Keqmenaxhim i barnave nga lista esenciale

Aktuale July 21, 2018 - 08:08
Lista esenciale e barnave ka vite që nuk është ndryshuar

Ministria e Shëndetësisë qe gjashtë vjet nuk e ka ndryshuar listën esenciale të barnave. Mospërditësimi i saj ka bërë që shumë barna, të cilat nuk janë të nevojshme, të mbesin në stoqe dhe t’u dalë afati, derisa barnat e tjera për të cilat pacientët kanë kërkesa ende nuk janë futur në listë, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Shumë barna nga lista esenciale vazhdojnë të mbahen në stoqet e institucioneve shëndetësore e ndonjëherë ndodh që edhe t’u dalë afati për shkak se nuk ka kërkesa për to. Në anën tjetër, pacientët e sidomos personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë t’i blejnë vetë shumë produkte medicionale për shkak se ato nuk gjenden në listë esenciale dhe nuk sigurohen nga Ministria e Shëndetësisë.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, nuk e ka përjashtuar mundësinë që ka edhe korrupsion nga kompanitë farmaceutike në lidhje me përshkrimin e barnave të njëjta, me të cilat ka furnizim të mjaftueshëm.

LEXO EDHE: Rashiti: Shkëmbimi i territoreve s’e zgjidh konfliktin

“Mungesa e algoritmeve dhe e protokolleve klinike, për të cilat ne kemi bërë hapa gjigantë në proces, është një element që u mundëson mjekëve që të përshkruajnë lloj-lloj bari sipas vlerësimeve të tyre të lira e që si pasojë kemi paraqitjen e mungesave në furnizim. Qysh përshkruhet, një paralele e barit, i cili veç ekziston në depo, por me një emër tjetër. Këtu mund edhe të mos ketë ndikime me elemente korruptive nga kompanitë farmaceutike, por ec e beso”, ka thënë ai, shkruan tutje gazeta "Zëri". 

Sipas tij, implementimi i Sistemit të Informimit Shëndetësor (SISH) do të ishte zgjidhja e kësaj çështjeje.

LEXO EDHE: Pazari me territore

“I kam prekur nga afër tendencat për presion dhe favorizime. Jam thellë i bindur se implementimi i SISH-it dhe Sigurimet Shëndetësore janë zgjidhja e problemit. SISH-i shërben për evidencë të saktë dhe në kohë reale, ndërsa Fondi ka mekanizma për kontroll të përshkrimit të barnave nga mjekët sipas tekeve dhe qejfit”, ka thënë ai.

Rrahmani e ka mohuar se gjatë mandatit të tij janë blerë barna, të cilave më pas në institucionet shëndetësore u ka skaduar afati.

Sipas tij, një gjë e tillë ka mundur të ndodhë vetëm nëse procedurat për ato barna kanë filluar para se ai të merrte postin e ministrit.

“Proceset e prokurimit nuk mund të ndalen lehtë kur fillojnë, vetëm nëse do të jesh pjesë e dallavere të ndryshme. Unë atyre punëve nuk ua kam bërë hyzmetin. Sa janë planifikuar nevojat mirë nga institucionet shëndetësore kjo mund edhe të diskutohet e sidomos nëse ka barna që u ka skaduar afati. Unë shumë besoj se nuk ka pasur mundësi në kohën time të blihen barna dhe të njëjtave t’u skadojë afati, kur dihet se së paku bari duhet të ketë minimum një vit afat skadence, shto këtu edhe procedurat derisa është blerë bari, del që nuk ka mundësi”, ka theksuar ai.

Nevojën për përditësimin e listës esenciale e ka shprehur edhe anëtari i Bordit të Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës, Shemsi Veseli.

Ai ka deklaruar se listës esenciale duhet t’i shtohen edhe disa produkte të tjera.

Në anën tjetër, gazeta “Zëri” ka provuar të flasë edhe me zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë, por që ata nuk u janë përgjigjur pyetjeve të dërguara.

Përndryshe, muaj më parë zyrtarë për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë për gazetën se Ministria është në proces të revidimit të listës esenciale të barnave, ku do të futen edhe terapi të reja.

Baftiu: S’është ndryshuar lista për shkak të interesave të kompanive farmaceutike

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi e njëherësh deputete nga radhët e Partisë Socialdemokrate (PSD), Besa Baftiu, ka thënë për gazetën “Zëri’ se deri tani nuk është bërë ndryshimi i listës esenciale për shkak të interesave të kompanive farmaceutike.

“Ministri ka thënë se diku deri në shtator do të revidohet lista e barnave esenciale.

Deri tani nuk është bërë ndryshimi, sepse kanë pasur interes kompanitë farmaceutike që kanë konkurruar me barna të ndryshme e po besoj që dikujt kjo i ka konvenuar, se kujt nuk e di”, ka thënë ajo.

Sipas saj, për shkak të mosrevidimit të listës shumë barna mbesin në stoqe e siç ka thënë ajo, barnat për të cilat pacientët kanë nevojë nuk i sigurojnë.

“Ne si Komision e kemi pasur në raportim ministrin e Shëndetësisë dhe arsyetimi i tij ka qenë se duhet të konsultohet edhe me ata të Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, ka theksuar ajo.

Kadrijaj: Lista esenciale të ketë barna për të cilat pacientët kanë nevojë    

Anëtarja e Komisionit për Shëndetësi nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka thënë se në listën esenciale duhet të hyjnë ato barna për të cilat pacientët kanë më shumë nevojë dhe për të cilat ka më shumë kërkesa.

“Po kërkohen nga institucionet planifikime më të mira të kërkesave, që po bëhen në raport me MSH-në për shkak se ndonjëherë po bëhen më shumë kërkesa për barna që nuk po shpenzohen. Kemi pasur raste që shumë barna janë grumbulluar në depot e institucioneve shëndetësore, sepse nuk janë shpenzuar dhe u ka skaduar afati. Duhet të bëhet një planifikim më i mirë edhe i Ministrisë së Shëndetësisë, por edhe e institucioneve shëndetësore”, ka thënë ajo për “Zërin.

Sipas saj, ka filluar revidimi i listës esenciale dhe do të largohen barnat të cilat nuk janë të rëndësishme, ndërsa do të shtohen barnat që po kërkohen më shumë.

“Ne kemi kërkuar që furnizimi të jetë adekuat në të gjitha nivelet, edhe në atë primar, sekondar dhe terciar, sepse pacientët i kanë të drejtat e barabarta për tretman”, ka deklaruar ajo. /ZERI