LDK-ja me dy qëndrime për zgjedhjet

Aktuale July 13, 2018 - 07:45
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Nënkryetarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë dalë me qëndrime të ndryshme sa i përket kërkesës për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Derisa Lutfi Haziri ka thënë se ka evoluar qëndrimi i LDK-së dhe se tani duhet të ketë zgjedhje, Agim Veliu ka thënë se nuk ka ndonjë ndryshim në qëndrimin e LDK-së, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka qëndrim të unifikuar sa i përket kërkesës për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Përderisa nënkryetari i kësaj partie Lutfi Haziri ka thënë se qëndrimi i LDK-së ka evoluar dhe se tani kërkojnë që zgjedhjet të mbahen para se të vazhdojë faza finale e dialogut me Serbinë.

LEXO EDHE: Deda: Thaçi po diskuton për ndarje të Kosovës

Nënkryetari tjetër i LDK-së Agim Veliu ka thënë se qëndrimi i kësaj partie nuk ka ndryshuar.

Veliu ka thënë se varësisht nga ndryshimi i rrethanave struktura e LDK-së do të vendosë nëse do të iniciojnë ndonjë mocion për rrëzimin e Qeverisë.

“Kërkesa e LDK-së ka evoluar, duam zgjedhje politike para dialogut. Për Kryesinë e LDK-së legjitimiteti i dialogut po vihet në pikëpyetje”, ka deklaruar Lutfi Haziri në një debat televiziv.

Por, një qëndrim të tillë nuk e ka edhe nënkryetari tjetër i LDK-së, Agim Veliu. Ai ka thënë për gazetën “Zëri” se nuk ka asgjë të re në qëndrimin e LDK-së.

“Përveç atyre që i kemi thënë publikisht në paraqitje nuk ka diçka të re. Për të ardhmen nuk e di se çka do të iniciojmë, por sigurisht se do të ulemi të diskutojmë dhe varësisht prej situatave marrim vendime”, është shprehur Veliu.

Deda: Opozita i ka 57 deputetë, na duhen 61 për rrëzimin e Qeverisë

Deputeti i Alternativës Ilir Deda ka thënë se rrëzimi i Qeverisë është punë matematike dhe se në momentin që sigurohen 61 deputetë kundër pushtetit, atëherë bie Qeveria.

“Por, ne si opozitë i kemi 57 deputetë. Qeverinë duhet ta rrëzojmë në Kuvend nëse i bëjmë 61. Unë nuk e kam parë asnjë iniciativë të partive të mëdha opozitare që të tentohet të mbërrihet 61-shi”, ka deklaruar Deda në një intervistë për gazetën “Zëri”.

Për më tepër, sipas tij, tani është më e pamundur shkuarja në zgjedhje, pasi veç ka filluar faza finale e dialogut me Serbinë.

“Në Kosovë nuk ka pasur kurrë diçka konkrete, gjithçka ka qenë kaotike, ad-hoc në vendimmarrje. Ne nuk jemi mësuar me qenë vend i rregullt, i cili i respekton rregullat, nuk ekziston asgjë në politikën e Kosovës. Ky është kaos. Jokonsistencë. Për alternativën është me rëndësi t’i dimë disa pika: me çfarë ligji zgjedhor do të shkojmë në zgjedhje, cila është oferta opozitare nëse shkohet në zgjedhje, me kë prej Qeverisë duhet ta rrëzojmë Qeverinë... dhe në fund nëse shkojmë në zgjedhje të shpejta, atëherë kush e udhëheq dialogun me një Qeveri tjetër”, ka shtuar Deda.

Vetëvendosja: Haradinaj ta kërkojë votën e deputetëve që e përkrahin

Ndërsa Tinka Kurti, zëdhënëse në Lëvizjen Vetëvendosje në një përgjigje për gazetën “Zëri” ka vlerësuar se Qeveria aktuale ka humbur çfarëdo legjitimiteti. Vetëvendosja ka numëruar disa nga skandalet e ekzekutivit, të cilat sipas opozitarëve po e dëmtojnë vendin.

“Nga humbja e 8200 hektarëve me Demarkacionin, numri i madh i pashembullt i zëvendësministrave e koordinatorëve qeveritarë, dyfishimi i kundërligjshëm i pagave, dëbimi i gjashtë turqve, 53 milionë euro ‘Bechtel & Enka’-s pa bërë asnjë punë, falimentimi i PTK-së, kontrata kapitulluese me ‘Contour Global’-in, emërimi i aparatçikëve në krye të ndërmarrjeve publike e deri te mbajtja peng dhe dëmtimi i ‘Trepçës’ dhe themelimi i ekipit për krijimin e ‘Zajdenicës’, janë vetëm disa nga dëshmitë se çdo ditë më shumë me këtë Qeveri është një ditë më shumë e humbur për vendin”, ka thënë Tinka Kurti, zëdhënëse e lëvizjes “Vetëvendosje”.

