Thaçi: Të gjitha institucionet e vendit punuan për liberalizim të vizave

Aktuale July 19, 2018 - 17:18
Lexo detajet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur përfaqësuesit e institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë, të cilët i ka falënderuar për kontributin e dhënë në plotësimin e plotë të kritereve për liberalizimin e vizave, transmeton “Zëri.info”.

Në këtë takim të pranishëm ishin, kryetari i Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, si dhe Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Thaçi tha se të gjitha institucionet e rendit dhe ligjit të Kosovës kanë punuar për t’i plotësuar të gjitha kriteret që kishte venë BE-ja për liberalizimin e vizave.

“Të gjitha institucionet, të drejtësisë, të rendit e ligjit, kanë punuar me përkushtimin dhe profesionalizmin më të lartë për të plotësuar të gjitha kriteret që kishte vënë BE-ja si kushte për liberalizim të vizave”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi pohoi se vendimi i BE-së është sukses i reformave dhe i përkushtimit të institucioneve të Kosovës për të plotësuar të gjitha kushtet dhe e cilësoi si vendim meritor.

Përfaqësuesit e institucioneve të sundimit të ligjit theksuan se përkushtimi i tyre për të forcuar sundimin e ligjit do të vazhdojë edhe pas liberalizimit të vizave, në interes të qytetarëve të Kosovës dhe të perspektivës evropiane.

Kujtojmë se komisioneri i BE-së për Migrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi në Komisionin Evropian, Dimitris Avramopoulos, të mërkurën, më 18 korrik, në një konferencë të përbashkët me presidentin Thaçi në Bruksel, u shpreh se Komisioni Evropian vlerëson se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave, duke i hapur rrugë miratimit të vendimit për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. /Zëri

Image