Parlamenti Evropian së shpejti në zgjedhje, a do ta vonojë kjo gjë votimin për heqjen e vizave për Kosovën?

Aktuale July 21, 2018 - 12:40
Flasin analistët

Analisti dhe Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika të Kosovës, Naim Rashiti gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, ka konfirmuar se zgjedhjet që do të mbahen së shpejti në parlamentin evropian nuk do ta pengojnë procesin e heqjes së vizave për Kosovën, shkruan “Zëri”.

Sipas tij kjo gjë vetëm se do ta shpejtojë këtë proces.

LEXO EDHE: Spanja ka ndryshuar qëndrimin në raport me Kosovën, nuk është kundër liberalizimit

Zëri: Sa do të ndikojë në këtë proces çështja e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, që mbahen në maj të vitit të ardhshëm?

Rashiti: Nuk mendoj që ato do të ndikojnë, madje zgjedhjet janë një shtytje për ta kryer procesin e liberalizimit të vizave të Kosovës më përpara. Ka një mirëkuptim për këtë çështje në Parlamentin Evropian, por edhe në Komision dhe në Këshill që kjo procedurë të kryhet disa muaj para fillimit të zgjedhjeve në BE, sepse zgjedhjet e reja do të sjellin shumë të panjohura, do të kenë befasi që do të shkaktojnë telashe edhe për procese të tjera.

LEXO EDHE: Rashiti: Shkëmbimi i territoreve s’e zgjidh konfliktin


Zëri: Telashe për Kosovën apo...?

Rashiti:
Për Kosovën dhe për rajonin. Do të jetë një miksim mes majtistëve të Makronit dhe djathtistëve si në Itali e Gjermani që do ta bëjnë më të vështirë politikëbërjen në BE, në veçanti në marrëdhëniet me vendet e tjera jashtë BE-së. Ndërsa procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën është i qartë në BE, që të kryhet para zgjedhjeve të PE-së dhe do të kryhet para këtyre zgjedhjeve.
Meqë kemi 6 muaj përpara dhe dihet që fillon procedura dhe dialogu trepalësh do të ketë kohë të mjaftueshme që kjo çështje të futet në agjendën e Ministriave të Brendshëm nëse nuk ndodh ndonjë rrëmujë e madhe rreth çështjeve të emigracionit, rendit dhe ligjit në BE. Këto dy tema kanë shkundur kohezionin brenda BE-së dhe mund të ndodhë që këto tema preokupojnë të gjithë skenën, gjë që mund të ndikojë të mos jetë agjendë e tyre liberalizimi i vizave për Kosovën, por nëse fillon dialogu trepalësh me kohë (jo më larg se fillimi i shtatorit) besoj që deri në dhjetor do të kryhet ky proces. Në praktikat e tjera ky dialog trepalësh ka marrë 3 muaj. Unë jam optimist që më 4 dhjetor do të ndodhë kjo, pasi agjenda e parasheh ashtu. /Zeri