Dimitrov: Maqedonia përkrahë Kosovën në të gjitha proceset e shtetndërtimit

Aktuale July 20, 2018 - 16:50
Detajet

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sot ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikola Dimitrov, me c`rast ka thënë se këto dy vende kanë marrëdhënie të mira si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë politik, transmeton “Zëri.info”.

Ai po ashtu ka përgzuar palën maqedonase edhe për zgjidhjen e emrit dhe për normalizimin e raporteve me shtetin grek.

“Marrëveshja për emrin është një lajm i mirë për rajonin. E përgëzojmë Maqedoninë për këtë të arritur, që e promovon një frymë të re të bashkëpunimit ndërfqinjësor. Ne kemi nevojë për mbështetjen e Maqedonisë nëpër proceset integruese të Kosovës dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, siç do të ofrojmë mbështetjen tonë për proceset ndërkombëtare të shtetit fqinjë”, ka thënë Kryeministri Haradinaj.

LEXO EDHE: Veseli takoi ministrin e Maqedonisë, flasin për forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror

Gjatë këtij takimi, u bisedua rreth rëndësisë së zhvillimit ekonomik dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, si dhe për projektet konkrete si Autostrada që lidh Kosovën me Maqedoninë dhe pikë kalimet kufitare, të cilat do të lehtësonin lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave.

Kryeministri Haradinaj, theksoi se këto dy shtete  ndajnë aspiratat e njëjta për anëtarësim në BE dhe në NATO, duke thënë se e ardhmja e gjithë Ballkanit Perëndimor është në NATO dhe në BE.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikola Dimitrov, fillimisht përgëzoi kryeministrin Haradinaj për rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian, duke vlerësuar të arriturat e Kosovës në të gjitha fushat.

Ministri Dimitrov, tha se Maqedonia vazhdon të jetë përkrahëse e të gjitha proceseve të shtetndërtimit të Kosovës. /ZËRI