO EDHE: Spanja ka ndryshuar qëndrimin në raport me Kosovën, nuk është kundër liberalizimit

Po ashtu duhet të ketë një kontroll më të mirë të asaj se ku shkojnë njerëzit, sigurimet shëndetësore të performojnë. Problemi kryesor tani do të jetë që qytetarët do të kenë sigurim shëndetësor për të udhëtuar në BE dhe a janë të gatshme këto kompani tonat të përgjigjen për koston e sigurimeve shëndetësore. Institucionet e vendit duhet të thërrasin Asociacionin e Sigurimeve Shëndetësore, sepse në momentin që kemi ankesa të mëdha do të mobilizohen shtetet e BE-së që ta suspendojnë mekanizmin dhe është rrezik real që suspendimi të ndodhë, por ka shumë hapësirë që të mos ndodhë. Po ashtu ka një bindje në institucionet e BE-së që nuk duhet të kemi kriza institucionale në këtë fazë, Qeveria duhet të jetë sa më funksionale. Nëse eventualisht ndodhin zgjedhjet në pranverë të vitit të ardhshëm në Kosovë, ato duhet të mos afektojnë marrëveshjen e re Kosovë - BE, sepse mekanizimi i suspendimit nuk do të pyesë pastaj se në çfarë marrëdhënieje je. /ZËRI