Opozita, kundër platformës së Veselit

Aktuale July 16, 2018 - 08:06
Mësoni më shumë detaje

Në fund të javës së kaluar kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka prezantuar një platformë për dialogun me Serbinë, në bazë të së cilës presidenti Hashim Thaçi do të jetë kryenegociator. Por, partitë opozitare kanë dalë kundër kësaj platforme, duke thënë se nuk mund të kërkohet konsensus pa i dëgjuar kërkesat e opozitës, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Subjektet opozitare e vlerësojnë të papranueshme platformën e kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli për dialogun me Serbinë.

Opozitarët vazhdojnë ta vlerësojnë presidentin Hashim Thaçi si të papranueshëm për kryenegociator, ndërsa theksojnë nevojën se për arritjen e konsensusit pushteti duhet t’i dëgjojë edhe kërkesat e opozitës dhe të mos dalë me platforma të tilla të njëanshme.

LEXO EDHE: “Ethet” e liberalizimit

Ndërsa analistët politikë thonë se platforma për dialogun nuk duhet të flasë për emrat se cilët e udhëheqin këtë proces, porse në të përcaktohen konturat e bisedimeve ose pozicioni i Kosovës karshi dialogut, shkruan më tutje "Zëri".

Sipas tyre, as pushteti dhe as partitë opozitare nuk janë të interesuara që të arrihet konsensusi për dialogun me Serbinë.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, njëherësh edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se ky dokument do të shërbejë për arritjen e konsensusit.

“Unë besoj shumë që ai dokument do të jetë vetëm një nismë e mbarë e ndërtimit të një konsensusi të përgjithshëm, të cilin e kam ofruar, në mënyrë që të gjithë bashkërisht pozitë dhe opozitë të jemi në procesin e dialogut dhe në të njëjtën kohë në finalizimin e procesit për anëtarësim në OKB për shtetin tonë të pavarur dhe sovran. Kjo tek e fundit është arsyeja pse shkojmë në dialog”, është shprehur Veseli.

Gashi: Pushteti duhet t’i dëgjojë kërkesat e opozitës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Arben Gashi ka thënë për “Zërin” se propozimi i platformave të tilla si ajo e Qeverisë dhe tani kjo e Veselit janë vetëm sa për ta fituar vëmendjen e publikut.

Ai ka thënë se pushteti nuk mund ta imponojë platformën për dialogun.

“Kjo më tepër është shndërruar në betejë për ta fituar vëmendjen e publikut me këto dokumente të pavlera sesa që ka një vullnet real për konsensus politik, sepse partitë e pushtetit nuk mund ta imponojnë në këtë formë platformën nëpërmjet partisë, por duhet të tentohet që platforma të bëhet nëpërmjet konsensusit”, ka deklaruar Gashi.

Ai më tej ka thënë duhet të dëgjohen edhe kërkesat e opozitës.

“Duhet të dëgjohen se cilat janë kërkesat e opozitës. Por përderisa pushteti kërkon mbështetjen e opozitës, pra derisa kërkon që opozita të jetë pjesë e platformës duhet t’i marrë edhe qëndrimet e opozitës. Është qasje e gabuar. Kjo e dëmton edhe mundësinë e arritjes së konsensusit dhe e dëmton edhe interesin e vendit”, është shprehur Gashi.

Në fund ai ka thënë se dialogu nuk mund të vazhdojë pa marrjen e legjitimitetit nga Kuvendi.

Selimi: Platformat prezantohen për t’i fshehur dështimet e mëdha

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi ka thënë se platformat e tilla po përmendën vetëm sa për t’i fshehur dështimet e deritanishme.

Sipas tij, dialogu me Serbinë është nisur keq dhe do të ketë epilog të tillë.

“Termet e mëdha si platformë, strategji e të tjera thjesht janë terme të mëdha për të kamufluar dështimin e madh. Epilogu i këtij procesi nuk ka sesi të jetë ndryshe, veçse siç është nisur, shumë keq. Jo se kush do t’i prijë ose se kush nuk do t’i prijë këtij dialogu është më e rëndësishmja. Më e rëndësishmja është se për çka është folur deri më tani dhe cilat janë marrëveshjet, që pothuajse janë përgatitur në fshehtësi të plotë jo vetëm të opozitës, por edhe të qytetarëve”, ka theksuar Selimi.  

