Thaçi: Sot ka filluar shembja e murit të fundit të izolimit

Aktuale July 18, 2018 - 17:46
Lexoni më shumë detaje

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se vendimi i sotëm i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën përbën një moment historik për vendin tonë, raporton “Zeri.info”.

Sipas Thaçit, liberalizimi i vizave është momenti më domethënës në rrugën evropiane të Kosovës deri në anëtarësimin e saj në BE.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, Thaçi ka shkruar se, kjo nuk është dhuratë, por një mirënjohje e punës së shtetit të Kosovës, përcjell “Zeri.info”.

Thaçi po ashtu ka thënë se kjo është një meritë e qytetarëve të Kosovës. /ZËRI/

Postimi i plotë i Thaçit pa ndërhyrje:

Vendimi i sotëm i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave përbën një moment historik dhe një njohje të përpjekjeve tona shumëvjeçare për ta çuar Kosovën në zemrën e Evropës.

Liberalizimi i vizave është momenti më domethënës në rrugën evropiane të Kosovës deri në anëtarësimin e saj në BE.

Sot ka filluar shembja e murit të fundit të izolimit të një shoqërie të tërë evropiane.

Kjo nuk është një dhuratë, por një mirënjohje e punës së vështirë që e kemi bërë së bashku të gjitha institucionet tona, i gjithë spektri politik, opozita, qeveritë e kaluara, shoqëria civile, mediat, si dhe përgjegjësit e rendit e të ligjit.

Është meritë e qytetarëve të Kosovës.

Urime!