Aktuale

Opozita refuzon delegacionin e Thaçit në dialog

Opozita refuzon delegacionin e Thaçit në dialog
16 korrik 2018 • 19 : 06

Detajet

Partitë opozitare në Kosovës nuk do të kenë përfaqësuesit e tyre në delegacionin e udhëhequr nga presidenti Hashim Thaçi në bisedimet me Serbinë, konfirmojnë zyrtarët e partive opozitare.

Më 18 korrik, në Bruksel, pritet të mbahet takimi ndërmjet dy delegacioneve, të Kosovës dhe Serbisë. Delegacionit të Kosovës, i prin presidenti Thaçi, i cili, siç është paralajmëruar, do të shoqërohet nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj dhe zyrtarë tjerë, përfshirë edhe ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacolli e zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj.

Presidenti Thaçi u ka bërë thirrje edhe partive opozitare që të jenë pjesë e këtij delegacioni.

Por, Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti kjo më e madhe opozitare, thotë për Radion Evropa e Lirë se partia, të cilës ai i takon, nuk do të jetë pjesë e delegacionit.

LEXO EDHE: Dialogu nuk bëhet pa Thaçin dhe LDK-në?

“Ne kemi pasur tri parime për ndërtimin e konsensusit në Kuvendin e Republikës. Kjo nuk është arritur. Tashmë kërkesa e LDK-së ka evoluuar në formulën ‘legjitimitet para dialogut’, e cila nënkupton zgjedhjet (e parakohshme parlamentare) para dialogut. Ne nuk jemi pjesë e këtij delegacioni dhe as e delegacioneve eventuale jashtë një marrëveshje dhe një konsensusi politik, i cili mund të arrihet vetëm në Kuvend të Republikës”, tha Haziri.

Ai ka shtuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do t’i legjitimonin institucionet përfaqësuese të Kosovës.

“Ne besojmë që kjo krizë, e cila është prodhuar politikisht në Kosovë, e ka degraduar legjitimitetin politik të përfaqësuesve dhe detyrimisht legjitimiteti për përfaqësim në format të tillë të dialogut është i domosdoshëm. Natyrisht që ky Kuvend nuk e ka formatin dhe autoritetin që të bartë kurrëfarë delegimi apo përgjegjësie më këtë angazhim. Kështu që, LDK-ja mbetet në rolin e saj opozitar brenda këtij Kuvendi, me kërkesa politike, të cilat do të vazhdojnë të afirmohen politikisht edhe me veprime konkrete opozitare brenda Kuvendit”, u shpreh Haziri.

LEXO EDHE: Kosovarët të vetmit në rajon pa liberalizim të vizave

Në delegacionin e Kosovës për bisedime në Bruksel, nuk do të jenë as përfaqësuesit e partisë tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, konfirmon për Radion Evropa e Lirë, deputetja e kësaj partie, Albulena Haxhiu. Siç thotë ajo, figura e Hashim Thaçit, është e papranueshme për Lëvizjen e Vetëvendosje, që të jetë në krye të procesit të dialogut me Serbinë.

“Figura e Hashim Thaçit është një figurë përçarëse dhe një figurë që nuk përfaqëson unitet, si dhe një person i cili bartë përgjegjësinë e gjithë koncesioneve që janë nënshkruar deri më tani në raport me negociatat. Për neve është e papranueshme që ta përfaqësojë Republikën e Kosovës. Pra, ne si subjekt politik, e kundërshtojmë fuqishëm këtë figurë që ta përfaqësojë Republikën e Kosovës. Edhe në takimin e parë, por po ashtu edhe në takimin e të mërkurës, siç po pritet që do të ndodhë, ky person nuk përfaqëson Republikën e Kosovës, por përfaqëson vetëm interesat e veta”, tha Haxhiu.

Gjithashtu, sipas Haxhiut, personat që përbëjnë delegacionin e Kosovës në dialogun me Serbinë, nuk kanë legjitimitet për një gjë të tillë, ndërkohë që siç thotë ajo, ata kanë kërkuar konsensus të spektrit politik.

“Ata kanë kërkuar konsensus për Thaçin. Në asnjë rrethanë ne nuk pajtohemi që Thaçi të jetë as prijës e as pjesë e ekipit, përveç tjerash. Për të pasur një dialog të mirëfilltë dihet se çfarë janë ‘vijat e kuqe’. Pikërisht Hashim Thaçi ka thënë se nuk ka ‘vija të kuqe’. Pra, do të diskutohet gjithçka edhe për sa i përket decentralizimit, demarkacionit, por edhe sa i përket shkëmbimit të territoreve, si dhe për sa i përket çështjeve të brendshme të tjera të Republikës së Kosovës. Pra, me këtë qasje, nuk mund të pranojmë, në asnjë rrethane, që të diskutojmë”, thekson Haxhiu.

Sidoqoftë, njohësit e zhvillimeve politike, më herët kanë theksuar, se pa një konsensus të spektrit politik për dialogun, si dhe pa pjesëmarrjen e opozitës në ekipin dialogues të Kosovës, e sidomos të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si partia më e madhe opozitare, pala e Kosovës do të jetë në pozicion më të dobët dialogues përballë Serbisë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur që nga viti 2011. Sipas Bashkimit Evropian në fund të këtij procesi, të dyja vendet duhet të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e raporteve, e cila, pos tjerash, i çon të dyja vendet drejt integrimeve evropiane.

© zëri.info