Haziri: Kufiri i vitit 1956 duhet të jetë zgjidhja e fundme me Serbinë

Aktuale July 20, 2018 - 21:22
Detajet

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka ripërsëritur qëndrimin e tij lidhur me zgjidhjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke insistuar që zgjidhja më e mirë është kthimi në vijën kufitare të vitit 1956.

Ai në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se problemi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është territorial dhe jo i të drejtave të njeriut, sidomos duke e ditur diskriminimin pozitiv që serbët e Kosovës e kanë me kushtetutë e ligj.

“Duhet zgjidhje territoriale(me Serbinë), kjo është çka është pritet dhe kjo do të ndodhë. Qëndrimi im personal është që duhet të ulemi dhe ta zgjidhim një herë e përgjithmonë këtë gjë. Presheva, Bujanovci e Medvegja nuk munden me mbetur peng i Leposaviqit dhe i disa fshatrave të Leposaviqit”.

“Përkundër aspiratave që i ka Serbia në lindje e në veri, sepse Serbia e do edhe Gjilanin edhe Mitrovicën por këto nuk mund t’i ketë”.

“Nëse për kryeministrin Haradinaj është shaka çështja e 100 mijë shqiptarëve dhe nëse kryeministri nuk e di që këta shqiptarë votojnë në Serbi nuk di cfarë të them. Janë thirrur në koalicion të vendimeve të mëdha dhe po dalin të jenë frikacakë”.
Haziri ka thënë se takimi me ambasadorin amerikan Greg Delawie e ka pas në fokus dialogun dhe rolin e LDK-së në këtë proces.

Ai ka nënvizuar se kryetari Isa Mustafa dhe LDK kanë insistuar se Kuvendi i Kosovës e ka humbur rolin në dialog, duke kërkuar legjitimitet para kësaj çështje.

“Ne kemi insistuar se duhet të ketë zgjedhje mandej dialog. Ambasadori ka dëgjuar qëndrimin tonë, ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me ambasadorin amerikan. I kemi thënë bëhu gati për zgjedhje”.