Edhe dy stacione deri në Evropë

Aktuale July 19, 2018 - 07:51
Mësoni më shumë detaje

Komisioni Evropian dje ka publikuar rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën. Me këtë rekomandim kanë mbetur edhe dy “stacione” deri te heqja e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Tani mbetet që Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave ta mbështesin liberalizimin për Kosovën, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Komisioni Evropian (KE) të mërkurën ka publikuar rekomandimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, përmes së cilit ka konfirmuar përmbushjen e dy kritereve të fundit në këtë proces, ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi dhe luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

Komisionari për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi i Bashkimit Evropian, Dimitris Avramopoulos, ka kumtuar lajmin pozitiv dje, duke bërë të ditur se Kosova e ka plotësuar edhe kriterin e 95-të për heqjen e regjimit të vizave, shkruan më tutje "Zëri".

Duke uruar Kosovën, Avramopolus u ka bërë thirrje Parlamentit Evropian (PE) dhe Këshillit të Ministrave që të lëvizin në këtë drejtim dhe sa më parë të marrin vendim për heqjen e vizave.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në konferencën e përbashkët që pati dje me komisionarin e BE-së e ka cilësuar si moment historik për Kosovën dhënien e rekomandimit për vizat.

Menjëherë pas publikimit të rekomandimit janë deklaruar edhe krerët e tjerë institucionalë në Kosovë, të cilët kanë konsideruar se Kosova e ka merituar një lajm të tillë.

Ndërkaq përfaqësuesit e opozitës kanë thënë se procesi i liberalizimit nuk ka përfunduar me ditën e djeshme.

Avramopolus: Përpjekjet e Kosovës drejt liberalizimit u shpaguan

Teksa ka bërë publik rekomandimin për vizat, komisionari i BE-së Dimitris Avramopoulos ka uruar Kosovën për punën që ka bërë në drejtimin e plotësimit të dy kritereve të fundit për liberalizim të vizave, ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

Suksesi që Kosova ka treguar në këtë drejtim, sipas tij, është dëshmi që Republika e Kosovës është e gatshme për liberalizimin e vizave.

“Jam i lumtur t’ju njoftoj se të gjitha përpjekjet e Kosovës dhe puna e tyre drejt liberalizimit të vizave janë shpaguar dhe prandaj sot mund të konfirmojmë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”, deklaroi Avramopolus.

Duke folur për kohën se kur mund të lëvizin lirshëm qytetarët e Kosovës, ai tha se Kosova është shumë afër për të ardhur deri te ky moment.

“Jemi shumë afër që ta arrijmë këtë. Lëvizja tani varet nga Parlamenti Evropian dhe ata janë ftuar që të miratojnë largimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kjo është edhe në duart e institucioneve të Kosovës gjithashtu. Sot nga këtu po i bëj thirrje edhe Këshillit Evropian dhe Parlamentit që të lëvizin në mënyrë sa më të shpejtë dhe t’u ofrojnë lëvizje të lirë qytetarëve të Kosovës”, shtoi ai.

Sipas Avramopolus, liberalizimi vjen me të drejta, por edhe me obligime në të njëjtën kohë.

“Politika jonë nuk ka të bëjë vetëm me lejimin e lëvizjes së lirë, kemi një autoritet që është aprovuar së voni që mbikëqyr lëvizjen e lirë. Kemi edhe mekanizimin për suspendimin e liberalizimit të vizave, pasi ka kritere të ndryshme dhe kjo vlen edhe për Kosovën. Nga liberalizimi do të përfitojnë qytetarët e Kosovës. Ky është një fillim për bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe BE-së”, potencoi Avramopolus.

Thaçi: Rekomandimi për vizat, moment historik për Kosovën

Lajmin për rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për liberalizimin presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka cilësuar si një lajm tejet të rëndësishëm për Kosovën.

Në një konferencë të përbashkët me komisionarin e BE-së Dimitris Avramopolus Thaçi ka thënë se ky është ndër lajmet më të mira që ka marrë Kosova në këtë dekadë.

