Vetëvendosje përkrahë AAK-në

Aktuale July 12, 2018 - 19:19
Lexo detajet

Vetëvendosje ka vendosur që t’a përkrahë nismën e AAK-së, që liberalizimi i vizave të vihet përpara dialogut me Serbinë.

Kështu ka thënë për “Gazeta Blic”, Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.

Nagavci thotë se VV e mbështet nisëm e AAK, por, i duket absurd, arsyetimi se duhet të pritet për liberalizim.

“Ne si Vetëvendosje e kemi shprehur qëndrimin tonë për dialogun dhe ne jemi kundër që këto biseda të vazhdojnë të mbahen në këtë mënyrë, mes presidentit Thaçi dhe atij të Serbisë. Ajo çka është e rëndësishme është se duhet të ketë një vlerësim se si ka shkuar procesi i dialogut gjatë gjithë këtyre viteve, pra ne e mbështesim kërkesën për ndërprerje të dialogut, por, arsyetimi i cili është dhënë në të dyja rastet është krejtësisht absurd, ne nuk mund të kërkojmë apo insistojmë vetëm që të presim liberalizimin e vizave”, ka deklaruar ajo për Gazeta Blic.

Deputetja e Vetëvendosjes, kërkoi që për procesin e dialogut Kosovë- Serbi të ketë konsensus të përgjithshëm.

“Ne mendoj pra që i gjithë ky proces duhet të vlerësohet të ketë një konsensus të përgjithshëm shoqërorë ku ne vendosim për rrugën përpara”, tha ajo.

“Gazeta Blic”, gjatë ditës së sotme ka raportuar se Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka proceduar në Kryesi, rezolutën për ndërprerjen e dialogut me Serbinë derisa të ndodh liberalizimi i vizave.

E Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi ka thënë se nuk beson që ndonjë deputet do t’i thotë jo kësaj projekt-rezolute.

“Është e ditur dhe e njohur tashmë që Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara nga BE për liberalizimin e vizave dhe grupi jonë parlamentar kërkon që të mos vazhdohet dialogu deri në liberalizim”, ka thënë ajo.