Aktuale

"Pikë e pesë" për dialogun

14 korrik 2018 • 07 : 42 Foto: Laura Hasani

Lexo tjera detaje

Arbesa Ibrahimi

Pak ditë para se të nisë takimi i dytë në kuadër të fazës finale të dialogut kanë nisur përpjekjet e krerëve institucionalë për ta gjetur një opsion të pranueshëm për këtë etapë të negociatave me Serbinë. Gjatë së premtes tre krerët shtetërorë: presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryekuvendari Kadri Veseli, bashkë me zëvendëskryeministrat Behgjet Pacollin, Fatmir Limajn e Dardan Gashin, janë takuar për këtë çështje. Zyrtarët qeveritarë kanë thënë se lideri i Nismës, Fatmir Limaj, do t’i bashkohet Thaçit në takimin e javës së ardhshme në Bruksel, shkruan sot Gazeta "ZËRI".

Pavarësisht këtyre takimeve, AAK-ja (pjesë e koalicionit) tashmë ka iniciuar një rezolutë për ndërprerjen e dialogut me Serbinë. Zyrtarë të këtij subjekti kanë thënë se vazhdimi i dialogut pa u hequr vizat me BE-në mbetet krejtësisht i pakuptimtë. Por, një rezolutë e tillë nuk ka gjetur ende përkrahje te partitë e tjera të koalicionit. Në anën tjetër, përderisa PSD-ja tashmë ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për një seancë të jashtëzakonshme rreth dialogut, LVV-ja dhe LDK-ja po vazhdojnë të mbesin kundër vazhdimit të dialogut kështu si ka nisur.

Propozimi i Veselit për fazën finale të dialogut

Gjatë takimit të djeshëm të krerëve institucionalë kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ua ka dorëzuar pjesëmarrësve një projekt-dokument lidhur me fazën finale të dialogut me Serbinë. Në këtë dokument theksohet fakti që negociatat do të udhëhiqen prej presidentit Hashim Thaçi. Po ashtu janë bërë të ditura vijat e kuqe që pala kosovare duhet t’i ketë në këtë proces, duke përfshirë këtu pikën ku thuhet se nuk do të ketë negociim mbi shtetësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

I pyetur nëse është arritur një marrëveshje në mes partive të koalicionit qeverisës, shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka mohuar një gjë të tillë. 

“Jo, kjo nuk është e vërtetë. Kushdo që takimet e partnereve të koalicionit, të cilat mbahen rregullisht në funksion të gjetjes së formulës për të krijuar një konsensus sa më të gjerë politik, pozitë-opozitë i interpreton si arritje të marrëveshjes, gabon rëndë. Prandaj, ajo që tani mund t’ju them është se ne ende nuk kemi arritur te një marrëveshje, e cila do të reflektonte konsensus sa më të gjerë”, ka theksuar Sherifi për “Zërin”.  

Ndërkaq, ka thënë se Nisma ende nuk ka marrë vendim sa i përket rezolutës së iniciuar nga AAK-ja për ndërprerjen e dialogut.

Kadriaj: Pa viza s’ka kuptim të vazhdojë dialogu

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj gjatë ditës së djeshme është deklaruar rreth kërkesës së AAK-së për ta ndërprerë dialogun derisa të jepet një vendim për vizat. Me këtë rast shefi i ekzekutivit ka bërë të ditur se e respekton këtë kërkesë, por ai ka thënë se pret që të mos ketë nevojë fare për një gjë të tillë.

Ndërkaq teksa ka folur rreth kësaj, deputetja e AAK-së Time Kadriaj ka thënë se nuk ka kuptim që të vazhdojë dialogu me Serbinë pa u hequr vizat.

“Aleanca e ka parashtruar rezolutën sepse Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe duhet të ketë liberalizim. Nëse nuk kemi liberalizim është e pakuptimtë që të vazhdohet dialogu”, ka deklaruar ajo për “Zërin”. 

