Takimi më i vështirë në 6 vjetët e fundit

Aktuale July 19, 2018 - 08:02
Lexoni më shumë detaje

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq dje kanë zhvilluar takimin më të vështirë në vitet e fundit në kuadër të dialogut të Brukselit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në takimin e ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, dy presidentët kanë biseduar për marrëveshjet e arritura deri më tani, si dhe për kornizën e marrëveshjes ligjërisht obliguese, me të cilën pritet të përfundojë dialogu ndërmjet të dyja vendeve.

Ndërsa janë pajtuar që takimi i tretë i fazës finale të zhvillohet pas disa javësh.

“Përfaqësuesja e lartë dhe dy presidentët rishikuan progresin e arritur në diskutimet mbi kornizën e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese në normalizim e plotë të marrëdhënieve mes dy palëve. Ata u pajtuan që të ritakohen pas disa javësh për të vazhduar punën e tyre”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Mogherinit.

LEXO EDHE: Edhe dy stacione deri në Evropë

Kurse presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se ky takim me Vuçiqin ishte prej takimeve më të vështira të dialogut të deritashëm.

Ai tha se Vuçiqi dhe Serbia ende nuk po e pranojnë faktin se Kosova është shtet i pavarur.

“Ka qenë një takim i shkurtër. Ka qenë një takim jo i lehtë. Mund të them shumë i vështirë, ndoshta më i shkurti dhe më i rëndi prej të gjitha takimeve që kemi zhvilluar në këto gjashtë vjetët e fundit. Por, përkushtimi ynë për të ardhmen evropiane është serioz, i përgjegjshëm. Prandaj, do të punojmë maksimalisht që ta arrijmë marrëveshjen përfundimtare”, është shprehur Thaçi, duke thënë se ai sheh ende “dritë në fund të tunelit”, megjithëse, sipas tij, do të jetë jashtëzakonisht vështirë për arsye se Serbia ende mendon se Kosova është pjesë e saj.

“Ka qenë takim shumë i rëndë me Vuçiqin dhe ai duhet ta kuptojë se Kosova është vend sovran”, ka deklaruar Thaçi.

Sipas tij, duhet të arrihet një marrëveshje për të dyja vendet si vende sovrane dhe një marrëveshje që hap perspektivën euroatlantike për Kosovën dhe për Serbinë.

“Nuk pres që procesi të lehtësohet, pres vështirësi edhe më të mëdha, pres pengesa duke shkuar drejt finalizimit të dialogut”, theksoi Thaçi.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se janë pajtuar me Thaçin që bisedimet të vazhdojnë në përpjekje të gjetjes së një zgjidhjeje kompromisi dhe të angazhohen për ruajtjen e paqes e të stabilitetit në rajon.

“Nuk janë bisedime të lehta, por është me rëndësi të bisedojmë dhe ta ruajmë paqen. Edhe më e rëndësishme është që t’i zgjidhim problemet për të ardhmen, në mënyrë që në të ardhmen të mos kemi probleme të tilla”, tha ai. 

I pari i Serbisë po ashtu ka thënë se pala kosovare po e ofron si zgjidhje vetëm njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Por, kjo nuk mund të funksionojë kështu. Ne duhet të ulemi dhe të përpiqemi të gjejmë zgjidhje e kompromise për shumë çështje. Asnjëra palë nuk mund të jetë plotësisht e kënaqur, duhet gjetur zgjidhje që të dyja palët të jenë të kënaqura”, është shprehur Vuçiq.