Ismail Kadare në gjendje të rëndë shëndetësore, shtrihet në spital

Aktuale July 14, 2018 - 15:36
Lexo detajet

Gjeniu i letrave shqipe, shkrimtari Ismail Kadare ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur shkrimtari, Arti Lushi.

“Miq, më vjen keq të ndaj një lajm të hidhur me ju. Sapo më njoftuan nga spitali Arnand Trouseau në Paris që shkrimtari ynë kombëtar, Ismail Kadare ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Uroj që Zoti t’u japë forcë e kurajo familjarëve dhe të afërmëve, e mbi të gjitha qetësinë për të pranuar vullnetin e epërm”, shkruan Lushi, shkruan 27.al7

Ismail Kadare (lindur më 1936) është një ndër shkrimtarët kryesorë bashkëkohorë, ish-deputet dhe zv/kryetar i Frontit Demokratik. Ai shquhet kryesisht për prozë, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe ese. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në mbi dyzetepesë gjuhë të botës.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; më 2005 fitoi Man Booker International Prize, më 2009 çmimin “Prince of Asturias Awards” për Artet, kurse në vitin 2015 Çmimin Jeruzalem, e më 2016 presidenti francez ia ndau titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”.

Viteve të fundit, ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë. Me pëlqimin e tij, duke filluar nga viti 2015, fondacioni Mapo filloi të ndajë çmimin “Kadare” për letërsi.

Kadare njihet si shkrimtar i cili në veprat e tij në mënyrë të qëllimshme u shmang nga realizmi socialist, dhe si i tillë veprat e tij u përkthyen dhe u lavdëruan nga kritikët dhe lexuesit anembanë botës. Ai krijoi një vepër me karakter universal por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare.

Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit të 20-të, si dhe një zë universal kundër totalitarizmit.