Sipas saj, në procesin e dialogut duhet të kenë rol të gjitha partitë politike

Reçica: Ndërprerja e dialogut nuk varet vetëm nga ne

I pyetur nëse PDK-ja e mbështet kërkesën e AAK-së rreth ndërprerjes së dialogut, deputeti i PDK-së Elmi Reçica është shprehur skeptik nëse mund të kenë ndikim nismat e tilla. Sipas tij, partnerët e koalicionit do të koordinohen javën që vjen rreth dialogut.   

“Jo veç liberalizimin, por do të kërkonim edhe njohjen nga Serbia si kusht dhe të gjitha të tjerat, por problemi është se sa kemi mundësi për të ndikuar. Ne jemi partnerë të koalicionit, do të koordinohemi javën që vjen dhe sigurisht që do të kemi një qëndrim të përbashkët”, ka potencuar ai.

Reçica më tutje ka thënë se ndërprerja e dialogut nuk varet vetëm nga pala kosovare.

“Nuk varet vetëm nga ne ndërprerja e dialogut. Janë të involvuara shumë palë dhe sigurisht që do të duhej të konsultohemi ne brenda Kosovës dhe pastaj me palët e përfshira në dialog”, ka shtuar ai.

Kurteshi: LVV-ja është kundër fillimit të dialogut

Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka thënë se LVV-ja është kundër dialogut me Serbinë. Sipas tij, përderisa LVV-ja kërkon që dialogu të mos fillojë fare AAK-ja po kërkon që ky proces të ndërpritet.

“LVV-ja është kundër fillimit të dialogut, jo kundër ndërprerjes. Shkuarja e Thaçit nëse konsiderohet fillim i dialogut për ne është ilegal, sepse është i paautorizuar prej Kuvendit. Ne jemi kundër që dialogu të fillojë me njerëz të paautorizuar dhe pa platformë, kurse ajo që ka kërkuar AAK-ja është diçka tjetër, por që në të njëjtën formë të shtyhet dialogu për një kohë”, është shprehur Kurteshi.

Pavarësisht kësaj, Kurteshi ka vlerësuar se konsensusi është i mundur të arrihet po që se përfillet fakti që Kuvendi është institucioni më i lartë për vendimmarrje. Në të kundërtën, sipas tij, konsensusi do të jetë i pamundur.

Salihu: Platforma dhe kryenegociatori duhet të dalin nga Kuvendi

Në anën tjetër, deputeti i PSD-së Salih Salihu ka thënë se PSD-ja ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme pasi, siç ai është shprehur, edhe platforma për dialogun, edhe kryenegociatori duhet të dalin nga Kuvendi.  

“Duhet të mbahet një seancë e jashtëzakonshme sa i përket dialogut. Mendimi ynë është që çdo njeri i cili e udhëheq këtë proces duhet ta marrë bekimin e Kuvendit. Por, çdo njeri që vendos jashtë Kuvendit nuk e ka të drejtën të flasë për çështjet madhore siç është dialogu me Serbinë”, ka deklaruar Salihu. Sipas tij, duhet të arrihet një konsensus në mes partive politike sa i përket fazës përmbyllëse të negociatave me Serbinë.

Kurse Jeta Krasniqi, menaxhere e projektit të dialogut në kuadër të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), ka vlerësuar se arritja e një konsensusi të gjerë politik është më se i nevojshëm. Sipas saj, pala kosovare duhet t’i përcaktojë vijat e kuqe dhe t’i japë legjitimitet procesit të dialogut.

Sipas Krasniqit, mbetet shumë e rëndësishme thirrja që ka bërë PSD-ja për të iniciuar një seancë të jashtëzakonshme për çështjen e dialogut.

“Ne ende nuk e kemi të qartë se çka presim nga ky proces. Ndërkohë, kemi një skenë të fragmentarizuar politike, takimet po vazhdojnë dhe pastaj në këtë fazë mund të arrijmë edhe te një marrëveshje, që mund të mos e gjejë edhe mbështetjen e Kuvendit”, ka potencuar ajo.

© zëri.info