Kusari-Lila: A u lodhët burra? Për hajër, fet e keni bo!

Aktuale July 18, 2018 - 18:33
Lexoni më shumë detaje

Kryetarja e Alternativës dhe deputetja Mimoza Kusari-Lila ka ironizuar me faktin se në Bruksel kanë udhëtuar të gjithë krerët institucionalë e që janë burra, transmeton “Zeri.info”.

Kusari-Lila, përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social “Facebook”, rekomandimin pozitiv për Kosovën, e sheh si të vonuar, ndërsa përgjegjës i bëri krerët e institucioneve që ishin të pranishëm në këtë takim, përfshirë edhe kryetarin e saj të dikurshëm, Behgjet Pacollin që sot është ministër i Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministër.

Kusari-Lila po ashtu ka përmendur edhe takimin Thaç-Vuciq, ku ka thënë se ky takim është mesazh i qartë për kosovarët se procesi i mëtutjeshëm për liberalizimin e vizave do të lidhet për kosovarët me procesin e dialogut me Serbinë, përcjell “Zeri.info”.

“Mos të harrojmë, në një ditë me këtë lajm, ndodhi edhe një takim pa konsenzus të brendshëm në Kosovë, Thaçi - Vuçiq, si një mesazh i qartë për kosovarët se procesi i mëtutjeshëm për liberalizimin e vizave do të lidhet për kosovarët me procesin e dialogut me Serbinë”, ka shkruar ndër të tjerash Kusari-Lila. /ZËRI/

Postimi i plotë i Kusari-Lilës pa ndërhyrje:

“A u lodhët burra?” i paska pyetur Përfaqësuesja e lartë e BE-së krerët e shtetit, të cilët ishin paketuar për të marrë haberin e vonuar tre vite, për të cilin shumica kanë përgjegjësi direkte për këtë vonesë dhe këtë izolim të rëndë të qytetarëve të Kosovës.

Sot për të treguar që kemi pesë Kryeministra, pesë qeveri dhe pesë vilajete të ndara me zona të interesit, të një shteti të vogël dhe të varfër, kemi gjashtë përfaqësues para një gruaje të BE-së.

Këta gjashtë burra duke mos dashtë të kenë asnjë grua në “foton historike” folën më shumë se që menduan dhe na treguan se ku jemi.

Në notë pozitive, Me rëndësi rekomandimi i Komisionit është pozitiv, ndërsa i mbetet Parlamentit Evropian dhe këshillit të ministrave të sjellin vendimin e fundit për liberalizimin e lëvizjes së Kosovarëve.

Mos të harrojmë, në një ditë me këtë lajm, ndodhi edhe një takim pa konsenzus të brendshëm në Kosovë, Thaçi - Vuçiç, si një mesazh i qartë për Kosovarët se procesi i mëtutjeshëm për liberalizimin e vizave do të lidhet për Kosovarët me procesin e dialogut me Serbinë.

Për hajër Burra se fet e keni bo!