“Vendimi i sotëm për ta shpallur të përmbushur edhe kriterin e fundit në favor të liberalizimit është ndër lajmet më të mira që kanë pritur qytetarët e Kosovës, është një moment historik. Kjo përbën një ditë historike për vendin tonë”, ka deklaruar presidenti i Kosovës.

Më tej ai ka thënë se ky proces ka qenë tejet i vështirë për Republikën e Kosovës.

“Më duhet ta theksoj se kilometrat e fundit vërtet kanë qenë shumë të gjata. Mirëpo, jam i lumtur që së bashku kemi arritur në këtë cak të rëndësishëm dhe jam i bindur që së bashku dhe shpejt do të vijmë te momenti ku qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së”, ka shtuar kreu i shtetit.

Presidenti Thaçi ka pohuar se liberalizimi i vizave paraqet momentin më domethënës në rrugën evropiane të Kosovës deri në anëtarësimin në BE.

“Sot ka filluar shembja e murit të fundit të izolimit të një shoqërie të tërë evropiane. Lajmi i sotëm e përmbyll një cikël shumë të vështirë dhe rigoroz të përmbushjes së kërkesave të Komisionit Evropian. Siç kemi deklaruar edhe më herët, Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret”, ka nënvizuar Thaçi.

Kreu i shtetit më tutje është zotuar se kjo punë do të vazhdohet me përkushtimin e institucioneve të Kosovës edhe në fazat e mëtutjeshme.

“Unë kam besimin dhe përkushtimin që të vazhdojmë dhe ta përmbyllim këtë proces të rëndësishëm. Lajmi i sotëm do të jetë shtytës në punën tonë të përditshme në shtyrjen  përpara të reformave të rëndësishme në të gjitha fushat, duke përfshirë këtu edhe në çështjet që ndërlidhen me sundimin e ligjit”, është shprehur ai.

Haradinaj: Procesi i vizave do të përmbyllet brenda këtij viti

Në anën tjetër, teksa ka folur rreth rekomandimit kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria që ai drejton ka punuar intensivisht drejt përmbushjes së kushteve.

“Populli i Kosovës me shumë arsye i gëzohet sot rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian për lëvizje të lirë në vendet e BE-së, duke u vlerësuar i barabartë me të gjithë qytetarët e tjerë të rajonit dhe ata evropianë. Me shumë përkushtim dhe me vizion Qeveria që unë drejtoj përgjatë tërë këtyre muajve ka punuar pa u kursyer në përmbushjen e kritereve të fundit të BE-së”, ka deklaruar ai pas rekomandimit të KE-së.

Me këtë rast shefi i ekzekutivit është zotuar se institucionet e Kosovës do ta intensifikojnë luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit me bindjen që, siç ai është shprehur, Parlamenti dhe Këshilli do ta përfillin rekomandimin e KE-së dhe qytetarët kosovarë do të lëvizin pa viza.

Ndërkohë, është shprehur i bindur se ky proces do të përmbyllet përgjatë këtij viti.

“Liberalizimi për Kosovën do të diskutohet deri në fund të gushtit në Parlamentin Evropian, kurse i tërë procesi pritet të përmbyllet deri në fund të vitit”, ka nënvizuar Haradinaj.

Veseli: Kosova e meritoi vendimin pozitiv

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka thënë se Kosova e ka merituar vendimin pozitiv sa i përket përmbushjes së kriterit të fundit për liberalizmin e vizave.

“E kemi pritur këtë vlerësim dhe e kemi merituar këtë vendim. Kemi bërë përparim të madh, një punë të jashtëzakonshme, por angazhimi ynë në rrugën evropiane duhet të vazhdojë edhe më tutje”, ka theksuar Veseli.

Pas këtij rekomandimi të KE-së, sipas kryekuvendarit, i përket Bashkimit Evropian që t’ua mundësojë qytetarëve lëvizjen e lirë.

“Tani i takon BE-së për t’ua lejuar qytetarëve kosovarë lëvizjen e lirë në zonën Schengen. Shpresojmë që edhe kjo të ndodhë sa më shpejt, sepse e meritojnë qytetarët tanë”, është shprehur Veseli.

