Deputetja e LDK-së letër publike Rikallos

Aktuale July 20, 2018 - 17:15
Detajet

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doruntina Maloku i ka dërguar një letër publike ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallos ku ndër të tjera i kërkon subvencionimin e kultivuesve të mjedrave në territorin e Kosovës, pasi që sipas saj të ardhurat nga kultivimi dhe rritja e tyre janë të mëdha, transmeton “Zëri.info”.

Ajo po ashtu ka kritika edhe për mos ardhjen e tij në seancat e Kuvendit të Kosovës të cilat sipas saj mund të numërohen në gishta.

Ja letra e plotë e saj:

Letër publike Ministrit të Bujqësisë, z. Nenad Rikalo!

z. Ministër,

Meqë prej se ka filluar ky mandat qeverisës, ardhjet tuaja në Parlamentin e Republikës së Kosovës mund të numërohen me gishtat e njërës dorë, jam e detyruar që publikisht të Ju drejtohem me këtë letër, e cila vjen si shkak i kërkesave të shumta nga fermerët e Llapit për një situatë emergjente!

Viteve të fundit, rajoni i Llapit është bërë i njohur në mbarë Evropën për kultivimin e mjedrës.

Në Komunën e Podujevës, më shumë se 1 mijë hektarë tokë janë të mbjellur me mjedër, ndërsa 469 fermerë janë të certifikuar me standardin Global Gap, që e bën atë, grupin e dytë më të madh në botë për numrin e fermerëve të certifikuar. Kjo është një e arritur shumë e madhe në fushën e bujqësisë. Tregu evropian, cdo vit vërshohet nga “Mjedra e Llapit” duke i lënë pas me kualitet - prodhimet e vendeve të tjera evropiane.

Por, z. Ministër, brenda dy vjetësh, nga 2.15 euro sa ishte cmimi për një kilogram mjedër, tash ka rënë në 80 cent. Pra, fermerët po përballen me gjendje emergjente!

Si përfaqësuese e popullit, si Deputete në Kuvend, kërkoj nga Ju që urgjentisht të ndërmerrni masa për subvencionimin e prodhimit të mjedrës. Nuk kemi luksin të humbim investimet disa vjecare të Komunës së Podujevës, USAID-it si dhe të qindra familjeve, për shkak të neglizhencës suaj ndaj këtij problemi.

Situata e njëjtë është në gjithë territorin e Kosovës. Ajo që kërkohet nga fermerët është subvencinimi i prodhimit të mjedrës - pra në cdo kilogram të vjelur, të subvencionohet një shumë e caktuar nga Ministria e Bujqësisë.

Sa për informatën Tuaj, z. Ministër,

Në Komunën e Podujevës më së shumti kultivohet varieteti POLKA, rendimenti i të cilit arrin në 10 tonë mjedra për 1 hektar.

Nëse Qeveria nuk i subvencionon kultivuesit e mjedrës në krejt Kosovën, nga viti i ardhshëm, Kosova më nuk do të ketë as këtë sipërfaqe të mbjellur me mjedra, as fermerë që kanë vullnet të merren me kultivimin e saj.

Mbes me shpresë se kultivuesit e mjedrës do të marrin ndihmën e nevojshme nga shteti. /ZERI