Partia e Albin Kurtit vlerëson se zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja zgjidhje për t’ia dhënë vendit dhe qytetarëve një Qeveri legjitime, efikase dhe zhvillimore.

“Kjo Qeveri është në krizë legjitimiteti të shumëfishtë. Në rastin më të mirë të saj koalicioni i pakicës arrin të mbledhë 52 deputetë në Kuvend, ndërkohë që minimumi kushtetues i një mazhorance është 61 deputetë. Koalicioni aktual duhet të dëshmojë veten në Kuvend përmes institutit kushtetues të vetëbesimit. Le të vijë kryeministri Haradinaj dhe të kërkojë votën e deputetëve që e mbështesin Qeverinë e tij, ashtu siç parashihet me Kushtetutë”, tha në fund Tinka Kurti.   

Kurse deputeti i Partisë Socialdemokrate Sali Salihu ka thënë se LDK-ja dhe Vetëvendosja po dalin me deklarata populiste, porse nuk po ndërmarrin asnjë hap për rrëzimin e Qeverisë. Ai ka thënë për “Zërin” se nëse rrëzimi i qeverisë “Haradinaj” varet nga vota e PSD-së, atëherë kjo parti do ta japë votën për rrëzim.

“Në momentin që ata i mbledhin votat e tjera dhe u duhen edhe votat e PSD-së për rrëzimin e Qeverisë, atëherë do t’i kenë votat tona. Por, mendoj se vetëm po japin deklarata populiste pa ndërmarr asnjë hap në këtë drejtim”, është shprehur Salihu.

Megjithatë, sipas tij, vetëm me votat e opozitës nuk është i mundshëm rrëzimi i Qeverisë.

“Nuk besoj se është i mundshëm rrëzimi i Qeverisë nëse këtë nuk e dëshiron edhe ndonjëri prej partnerëve të koalicionit, pasi partitë opozitare nuk i kanë 61 vota për votimin e mocionit ndaj Qeverisë”, ka shtuar Salihu.

Haxhiu: Po bëhet garë mes Hazirit e Hotit brenda LDK-së

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Teuta Haxhiu, duke komentuar deklaratat e nënkryetarit të LDK-së Lutfi Hazirit ka thënë se gara e brendshme për kryetar të LDK-së po tentohet të bartet edhe në nivel të shtetit.

“Sigurisht se kryetari i Gjilanit e ka fjalën për zgjedhjet brenda LDK-së dhe kjo po vërehet edhe në Kuvendin e Kosovës. Gara e tyre e brendshme po tentohet të reflektohet, por në fakt nuk po reflektohet te Qeveria. Ata po bëjnë garë për të parin e LDK-së dhe u urojmë zgjedhje të lira e demokratike brenda LDK-së”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka thënë për “Zërin” se LDK-ja nuk ka forcë dhe as nuk do të ndërmarrë ndonjë hap për rrëzimin e Qeverisë.

“As nuk kanë forcë dhe as nuk marrin mundin për të iniciuar diçka, pasi po shihet se është garë në mes të Lutfi Hazirit dhe shefit të Grupit Avdullah Hotit dhe këto po shihen edhe nga qytetarët”, ka shtuar bashkëpartiakja e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Tahiri: Qeveria nuk bie pa votat e partive në pushtet

Kurse politologu Ramush Tahiri ka sqaruar se cilat janë rrugët kushtetuese për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Mënyrat për të shkuar në zgjedhje janë përmes shpërndarjes së Kuvendit me dy të tretat e votave dhe pastaj shpallen zgjedhjet. Tjetër mënyrë është nëse jep dorëheqje kryeministri ose nëse rrëzohet Qeveria përmes votës së së paku 61 deputetëve. Dhe deri më tani asnjëra prej këtyre iniciativave nuk është marrë”, ka deklaruar ai.

Ai më tej ka thënë se për subjektet opozitare nuk janë unike dhe se nuk i kanë votat e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë.

Sipas Tahirit, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë nëse opozita nuk e ka përkrahjen e ndonjërit prej partnerëve të koalicionit.

“Opozita deri më tani nuk është e unifikuar sa i përket kësaj teme dhe as nuk është bërë ndonjë hap në këtë drejtim. Dihet se momentalisht as koalicioni qeverisës dhe as opozita nuk i kanë 61 vota në Kuvend. Kështu, për rrëzimin e Qeverisë duhet që përveç opozitës të votojnë edhe partitë e tjera. Na kujtohet rrëzimi i qeverisë “Mustafa”, kur vetëm LDK-ja ishte kundër rrëzimit”, ka përfunduar Tahiri.