Përplasen NISMA e PDK-ja

Aktuale July 17, 2018 - 18:45
Lexo detajet

Vendimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për masat mbrojtëse të importit, ka përplasur ministrat e Partia Demokratike e Kosovë (PDK) dhe ata të Nismës Soacialdemokrate sot në mbledhjen e Qeverisë.

Kjo për faktin se ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani u ankua se Doganat e Kosovës nuk po ia zbatojnë vendimet e tij.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka marrë disa vendime për masa mbrojtëse ndaj importit. Vendimet të cilat janë të nxjerra nga MTI-ja dhe disa prej tyre nuk po zbatohen nga Dogana e Kosovës, sipas dispozitave të nenit 9, paragrafit 9, ceket, se Dogana është i vetmi institucion i cili ka kompetenca për të kryer kompetenca doganore dhe detyra tjera që i caktohen Doganës nga Qeveria e Kosovës”, tha Hasani.

Ndërhyri zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, i cili tha se për vendime që kanë të bëjnë me tregtinë e jashtme duhet të njoftohen edhe shtetet tjera.

“Sa i takon këtij vendimi, ky është vendim që ka të bëjë me çështje të brendshme dhe të jashtme. Sa e di unë, praktikohet të komunikohet në planin diplomatik me shtete para se të merret një vendim i tillë, me sa e di unë, si praktikë…Mos të del far lufte tregtare se lufta tregtare sot janë tema edhe të mediave ndërkombëtare. I kisha dhënë goxha prioritet komunikimit diplomatik të rregullt”, u shpreh Hoxhaj.

Në këtë pikë u kyç edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, i cili tha se Dogana nuk zbaton asnjë vendim të asnjë Ministrie, por vetëm vendimet e Qeverisë dhe ligjet në fuqi.

“Punën e vet e kryen mbi bazën e ligjit për kodin e doganës dhe të akcizës dhe është shumë e qartë, shprehimisht thuhet që Doganat e Kosovës zbatojnë ligjet dhe vendimet e Qeverisë. Qeveria është kryeministri bashkë me ministrat dhe vendimet pa hyrë dhe t’i kontestoj të drejtat e Ministrive individuale që të marrin vendime, çka kërkohet që dogana me impelemtu të njëjtin vendim pa asnjë pengesë, kërkohet që ai vendim me propozim të Ministrisë së linjës të bëhet vendim i Qeverisë”, theksoi Hamza.

Kjo ka nervozuar ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, sipas të cilit nuk ka asgjë të jashtëligjshme në vendimet tij, sepse janë dy ligje që ia lejojnë nxjerrjen e këtyre vendimeve.

“Kemi dy ligje që janë, ligji anti-damping të cilët kërkohet bashkëpunim për të marrë një vendim, natyrisht kur themi vendime, vendimet janë kompetencë që mbajnë përgjegjësi dhe ai vendim ka bazë ligjore. Ligji anti damping që kërkon raporte me shtetet tjera, kërkon informata për të ardhur të një vendim i tillë, që është kjo është masë mbrojtëse. Masa mbrojtëse, do të thotë ministri pas analizës së departamentit, janë kryer hetimet, janë kryer të gjitha procedurat ka ardhur një përfundim se po dëmtohet prodhimi i vendit. Kemi informacione edhe ne mund të marrim vendim, nuk po biem ndesh me asnjë shtet”, theksoi Hasani.

“Ne kemi pasur edhe në të kaluarën sa herë që ka ardhur një situatë e ngjashme, me sa kuptoj asnjë nga ministritë veç e veç nuk mund t’i japin detyra Doganës pa qenë vendim i Qeverisë. Kjo nuk është se ne po mohojmë të drejtën e secilit për të arritur deri te vendimet e Qeverisë që burojnë nga një Ministri por është mirë që përgatitja e këtyre vendime të mos kthehen në kategori”, tha Haradinaj.

Por, ministri Hasani edhe një herë sqaroi se e merr përgjegjësinë për këto vendime, derisa kërkoi që të miratohet vetëm për dy vendimet, atë për qumështin dhe për pemë dhe perime. /Periskopi