Të lobohet te secili shtet edhe pas dhënies së rekomandimit

Aktuale July 19, 2018 - 10:47
Lexoni më shumë detaje

Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, në një intervistë dhënë për gazetën “Zëri” ka thënë se, pavarësisht se dje Komisioni Evropian e ka dhënë rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën, lobimi në shtetet e Bashkimit Evropian nga ana e Kosovës duhet të vazhdojë.

LEXO EDHE: Ahmetaj: Liberalizimi përmbyllet këtë vit

Ahmetaj po ashtu ka thënë se 5 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, nuk do të paraqesin ndonjë pengesë në këtë proces, por që sipas saj, Kosova edhe në këto shtete duhet të loboj.

Zëri: A mendoni që mund të shfaqen probleme nga 5 shtetet anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën?

Ahmetaj: Unë e vlerësoj të rëndësishëm lobimin me secilin shtet veç e veç, pavarësisht a na kanë njohur ose jo. Të mos harrojmë që edhe shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës deri më tani kanë qenë përkrahëse në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, përveç në raste të veçanta. E rëndësishme është të bisedohet/lobohet me secilin shtet veç e veç dhe që asnjëri të mos anashkalohet. Përmbushja e kritereve dhe rënia e numrit të azilkërkuesve janë argumente pozitive që do ta ndihmojnë Kosovën në këtë proces në biseda me shtetet veç e veç.

Zëri: A është lobuar mjaftueshëm te shtetet skeptike?

Ahmetaj: Mendoj që tani kur po hyjmë në fazën finale duhet të intensifikohet edhe me tepër lobimit deri në ditën e fundit, kur shtetet anëtare do të votojnë pro liberalizimit për qytetarët e Kosovës. Asnjë shtet nuk duhet anashkaluar ose konsideruar si punë e kryer, përkundrazi duhet ofruar argumente sa më bindëse që ministrat e shteteve anëtare ta kenë më të lehtë përkrahjen e Kosovës. Të mos harrojmë që Evropa në këtë kohë është duke u ballafaquar me numër të madh të refugjateve dhe me kërkesë për t’u ndryshuar Traktati i Dablinit, që merret me procesin e kërkimit të azilit, prandaj sa më tepër që argumentohet pro liberalizimit të vizave më e lehtë do të jetë për vendet anëtare të na përkrahin.