Limaj: S'ka ekip negociator, në Bruksel e takojmë vetëm Mogherinin, jo Vuçiqin

Aktuale July 13, 2018 - 20:10
Lexo detajet

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ka folur për Express lidhur me shkuarjen e tij në Bruksel me më 18 korrik së bashku me presidentin Hashim Thaçi dhe përafrues të tjerë të shtetit. Ai ka thënë se nuk është formuar asnjë Ekip Negociator, duke bërë me dije se në Bruksel po shkojnë për të treguar se janë të bashkuar për hir të Kosovës. Thotë se në takimin që është bërë me përafruesit e koalicionit qeverisës nuk është diskutuar fare formimi i Grupit Negociator. Limaj ka dhënë detaje edhe për takimet që do të ndodhin në Bruksel.

“ Nuk është asnjë bindje apo diçka e tillë. Ne të mërkurën do të udhëtojmë si përfaqësues të shtetit  dhe ky nuk është ndonjë Ekip Negociator. Ne edhe sot në takimin që e kemi zhvilluar me përfaqësuesit e koalicionit qeverisës nuk kemi fol për Ekip Negociator, jemi pajtuar që në Bruksel të shkojmë si përfaqësues të shtetit dhe te flasim atje për çështjet e vendit. Do të flitet kryesisht për vizat dhe tema të tjera. Shkuarja në Bruksel ka të bëjë me faktin se ne si shtet i Kosovës po tregojmë se jemi për dialog dhe se nuk jemi kundër dialogut ”, ka thënë Limaj.

Limaj ka thënë se Ekip Negociator do të bëhet kur të votohet ai në Kuvendin e Kosovës.

“Në presim që në ditët në vazhdim mes bisedimeve mes pozitës dhe opozitës të behët Grupi Negociator dhe me pas të fillojë dialogu me Serbinë. Pasi të behët ky Grup ne edhe do të flasim për tema konkrete në Bruksel”.

Ai ka treguar për Express se të mërkurën ata do të takohen vetëm me Frederica Mogherini , por jo edhe me Aleksandër Vuciqin.

“ Jo, jo. Ne nuk do te takohemi me Vuciqin. Ne do të takohemi vetëm me Mogherinin më të cilën do të flasim për shumë tema që janë në të mirë të qytetarëve të vendit”.

Limaj është i bindur se nga Brukseli do të sjellin lajme të mira për qytetarët e Kosovës.

“ Do të kthehemi me lajme të mira për vendin. Do të këtë lajme të mira për qytetarët sa i përket çështjes së vizave”.  

 Pak orë më parë  udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës: Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli,  Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe zëvendëskryeministri dhe Ministër për Diasporë dhe Investime Strategjike, Dardan Gashi, sot në një takim të përbashkët, vendosën që të mërkurën, më 18 korrik, të takojnë Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini në Bruksel.