Rriten azilkërkuesit në Kosovë, prijnë turqit

Aktuale July 16, 2018 - 08:21
Lexoni më shumë detaje

Numri i azilkërkuesve në Kosovë gjatë gjysmës së parë të këtij viti është rritur dukshëm në krahasim me vitin e kaluar. Sipas statistikave zyrtare, turqit prijnë nga numri  më i madh i azilkërkuesve, të pasuar nga sirianët,...shkruan sot Gazeta "Zëri"

Janë bërë katër muaj prejse Mustafa Culloker ka braktisur vendlindjen e tij Turqinë për shkak të problemeve që thotë se i ka me shtetin e tij.

Ai bashkë me familjen kanë gjetur vendstrehim në Qendrën për Azil në Magure të Lipjanit, ku do të vazhdojnë të qëndrojnë edhe një kohë.

Gjatë qëndrimit të tij në këtë qendër Culloker kishte arritur të mësonte edhe disa fjalë në gjuhën shqipe, por me shumë pengesa. Aq sa mund të kuptonte nga pyetjet që iu parashtruan, Culloker tregoi shkurt arsyen e strehimit të familjes së tij në këtë Qendër.

“Jemi këtu për shkak të problemeve në Turqi. Këtu jam me familje qe katër muaj. Do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu”, thotë Culloker për gazetën Zëri

Ai duket i kënaqur dhe i sigurt brenda kësaj Qendre. “Po, po, kështu është shumë bukur”, shprehet ai, por nuk pranon të zbulojë më shumë detaje rreth largimit të tij nga Turqia.

LEXO EDHE: Opozita, kundër platformës së Veselit

Sikur familja e Mustafës, në këtë qendër janë strehuar edhe shumë familje nga vende të ndryshme, shumica nga Turqia.

Dëbimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova, përkrahës të klerikut Fetullah Gulen, në mars të këtij viti ka bërë që të rritet numri i familjeve nga Turqia që kërkojnë strehim në Qendrën e Lipjanit.

Për gjysmën e parë të këtij viti në Qendrën për Azil në Lipjan janë regjistruar 108 azilkërkues, numër ky shumë më i lartë sesa gjatë gjithë vitit të kaluar.

Gjatë vitit 2017 ishin regjistruar vetëm 81 azilkërkues, përderisa gjatë gjashtë muajve të këtij viti kjo shifër është tejkaluar.

Udhëheqësi i Qendrës për Azil në Magure, Fitim Zariqi, tregon për “Zërin” se ka shumë familje nga Turqia, të cilat edhe pse kanë leje qëndrimi në Kosovë kërkojnë azil në këtë qendër.    

Krejt kjo, sipas tij, po bëhet nga frika dhe pasiguria që kanë këto familje pas rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi në mars të këtij viti.

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe të opozitës për dëbimin e gylenistëve kanë fajësuar presidentin Hashim Thaçi, përderisa ministri i Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefi i AKI-së Driton Gashi u shkarkuan me kërkesë të kryeministrit Haradinaj, i cili dëbimin e gylenistëve e kishte quajtur të papranueshëm dhe në kundërshtim me vlerat dhe me parimet e Kosovës si popull dhe si shtet.

Azilkërkuesit turq banojnë  në shtëpi private

“Tani e kemi një fenomen me shtetasit turq që kanë kërkuar azil, të cilët kanë qenë në Kosovë me lejeqëndrim dhe tani kanë parashtruar kërkesë për azil. Mund të jetë i lidhur me rastin e dëbimit të disa turqve nga Kosova, kemi pasur raste edhe më herët, por kryesisht është rritur pas dëbimit të turqve. Qëllimi i tyre është se duan ta marrin statusin e refugjatit, meqë mendojnë se u garanton më shumë mbrojtje në Kosovë”, tregon Zariqi.                                                               

Shumica e azilkërkuesve turq banojnë në shtëpi private, pasi vetë kanë parashtruar kërkesë për banim privat dhe kjo kërkesë është pranuar nga Qendra, meqë ata kanë mjete financiare që t’i mbulojnë shpenzimet e tyre, por arsyeja e vetme e paraqitjes së tyre si azil është siguria.

Zariqi tregon se fëmijët e azilkërkuesve turq i ndjekin mësimet dhe të gjitha shërbimet e tjera institucionale që u jepen në kuadër të shërbimeve shtetërore.

Shumica e azilkërkuesve, sipas tij, janë kryesisht nga vendet e lindjes ku ka konflikte.                                                                          

Këtë vit, sipas udhëheqësit të kësaj qendre, është rritur numri i azilkërkuesve familjarë, ndryshe prej viteve të kaluara që ishte më shumë individual.                                                                     

Kjo qendër i posedon të gjitha kushtet elementare për azilkërkuesit, duke nisur nga shërbimet juridike, sociale, psikologjike, ushqim, veshmbathje, pako higjienike dhe kurse të ndryshme.

