LDK kërkon zgjedhje, akuzon pozitën për uzurpim të institucioneve

Aktuale July 19, 2018 - 15:22
Detajet

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me pamundësinë e koalicionit qeverisës për të pasur shumicën në Kuvendin e Kosovës, e që si pasojë e mungesa po dështojnë seancat, raporton “Zëri.info”.

“Seanca e Kuvendit të Kosovës sot u ndërpre në mungesë të shumicës parlamentare. Në fakt, ky koalicion asnjëherë nuk ka pasur shumicë në Kuvendin e Kosovës, përveç ditës kur u zgjodh Qeveria. Vendi nuk mund të qeveriset nga koalicioni i pakicës, i cili nuk ka legjitimitet”, thuhet në komunikatën lëshuar nga kjo parti.

Ata kanë rikonfirmuar se Grupi Parlamentar i LDK-së nuk do ta përkrahë këtë formë të qeverisjes dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

“Grupi Parlamentar i LDK-së nuk do të përkrahë vazhdimin e kësaj forme të qeverisjes, ku një pakicë ka uzurpuar institucionet shtetërore. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja që të mos dëmtohet demokracia. Gjuha e ashpër dhe fyese e koalicionit të pakicës ndaj partive opozitare e thellon më tutje krizën institucionale”, thuhet tutje në komunikatë.

Kjo parti ka ftuar institucionet për përgjegjësi politike dhe institucionale në mënyrë që të dalin nga kriza dhe të organizojnë zgjedhje të lira.

“Ne ftojmë për përgjegjësi politike dhe institucionale nga të gjithë. Ne do të punojmë me të gjitha forcat politike opozitare dhe forcat e tjera progresive në Kuvendin e Kosovës që të dalim nga kjo krizë institucionale, vetëm përmes organizimit të zgjedhjeve të lira.

Insistimi për të vazhduar me këtë dhunim të demokracisë do të dëmtojë proceset afatgjate politike në Kosovë”, përfundon komunikata. /ZËRI