BE përkrah zhvillimin e një sistemi të centralizuar të shënimeve penale në Kosovë

Aktuale July 17, 2018 - 11:51
Lexoni më shumë detaje

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, së bashku me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, do të fillojë zyrtarisht të martën, më 17 korrik 2018, në orën 14:00, në hotelin Swiss Diamond, procesin e digjitalizimit të shënimeve të dënimeve të vjetra në tërë Kosovën.

“Zbatimi i projektit për themelimin e Regjistrit kombëtar të centralizuar të shënimeve penale për Kosovë ka filluar në korrik 2017. Projekti përkrah strukturën ligjore dhe administrative të sistemit, shkallërritjen e bazës së të dhënave aktuale dhe digjitalizimin e rreth 250,000 dënimeve nga viti 1999 e në vazhdim. Projekti do të vazhdojë deri në qershor 2020 dhe ka një vlerë prej rreth 1.8 milion eurosh, me fonde shtesë të destinuara për blerjet e TI-së dhe pajisjeve të tjera. Gjatë vitit të tij të parë të veprimit, projekti ka arritur të ndërtojë themelin e sistemit të ri dhe të përgatisë terrenin për procesin kompleks të digjitalizimit të të shënimeve të dënimeve të vjetra. Është hartuar dhe aprovuar një rregullore e re nga KGJK-ja dhe është zhvilluar një bazë e re e të dhënave. Së bashku me KGJK-në, projekti ka rekrutuar 50 nëpunës ligjorë që do të mbështesin personelin e gjykatave në regjistrimin e të dhënave të vjetra”, thuhet në njoftim.

Një sistem funksional i centralizuar i të shënimeve penale do të sjellë përfitime të shumëfishta për qytetarët e Kosovës dhe institucionet e sundimit të ligjit. Ai është një element thelbësor në një sistem të drejtësisë penale funksionale të çdo vendi.

Gjatë eventit, projekti do të paraqesë arritjet e deritanishme dhe do të përurojë zyrtarisht fillimin e procesit të digjitalizimit.