Muri i frikshëm i Mitrovicës

Aktuale July 17, 2018 - 07:51
Pamje nga Mitrovica

Ndërtimi i një muri deri në 70 centimetra i lartë në pjesën veriore të urës mbi lumin Ibër nuk shihet si rrezik nga Qeveria e Kosovës, madje pushteti thotë se ai nuk do të jetë mur, porse është pjesë e shëtitores për këmbësorë e që është pjesë e projektit të Bashkimit Evropian. Ndërkohë, opozita e vlerëson si të frikshëm ngritjen e këtij muri. Sipas opozitarëve, përmes murit po betonizohet ndarja e Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk do të ketë mur në pjesën veriore të Mitrovicës, porse punimet që janë duke u bërë pak metra larg Ibrit kanë të bëjnë me rregullimin e një shëtitoreje për këmbësorë e që është projekt i Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka sqaruar për gazetën Zëri se punimet janë duke u zhvilluar sipas marrëveshjes së arritur në shkurt të vitit të kaluar ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe kryetarit të Mitrovicës Veriore Goran Rakiq për rrëzimin e murit, që ishte ndërtuar në dhjetor të vitit 2016 në këtë vend.

Në anën tjetër, opozita kosovare ngritjen e një muri të tillë e sheh si rrezik për “betonizim të ndarjes së Kosovës”.

Zyra e Kryeministrit ka thënë për gazetën Zërise nuk bëhet fjalë për ngritje të murit në atë pjesë, porse ai ndërtim është pjesë e projektit të Bashkimit Evropian.

“Në pjesën veriore të Kosovës nuk do të ketë mur, por ai është një projekt i BE-së, i cili në një të ardhme do t’i shërbejë komunitetit, pa dallim”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.

Inspektorati i MMPH-së: Punimet po zhvillohen sipas marrëveshjes

Kurse Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të hënën ka zhvilluar një vizitë në vendin ku po ndërtohet muri dhe ka konstatuar se punimet janë duke u zhvilluar sipas marrëveshjes për projektin e sheshit të këmbësorëve në Komunën Mitrovicës së Veriut.

“Inspektorati i MMPH-së më datën 16.07.2018 ka zhvilluar vizitë inspektuese për të verifikuar nëse punimet për ndërtimin e murit (zhardinjerës), si pjesë e projektit të sheshit të këmbësorëve në Komunën e Mitrovicës së Veriut, janë duke u zhvilluar konform marrëveshjes politike dhe ligjeve të Kosovës. Gjatë kësaj vizite inspektuese inspektorët kanë konstatuar se punimet janë duke u zhvilluar sipas projektit të marrëveshjes dhe ligjeve të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit të MMPH-së.

Më tej thuhet se Inspektorati i kësaj ministrie ka obliguar Inspektoratin Komunal të Ndërtimit që t’i përcjellë punimet.

“Po ashtu Inspektorati i MMPH-së ka obliguar Inspektoratin Komunal të Ndërtimit që në vazhdimësi t’i përcjellë punimet sipas kompetencave ligjore që ka”, përfundon ai për gazetën “Zëri’.

Në anën tjetër, ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Sadri Ferati ka thënë se nëse Ministria e Mjedisit konstaton se punimet janë duke shkuar sipas marrëveshjes, atëherë nuk ka arsye për shqetësim.

“Ministria e Ambientit është kompetente dhe nëse kjo Ministri ka thënë se muri është sipas marrëveshjes, atëherë nuk kemi pse të shqetësohemi, vetëm se ata duhet të jenë të sigurt se po ndërtohet sipas projektit”, ka deklaruar Ferati.

Më tutje, ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se në raste të tilla kur ka interesim të qytetarëve Qeveria dhe Komuna duhet të dalin me sqarime më të shpejta për qytetarët.

“Nëse ka interesim të madh natyrisht se është obligim i institucioneve, i Qeverisë, por edhe i Komunës që të japin sqarime për qytetarët, pra që të tregojnë se cila është gjendja dhe se a po shkon gjithçka sipas marrëveshjes.

Vetëvendosja: Po betonizohet ndarja e Kosovës

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje përmes një reagimi ka thënë se po betonizohet ndarja e Kosovës përmes murit të Mitrovicës.

“Dialogu politik me Serbinë pa kushte dhe për çështje të brendshme të Kosovës përditë e më shumë po betonizon ndarjen dhe po legjitimon praninë e Serbisë në Kosovë. Vazhdimi i ndërtimi të murit tek ura e lumit Ibër në Mitrovicë në një kohë kur Thaçi, Veseli, Haradinaj dhe Limaj ndodhen në Bruksel për dialog me Serbinë flet për qarkun e pamundësimit të shtetit nga marrëveshjet e deritanishme”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Partia e Albin Kurtit më tej ka thënë se dialogu “Thaçi-Vuçiq”, që po zhvillohet këtyre ditëve në Bruksel, përveçse po bazon ecurinë e tij në frymën e jostrategjisë dhe të koncesioneve të dëmshme nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe vetëm për nevoja të Hashim Thaçit, paraprihet nga një seri lëshimesh e manipulimesh e të cilat bazohen në favorimizim e interesave shtetërore serbe dhe krijimin e kushteve që këto interesa të jetësohen me përpikëri në territorin e Kosovës.

“Qeveritë e Kosovës zellin dhe gatishmërinë më të madhe përgjatë viteve e dëshmuan pikërisht kur vinin në rend marrëveshjet e dëmshme me Serbinë, siç është krijimi i ‘Zajednicës’ e ndarja me murin tek ura e Ibrit si mënyrë për të ruajtur karrigen e pushtetit të tyre në një Republikë që po humb karakterin unitar”, thuhet më tej në reagim.

Në fund, Lëvizja Vetëvendosje e konsideron të papranueshëm ndërtimin e murit dhe heshtjen absurde të Qeveritë së Kosovës karshi kësaj dhe shtrirjes së vazhdueshme të sovranitetit serb në Kosovë.