Ahmetaj: Liberalizimi përmbyllet këtë vit

Aktuale July 19, 2018 - 08:13
Intervistë me ish-ministren e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj

Pas dhënies së rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian vendimi për heqjen e vizave për Kosovën mund të merret brenda këtij viti nga Parlamenti Evropian dhe nga Këshilli i Ministrave. Të paktën kështu ka vlerësuar ish-ministrja e Integrimit Evropian Mimoza Ahmetaj në një intervistë për gazetën “Zëri”. Ajo ka thënë që nuk pret të ketë pengesa për liberalizimin e vizave nga 5 shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën

Ish-ministrja e Integrimit Evropian Mimoza Ahmetaj ka thënë se vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën nga institucionet e Bashkimit Evropian mund të merret deri në fund të këtij viti.

Ajo në një intervistë për gazetën Zëri ka thënë se nuk pret të ketë ndonjë problem në këtë proces.

Ndërsa ka thënë se duhet të vazhdohet lobimi në mënyrë që heqja e regjimit të vizave për Kosovën të mbështetet nga shtetet anëtare të BE-së.

LEXO EDHE: Takimi më i vështirë në 6 vjetët e fundit

Mes të tjerash, Ahmetaj ka folur edhe rreth procedurës vendimmarrëse dhe punës që duhet të bëjnë institucionet e Kosovës deri në vendimin për liberalizim të vizave.

Zëri: Si e vlerësoni rekomandimin e Komisionit Evropian?

Ahmetaj: Rekomandimi është konfirmim i punës disavjeçare të institucioneve tona në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave. Kosova nga 95 kritere që i ka pasur tashmë i ka plotësuar të gjitha dhe ky rekomandim pozitiv do të jetë një vulosje e punës drejt përmbushjes së kritereve për liberalizim të vizave.

Zëri: Sa mund të zgjasë tani proceduara e vendimmarrjes për heqjen e regjimit të vizave?

Ahmetaj: Nuk do të flisja për afate kohore, sepse për çdo afat kohor që do të mund të thirresha do të mund të gaboja në ditë dhe në muaj, por është e rëndësishme që Komisioni Evropian si njëri ndër institucionet e rëndësishme të BE-së po e finalizon këtë proces dhe tani me automatizëm ky proces kalon edhe te Këshilli dhe te Parlamenti i BE-së.

Zëri: Kur do të mundë të trajtohet kjo çështje nga Parlamenti Evropian dhe nga Këshilli i Ministrave?

Ahmetaj: Rekomandimi i KE-së do të kalojë me automatizëm në Parlament dhe më pas në Këshill. Jam optimiste që deri në fund të këtij viti i tërë procesi mund të përfundojë si në Parlament Evropian e në Këshill Evropian dhe nuk pres që më tutje të stërzgjatet. Tani është me rëndësi puna në Këshill me shtetet anëtare, ku duhet të intensifikohet angazhimi ynë.

Të lobohet te secili shtet

Zëri: A mendoni që mund të shfaqen probleme nga 5 shtetet anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën?

Ahmetaj: Unë e vlerësoj të rëndësishëm lobimin me secilin shtet veç e veç, pavarësisht a na kanë njohur ose jo. Të mos harrojmë që edhe shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës deri më tani kanë qenë përkrahëse në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, përveç në raste të veçanta. E rëndësishme është të bisedohet/lobohet me secilin shtet veç e veç dhe që asnjëri të mos anashkalohet. Përmbushja e kritereve dhe rënia e numrit të azilkërkuesve janë argumente pozitive që do ta ndihmojnë Kosovën në këtë proces në biseda me shtetet veç e veç.

Zëri: A është lobuar mjaftueshëm te shtetet skeptike?

Ahmetaj: Mendoj që tani kur po hyjmë në fazën finale duhet të intensifikohet edhe me tepër lobimit deri në ditën e fundit, kur shtetet anëtare do të votojnë pro liberalizimit për qytetarët e Kosovës. Asnjë shtet nuk duhet anashkaluar ose konsideruar si punë e kryer, përkundrazi duhet ofruar argumente sa më bindëse që ministrat e shteteve anëtare ta kenë më të lehtë përkrahjen e Kosovës. Të mos harrojmë që Evropa në këtë kohë është duke u ballafaquar me numër të madh të refugjateve dhe me kërkesë për t’u ndryshuar Traktati i Dablinit, që merret me procesin e kërkimit të azilit, prandaj sa më tepër që argumentohet pro liberalizimit të vizave më e lehtë do të jetë për vendet anëtare të na përkrahin.

Zgjedhjet e Parlamentit Evropian nuk do të ndikojnë në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën

Zëri: A do të ndikojë në këtë proces çështja e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, që mbahen në maj të vitit të ardhshëm?

Ahmetaj: Këto zgjedhje nuk do të ndikojnë direkt në këtë proces. Unë pres që procesi për liberalizim të vizave për Kosovën të përfundojë deri në maj të vitit të ardhshëm, kur edhe mbahen zgjedhjet në BE dhe qytetarët ta kenë mundësinë të lëvizin lirshëm para asaj date.

Zëri: A mendoni se ka ndërlidhje çështja e rekomandimit me procesin e dialogut me Serbinë, pasi në të njëjtën ditë janë duke u zhvilluar që të dyja këto ngjarje?

Ahmetaj: Liberalizimi i vizave është proces që ne e kemi pritur qe një kohë të gjatë, ka mundur të jetë edhe rastësi që sot të jetë edhe takimi i radhës mes presidentit të Kosovës dhe atij serb, megjithatë nuk duhet harruar që i gjithë procesi i integrimit evropian dhe çdo sukses përkthehet në avancim drejt procesit integrues.

Arritja e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë do të jetë çelësi, i cili do t’i mbyllë të gjitha dilemat që shtetet mosnjohëse i kanë pasur deri tani në raport me shtetësinë tonë dhe jo vetëm brenda 5 shteteve, por të gjitha shteteve të tjera në mbarë botën. Pra, arritja e marrëveshjes së Kosovës dhe Serbisë në dialog do të jetë formula zgjedhëse e problemeve në raport me shtetësinë e Kosovës në nivel ndërkombëtar dhe do t’i hapë rrugë Kosovës në procese të tjera.

Zëri: Kur prisni që qytetarët e Kosovës përfundimisht të lëvizin pa viza?

Ahmetaj: Unë pres që i tërë procesi brenda institucioneve të Bashkimit Evropian të përmbyllet deri në fund të këtij viti dhe në vitin e ardhshëm qytetarët të kenë mundësi të lëvizin pa viza.

Zëri: A është luftuar mjaftueshëm korrupsioni?

Ahmetaj: Korrupsioni është dukuri që ne në vazhdimsi duhet ta luftojmë, çdoherë e kam përmedur që korrupsioni duhet të luftohet jo vetëm për liberalizim të vizave, por për mirqenie të qytetarëve tanë sot e kemi kriter për liberalizim, ky do të jetë kriter në vazhdimësi derisa të anëtarësohemi në BE. Deri më tani instutcionet tona janë munduar të bëjnë të pamundurën për të luftuar këtë dukuri, por mbetet ende punë për të bërë.