Deputeti i Vetëvendosjes më tej ka thënë për “Zërin” se marrëveshjet janë dizajnuar që të jenë përfunduar fshehur Kuvendit, fshehur opinionit dhe opozitës.

Sipas tij, krejt ajo që po ndodh është sesi pushteti ta paketojë atë që është dëm i madh për Kosovën.

Selimi në fund ka thënë se pushtetarët edhe në të kaluarën kanë ditur ta shmangin Kuvendin nga proceset e rëndësishme.

“Në fakt ata kanë ditur ta shmangin Kuvendin, kanë mundur ta shmangin Kuvendin, madje edhe dhunshëm, sepse kështu e kanë shmangur edhe në prill të 2013-ës në kohën e marrëveshjeve të këqija. Ata as që e llogarisin ndryshe Kuvendin në këtë çështje, veçse mjet për t’i legjitimuar të këqijat që ia kanë bërë Kosovës”, ka përfunduar Selimi.  

Synohet mbajtja e një seance të jashtëzakonshme para vazhdimit të dialogut

Deputetja e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina, ka thënë se qëndrimi i kësaj partie është i qartë se Kuvendi duhet të udhëhiqet nga Kuvendi.

“Qëndrimi ynë tashmë është i qartë, dialogun duhet ta udhëheqë Kuvendi, gjegjësisht Kuvendi duhet ta zgjedhë ekipin i cili do të dialogojë, pra përgjegjësia dhe e drejta duhet t’i kalojë Kuvendit”, ka theksuar Pantina.

Ajo më tej ka thënë për gazetën “Zëri” se kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për të diskutuar për fazën finale të dialogut. Sipas saj, sot do të mblidhen nënshkrimet e nevojshme.

“Ende nuk i kemi kompletuar nënshkrimet për thirrjen e seancës, besoj se të hënën do të arrijmë t’i mbledhim nënshkrimet e nevojshme”, ka deklaruar Pantina.

Sipas saj, asnjë çështje nuk duhet të negociohet pa pëlqimin paraprak të Kuvendit. Madje deputetja e PSD-së ka thënë se shpreson që pushtetarët kanë marrë mësim nga marrëveshjet që janë nënshkruar në të kaluarën.

“Shpresoj se krerët e institucioneve nuk do t’i bëjnë gabimet që i patën bërë në mandatin e kaluar, që e shfrytëzuan periudhën kur Kuvendi ishte në pushim dhe nënshkruan marrëveshje për të cilat pastaj dihet se si kanë rrjedhur ngjarjet. Kryeministri Haradinaj ka qenë njëri nga udhëheqësit e protestave kundër atyre marrëveshjeve, kështu që dua të besoj se ai nuk do t’i bëjë të njëjtat gabime”, ka shtuar Pantina.  

Tahiri: As pushteti dhe as opozita nuk duan konsensus

Politologu Ramush Tahiri ka thënë se nuk pret arritjen e konsensusit të brendshëm politik për çështjen e dialogut.

Kjo pasi, sipas tij, as pushteti dhe as opozita nuk janë të interesuara për konsensus.

“Nuk pres që do të ketë konsensus për dialog. Duket se nuk ka vullnet nga asnjëra palë. Duket që koalicioni nuk është i interesuar që t’i ndajë jo vetëm përgjegjësitë, por edhe obligimet me partitë opozitare, sepse çështjen e dialogut po e ndajnë edhe për supermaci partiake. Gjithashtu opozita nuk është e interesuar të marrë pjesë në dialog derisa nuk e ristrukturon pozitën e vet, pra derisa nuk bëhet pjesë e Qeverisë. Dhe dëshiron ta denigrojë pushtetin për dialogun e deritashëm”, ka vlerësuar Tahiri.  

Më tej ai ka folur për përmbajtjen që duhet të ketë një platformë.

“Platforma që propozohet nuk duhet të parashihet se kush do ta udhëheqë dialogun. Platforma para se gjithash është një dokument bazë me të cilin përcaktohen konturat e bisedimeve ose pikëpamjet, ose pozicioni i Kosovës karshi dialogut. Por në qoftë se në kuadër të parimeve hyn edhe personi ose funksionari që duhet ta udhëheqë, atëherë nuk është platformë”, ka deklaruar Tahiri për “Zërin”.  

Sipas tij, për ta arritur një marrëveshje të qëndrueshme ajo duhet të kalojë në Kuvend me dy të tretat e votave dhe t’i ketë të gjitha karakteristikat e marrëveshjes ndërkombëtare.