Lugina e Preshevës aprovon deklaratë politike drejtuar Kosovës (video)

Aktuale July 14, 2018 - 14:16
Lexo detajet

Këshilltarët shqiptarë në kuvendet komunale të komunës Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë aprovuan një deklaratë politike përmes të cilit kërkojnë realizimin e plotë të të drejtave kolektive të shqiptarëve, konform standardeve më të larta të parapara me dokumentet përkatëse të OKB-përfaqësim të interesave të tyre në dialogun Prishtinë-Beograd që do të mbahet në Bruksel.

Kuvendi i këshilltarëve komunal shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nuk ka karakter institucional por jozyrtarisht paraqet një institucion uniteti politik të shqiptarëve në këtë rajon, shkruan Titulli.com.

Seanca u mbajt në sallën e shtëpisë së kulturës në Bujanoc e udhëhequr nga kryetari i kuvendit komunal në Bujanoc, Adnan Salihu dhe kryetari i kuvendit komunal në Preshevë Sami Salihu dhe nga 68 këshillatër sa kanë kuvendet komunale të tre komunave morën pjesë mbi 51.

Në mars të vitit 2013 ishte mbajtur seanca e tre kuvendeve në komunë të Preshevës dhe patën aprovuar planin shtatëpikësh apo dokumentin  “Masat e domosdoshme për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”./Titulli.com/

Ky është dokumenti i aprovuar nga këshillëtarët shqiptarë në Bujanoc

Ne, përfaqësuesit e shqiptarëve të tre Kuvendeve Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, konsiderojmë se në rrethanat kur :

• Vendet e Ballkanit Perëndimor gjenden në procesin e pakthim drejt integrimit në Bashkimin Evropian • Dialogu i Brukselit, mes Kosovës dhe Serbisë po hyn në fazën finale drejt nënshkrimit të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse (juridikisht të obligueshme për të dyja palët)

• Lugina e Preshevës vazhdon të mbetet rajoni më i diskriminuar dhe ekonomikisht më i pazhvilluar, si pasojë e politikës diskriminuese shtetërore të Serbisë,

Në mbështetje të: - Deklaratës Universale për të drejtat e njeriut (1948), - Konventës Kornizë të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave, - Konventës Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, - Referendumit të 1 dhe 2 Marsit të vitit 1992, - Marrëveshjes së Konçulit (2001), - Platformës politike Janarit të vitit 2006, - Masave urgjente për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve (Plani 7 pikësh) të Marsit (2013), - Rezolutës së Parlamentit të Republikës së Kosovës Majit (2013), - Vendimit mbi formimin e Asociacionit të shqiptarëve në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë të Shtatorit të vitit 2015.

Kuvendi i Këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, mbajtur më 14 korrik 2018 në Bujanoc, aprovon këtë:

DEKLARATË POLITIKE:

Realizimin e plotë të të drejtave kolektive të shqiptarëve, konform standardeve më të larta të parapara me dokumentet përkatëse të OKB-së, Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës si dhe praktikave përkatëse a) (Ishujt Olland, Tiroli Jugor dhe në Kosovë);

b) Ngritja substanciale e Monitorimit të vazhdueshëm Bashkësisë ndërkombëtare me qëllim të vlerësimit real të pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës;

c) Nga të gjitha palët pjesëmarrëse në dialogun e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përfshihet edhe statusi politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe zgjidhja të kërkohet me aplikimin e parimit të RECIPROCITETIT, me të drejtat e serbëve në veri të Republikës së Kosovës.

Kuvendi konstaton që pa normalizimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës nuk mund të ketë normalizim të mirëfilltë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Prandaj, Kuvendi i Këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës kërkon nga Parlamenti, Presidenti dhe Qeveria e Republikës së Kosovës angazhim në funksion të realizimit të kërkesave politike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës të parashtruara me dokumentet përkatëse në këtë Deklaratë.