Dhomat janë të ndara në dhoma familjare, dhoma për çifte, por edhe individuale.

Përveç akomodimit, ushqimit e gjërave të tjera elementare, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ndan nga 50 euro në muaj për person, si dhe 85 euro për familje, varësisht nga numri i anëtarëve të familjes.

Shpenzimet buxhetore  për azilkërkuesit

Mbajtja dhe strehimi i këtyre azilkërkuesve i kushton jo pak shtetit të Kosovës, nisur nga standardi i  saj.  

“Nëse i llogarisim të gjitha shpenzimet, siç janë para xhepi, pako higjienike, banim, ushqim, veshmbathje, mjekim etj..., një azilkërkues mund t'i kushtojë buxhetit të Kosovës rreth 20 euro në ditë”, thotë Zariqi. 

Për të hyrë e për të dalë nga kjo qendër gjatë ditës është një rregullore, e cila duhet zbatuar nga azilkërkuesit.                                                                                                                               

Azilkërkuesit pasi të jenë pajisur me letërnjoftim ose me certifikatë lirohen të dalin dhe të hyjnë në Qendër nga 7:00 deri në 22:00.

“Në orën 22:00 në mbrëmje të gjithë duhet të kthehen në Qendër, mirëpo nëse ndonjëri prej tyre dëshiron të qëndrojë më gjatë, atëherë duhet ta parashtrojë një kërkesë që të banojë diku përkohësisht në një banesë ose diku tjetër. Dhe, është një alternativë tjetër në rast se ai ka mjete financiare që t’i mbulojë shpenzimet e tij mund të kërkojë edhe për banim privat të përhershëm derisa të nxirret një vendim lidhur me statusin e tij”, thotë Zariqi.

Megjithatë, asnjëri nga këta azilkërkues nuk e shohin Kosovën si vendqëndrim, po vetëm si një vend transit.

Qëllimi i tyre është që të vazhdojnë rrugën për në vendet perëndimore për të gjetur një vend pune. Kjo qendër është e rezervuar për azilkërkues derisa të nxirret një vendim përfundimtar lidhur me statusin e tyre ose lidhur me kërkesën për azil.

Kursi i gjuhës shqipe mbahet për ata që duan të kenë mundësi të qasen në arsim dhe në shërbime të tjera publike në të ardhmen, por pasi që ta kenë marrë statusin për azil. Zariqi thotë se ka të interesuar për kurs të gjuhës shqipe.

Pasi të mbahet kursi i gjuhës shqipe brenda tre muajve, sipas tij, fëmijët që janë për shkollë duhet të regjistrohen në shkollën që është në afërsi të Qendrës ose në një komunë tjetër ku banon azilkërkuesi.

108 azilkërkues u strehuan në Kosovë për gjashtë muaj

Ushqimi në këtë qendër servohet tri herë në ditë dhe përzgjedhja e tij bëhet nga një përfaqësues i azilkërkuesve.

Larja e rrobave bëhet sipas rregullores së vendosur në derën e dhomës së pastrimit, në të cilën gjenden disa makina të larjes së rrobave. Në këtë derë është e vendosur dita kur do të pastrohet secili lloj i rrobave.

Në kohën kur vizituam këtë qendër shumë pak azilkërkues gjendeshin aty, shumica prej tyre kishin dalë për të shfrytëzuar ditën, ndërsa dhomat e tyre ishin thuajse të zbrazura.

Përveç kushteve elementare, në oborrin e kësaj qendre gjenden edhe vende rekreacioni, ku azilkërkuesit mund të relaksohen gjatë ditës.                                          

Në këtë qendër që nga janari deri më 30 qershor të këtij viti janë strehuar gjithsej 108 azilkërkues. Në muajin janar strehim kanë kërkuar vetëm tre azilkërkues, në shkurt ky numër ka arritur në 30 azilkërkues, derisa në mars numri i atyre që kanë kërkuar azil ka qenë 15.

Muaji prill ka shënuar sërish rritje të numrit të azilkërkuesve deri në 31, në maj azil kanë kërkuar vetëm 9 shtetas të huaj, ndërsa në muajin qershor 20 azilkërkues. Duke i krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017, ku numri i azilkërkuesve ishte vetëm 81 azilkërkues, në vitin 2018 numri i tyre ka shënuar rritje në 108 azilkërkues.                                                                                         

Numri më i madh i personave që kërkojnë azil në Kosovë këtë vit vjen nga shteti i Turqisë, ku për gjashtë muaj 41 turq kanë kërkuar të drejtën e azilit, të pasuar nga Siria me 17 persona, nga Palestina 11 azilkërkues, 10 nga Libia, 8 azilkërkues nga Irani, 6 nga Pakistani, 5 nga Iraku, 4 nga Afganistani, por nuk mungojnë azilkërkues edhe nga Shqipëria, ku gjatë kësaj periudhe janë dy azilkërkues, si dhe nga një azilkërkues nga Afrika e Jugut, Algjeria, Libani dhe Eritre.

Image