BE: Asociacioni, sipas të ligjeve të Kosovës dhe Marrëveshjes së Brukselit

Aktuale July 17, 2018 - 08:07
Mësoni më shumë detaje

Bashkimi Evropian po insiston që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet themeluar brenda kuadrit ligjor të Kosovës dhe në bazë të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2015. Ata madje kërkojnë që Marrëveshja të zbatohet pa vonesa të mëtejshme, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Bashkimi Evropian (BE) po insiston që Kosova ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në pajtim me Ligjet e Kosovës, si dhe në bazë të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2015.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës shprehet e vendosur që Asociacioni të mos themelohet sipas Marrëveshjes së Brukselit, pasi që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se Marrëveshja bie ndesh me disa nene të aktit më të lartë juridik në vend.

LEXO EDHE: Muri i frikshëm i Mitrovicës                      

“Asociacioni do të formohet brenda kuadrit ligjor të Kosovës në bazë të Marrëveshjes së Brukselit dhe elementeve kryesore të përgjithshme të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilat janë arritur ndërmjet palëve në gusht 2015”, kanë deklaruar për gazetën Zëri zyrtarë të Bashkimit Evropian (BE).                                                                  

BE-ja njëkohësisht është duke pritur që të gjitha marrëveshjet e arritura në mes palëve të zbatohen pa vonesa.

“Bashkimi Evropian pret që të gjitha marrëveshjet e arritura gjatë dialogut të zbatohen pa vonesa të mëtejshme, veçanërisht marrëveshjet për Asociacionin e Komunave Serbe dhe  Energjinë. Kosova ia ka dhënë një mandat ekipit menaxhues për ta hartuar statutin e Asociacionit të Komunave Serbe. Kjo punë është në vazhdim e sipër”, thuhet aty.

Në anën tjetër, Zyra për Informim e Qeverisë së Kosovës në një përgjigje të dhënë për “Zërin” ka bërë të ditur që draft-statuti për Asociacionin nuk është ende gati, përderisa kanë theksuar se BE-ja e mbështet formimin e AKS-së vetëm përmes Kushtetutës së Kosovës.

“Drafti nuk është gati ende. BE-ja e mbështet AKS-në vetëm brenda Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, thuhet shkurt në përgjigjen e kësaj zyre.

Haxhiu: S’duhet lejuar Asociacioni me kompetenca ekzekutive

Deputeti i Partisë Demokratikë të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka thënë për “Zërin” që institucionet e Kosovës nuk duhet të pranojnë asnjë marrëveshje që bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Asnjë dokument që nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me Pakon e Ahtisaarit, asnjëra nga institucionet e Kosovës nuk ka mandat që të negociojë ose të pranojë atë”, ka thënë ai.

Ndërsa i pyetur se nëse Kosova rrezikon që të formohet Asociacioni me kompetenca ekzekutive për serbët e Kosovës, Haxhiu ka thënë që institucionet e Kosovës nuk duhet të lejojnë një gjë të tillë.

“Nuk duhet që bartësit institucionalë të Kosovës ta lejojnë një gjë të tillë, sepse asnjëri prej tyre nuk ka mandat për të lejuar gjëra të tilla. Asnjë gjë më shumë nuk mund të arrihet sesa ajo që është në kuadër të Kushtetutës së Kosovës”, ka theksuar ai.

Pantina: Serbët të integrohen në Asociacionin e Komunave të Kosovës

Deputetja e Partisë Socialdemokrate (PSD), Shqipe Pantina, ka thënë për “Zërin” që tentimi që përmes Asociacionit të Komunave Serbe të dilet jashtë kornizave kushtetuese është i papranueshëm për PSD-në.

“Tashmë Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka dhënë një vlerësim dhe çdo tentim që të dilet jashtë kësaj është i papranueshëm jo vetëm për PSD-në, por për të gjithë shoqërinë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, mënyra më e mirë që qytetarët e komunitetit serb të integrohen në institucione të vendit është që të bëhet pjesë e Asociacionit të Komunave të Kosovës.

“Mënyra më e mirë është që qytetarët serbë të integrohen tërësisht në institucionet tona, që nënkupton që edhe komunat që drejtohen ose kanë më shumë banorë të komuniteteve të tjera të jenë pjesë e Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe aty t’i shprehin qëndrimet e veta. Nuk mendoj që në Kosovë ka nevojë për krijimin e një Asociacioni tjetër, sepse Asociacioni aktual ka bërë një punë të mirë sa i përket përfaqësimit të interesave të komunave”, ka theksuar ajo.

Baraliu: Asociacioni të mos e shkelë Kushtetutën

Njohësi i çështjeve politike të vendit Mazllum Baraliu, duke folur për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, ka theksuar se AKS-ja mund të formohet ose përmes Marrëveshjes së Brukselit, ose duke respektuar Kushtetutën e vendit, mirëpo përmes të dyjave, sipas tij, nuk është e mundur.

“Nuk mundet të shkojnë të dyja, nëse Brukseli është për të respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, atëherë duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese i ndërlidhur me Marrëveshjen e Brukselit”, ka thënë ai.

Sipas tij, institucionet e Kosovës janë të papërgjegjshme në raport me Asociacionin dhe për të mbajtur veten në pushtet kanë lejuar që grupi menaxhues të përgatisë draftin e Asociacionit. 

Ai mes të tjerash ka thënë që nuk duhet lejuar që Asociacioni ta shkelë Kushtetutën e vendit.

“Asociacioni nuk duhet bërë jashtë kornizave kushtetuese, por duhet të krijohet vetëm si organizatë joqeveritare për koordinimin e aktiviteteve të komunave”, ka thënë ai, duke shtuar se “ka përpjekje për t’u bërë Asociacioni me kompetenca ekzekutive, pasi që Brukseli është i njëanshëm në këtë aspekt, duke favorizuar Beogradin dhe duke nënvlerësuar interesin e Kosovës dhe sistemin e saj juridik”.