Pushteti nuk shqetësohet për mungesën e opozitës në dialog

Aktuale July 17, 2018 - 08:22
Mësoni më shumë detaje

Nesër do të zhvillohet takimi i dytë i fazës finale të dialogut me Serbinë. Pjesë e këtij takimi nuk do të jenë subjektet opozitare, të cilat kërkojnë që Kuvendi ta ketë rolin udhëheqës. Por, mungesa e opozitës nuk është duke e shqetësuar pushtetin, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Nesër (e mërkurë) presidenti i vendit Hashim Thaçi bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj, kryeparlamentarin Kadri Veseli e zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj e Dardan Gashi do të udhëtojnë drejt Brukselit për ta takuar përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Po këtë ditë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të zhvillojnë takimin e dytë të fazës finale të dialogut të Brukselit.

LEXO EDHE: BE: Asociacioni, sipas të ligjeve të Kosovës dhe Marrëveshjes së Brukselit

Por megjithëse para pak ditësh Presidenca ka deklaruar se ka formuar “Ekipin Negociator”, pjesë e këtij grupi nuk është edhe opozita.

Mungesa e opozitës në dialog nuk është duke e shqetësuar pushtetin, shkruan më tutje "Zëri".

Në anën tjetër, opozita thotë se udhëtimi i Thaçit drejt Brukselit vetëm me “partnerët” e tij është i dëmshëm.

Sipas tyre, nga ky takim mund të pritet çfarëdo marrëveshjeje e dëmshme për vendin.

Mirëpo ata janë shprehur të vendosur se asnjëherë nuk do të bëhen pjesë e këtij ekipi të udhëhequr nga presidenti Thaçi.

Qeveria: Shtetet moderne përfaqësohen nga krerët institucionalë

Zyra e Kryeministrit Ramush Haradinaj në një përgjigje dhënë gazetës “Zëri” ka deklaruar se edhe në këtë takim të radhës në Bruksel do të diskutohet për marrëveshjet e arritura, që nuk kanë gjetur zbatim dhe për mënyrën e rrjedhjes së këtij dialogu.

“Do të diskutohet për marrëveshjet e arritura dhe për zbatimin e tyre, si dhe konditat e vazhdimit të dialogut”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë dhënë gazetës “Zëri”.

Të pyetur për mungesën e opozitës në këtë ekip zyrtarët qeveritarë thonë se shtetet moderne në dialog politik përfaqësohen nga krerët institucionalë që janë zgjedhur nga Kuvendi.

“Në kondita moderne politike çdo shtet dhe shoqëri në politikat e jashtme dhe në dialog politik e përfaqësojnë liderët institucionalë, që kanë marrë mandatin e kuvendit”, thuhet më tutje në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit Haradinaj.

Kurse Bekim Çollaku, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, ka thënë se Kosova e ka plotësisht funksional ekipin negociator, i cili udhëhiqet nga presidenti dhe përbëhet nga udhëheqësit institucionalë dhe liderët e partive politike parlamentare, që janë pjesë e koalicionit qeverisës.

Ai ka thënë se formimi i ekipit të unitetit varet nga opozita dhe se Presidenca e kërkon pjesëmarrjen e opozitës në dialog.

“Kjo nuk varet nga ne, por nga vendimet e partive opozitare. Ne e duam dhe në vazhdimësi po e kërkojmë pjesëmarrjen e tyre”, ka deklaruar Çollaku për gazetën “Zëri”.

Selimi: Nga Thaçi mund të pritet çfarëdo marrëveshjeje 

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi në një deklaratë për gazetën “Zëri” ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk e mbështet e asnjëherë, siç ka thënë ai, nuk do t’i bashkohet këtij grupi.

Ai tha se LVV-ja nuk i beson Thaçit dhe vendimeve që mund t’i marrë ai dhe për këtë arsye LVV-ja do të angazhohet që me çdo kusht të kundërshtojë çdo marrëveshje të dëmshme, e cila mund të rrjedhë nga këto takime.  

“Ky është grupi qeveritar pa opozitën që po i jep vetes të drejtë të diskutojë dhe të marrë vendime me Serbinë kundër interesave të Kosovës. Normalisht që Lëvizja Vetëvendosje nuk i bashkëngjitet këtij treni, ku lokomotivë e ka Thaçin dhe dy vagonët e tij mbrapa, Haradinaj e Limaj. LVV-ja do të jetë e angazhuar të bëjë gjithçka që opozita ta kundërshtojë këtë me qëllimin më të mirë, që të mos merren vendime të këqija për Kosovën. Sido që të jetë, kryeneçësia e Thaçit ka marrë me vete edhe shërbëtorët e tij dhe ata që ia bëjnë aminin”, ka thënë ai.

Selimi deklarimet e krerëve institucionalë që do të kthehen me marrëveshje përfundimtare në të mirë të Kosovës i ka quajtur strategji për kamuflim të veprimeve të këqija, siç tha ai.

“Ata po proklamojnë marrëveshje përfundimtare, epilog të dialogut dhe terminologji të tjera, që më tepër janë si kamuflim i vendimeve të këqija për Kosovën. Ne çfarë nuk presim nga Thaçi, nga ai mund të pritet gjithçka, por ajo që duhet të ndodhë është që vendimet e këqija të mos jenë të pranueshme. Ne si LVV në asnjë mënyrë nuk i bashkëngjitemi këtij karvani të së keqes së Kosovës. Pres që edhe pjesa tjetër e opozitës të veprojë si LVV-ja”, ka thënë ai.

Kusari-Lila: Thaçi merr me vete krerët institucionalë që ta arsyetojë udhëheqjen e tij

Ndërkohë, deputetja e Alternativës Mimoza Kusari-Lila ka thënë se nuk pret shumë nga ky takim, pasi siç ka thënë ajo Thaçi me “ekipin” e tij nuk kanë një platformë të mirëfilltë për dialogun.

Shkuarja e presidentit bashkë me krerët institucionalë në Bruksel, sipas saj, është vetëm arsyetim që Thaçi t’i udhëheqë këto bisedime.

“Nuk pres shumë dhe mendoj që është hap i ngutur i pozitës, sepse ne si Alternativë jemi deklaruar edhe më herët që platforma për dialogun duhet të miratohet në Kuvend. Kjo është njëfarë forme që të gjendet arsyetimi që Hashim Thaçi si president i vendit të jetë udhëheqës i dialogut pa ndonjë platformë të mirëfilltë të dialogut. Kjo pozitë nuk e ka as shumicën e thjeshtë parlamentare, prandaj në këtë mënyrë ata po shkojnë në Bruksel”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila i konsideron të dëmshme takimet e palës kosovare me palën serbe pa përfshirjen e opozitës. Ajo tha se konsensusi politik është i domosdoshëm.

“Ne e konsiderojmë si të domosdoshme arritjen e një konsensusi politik për çështjen e dialogut”, ka përfunduar Kusari-Lila.