Hoxha: Lëvizja e lirë do të jetë rast që Kosova ta përmbyllë procesin integrues

Duke folur rreth këtij vendimi, ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha ka thënë se epoka e re e Kosovës dhe e qytetarëve tashmë po merr dinamikën dhe orientimin e duhur të procesit integrues.

“Lëvizja e lirë do të jetë rast që vendi ynë ta përmbyllë më shpejt procesin integrues euroatlantik, duke marrë dhe duke adoptuar vlerat më të mira për zbatimin e ligjit, për arsim, shëndetësi, ekonomi, ambient dhe të gjithë fushat e jetës së qytetarëve tanë”, ka deklaruar ajo.

Teksa ka uruar qytetarët për rekomandimin pozitiv, Hoxha ka thënë se lëvizja e lirë do t’i përforcojë vlerat e popullit kosovar.

“Vlerat e popullit tonë ishin, janë dhe mbeten pjesë e traditës, e mendësisë, e kulturës dhe e historisë evropiane. Lëvizja e lirë do t’i fuqizojë këto vlera”, ka potencuar e para e MIE-së.

Ahmeti: Ky s’është fundi i procesit, beteja zhvillohet në Këshillin e Ministrave

Ndërkaq kryetari i PSD-së Shpend Ahmeti ka thënë se Kosova e meriton të mos jetë e izoluar. Por pavarësisht publikimit të rekomandimit, Ahmeti ka thënë se procesi i liberalizimit nuk përfundon me ditën e djeshme.

“Pa marrë parasysh kriterin e fundit, Kosova meriton të mos jetë e izoluar dhe të jetë e barabartë me shtetet e tjera të Ballkanit. Qytetarët nuk duhet ta paguajnë dënimin e të korruptuarve. Ata duhet të paguajnë dënimin vetë dhe për këtë duhet të luftojmë të gjithë. Duhet ta kemi parasysh që ky nuk është fundi i procesit”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai më tej ka thënë se beteja më e madhe sa i përket këtij procesi do të zhvillohet në Këshillin e Ministrave.

“Parlamenti Evropian është shumë pozitiv për liberalizim, por beteja më e madhe do të zhvillohet në Këshillin e Ministrave në vjeshtë, kur për shkak të krizave me refugjatë dhe zgjedhjeve për PE shtetet janë tepër skeptike”, ka shtuar ai.

Sipas Ahmetit, duhet që të gjithë të punojnë drejt finalizimit të këtij procesi.

“Vizat duhet të liberalizohen, sepse qytetarët e Kosovës e meritojnë. Të gjithë duhet të punojmë në lobim, jo për t’ia dhënë kreditë kësaj qeverie, e cila duhet të largohet sa më shpejt, por për t’i dhënë mundësi Kosovës të ndihet më e lirë dhe më e barabartë”, ka nënvizuar ai.

Fajon: Kemi kthyer liberalizimin në agjendën e BE-së

Në anën tjetër, edhe raportuesja e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian Tanja Fajon e ka mirëpritur rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave.

Lidhur me këtë Fajon ka thënë se tanimë heqja e vizave për kosovarët është rikthyer në agjendën e Bashkimit Evropian.

Teksa ka uruar kosovarët për marrjen e rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave ajo ka vlerësuar punën që është bërë në këtë drejtim.

“Punë e shkëlqyer. Urime miqtë e mi! Ne kemi rikthyer liberalizimin e vizave në agjendën e institucioneve të Bashkimit Evropian. Puna juaj e madhe dhe përpjekjet tuaja janë vlerësuar”, ka theksuar Fajon.

Hahn: KE-ja e vlerësoi punën e madhe që bëri Kosova

Po ashtu edhe komisionari për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, ka uruar Kosovën për rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave.

Me këtë rast ai është shprehur optimist që Parlamenti Evropian sa më shpejt që të jetë e mundur do të vendosë për heqjen e vizave për Kosovën.

“Ekspertët konfirmuan se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Komisioni Evropian e ka vlerësuar punën e madhe dhe përkushtimin e Kosovës për reformat. Tani është në dorën e shteteve anëtare të Parlamentit Evropian për të vendosur për lëvizjen e lirë për Kosovën. Shpresoj që kjo të ndodhë sa më shpejt”, ka deklaruar Hahn.