Për një vit në Kosovë u kurorëzuan mbi 17 mijë qifte-bashkëshortore

Aktuale July 12, 2018 - 15:25
Lexo detajet

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), publikuar në raportin “Statistikat e Kurorëzimeve në Kosovë, viti 2017”, brenda këtij viti në vendin tonë janë kurorëzuar mbi 17 mijë qifte-bashkëshortore.

Kurorëzimet sipas grup-moshave, dominojnë femrat e moshës 20-24 vjeçare me 5,500 ose 32.1 për qind, ndërsa te meshkujt dominon mosha 25-29 vjeçare me 5,278 ose 30.8 për qind nga tërësia e kurorëzimeve.

“Në Kosovë në vitin 2017 janë kurorëzuar 17,112 qifte-bashkëshortore. Sipas përbërjes etnike del se me përkatësi etnike shqiptare janë kurorëzuar 93.3 për qind femra dhe 95.7 për qind janë meshkuj; me përkatësi etnike serbe janë kurorëzuar 0.9 për qind femra dhe 0.9 për qind meshkuj; me përkatësi etnike turke janë kurorëzuar 0.3 për qind femra dhe 0.4 për qind meshkuj; me përkatësi etnike boshnjake janë kurorëzuar 1.3 për qind femra dhe 1.2 për qind meshkuj; me përkatësi etnike rome, ashkali dhe egjiptiane janë kurorëzuar 1 për qind femra dhe 1 për qind meshkuj; kurse me përkatësi tjetër etnike janë kurorëzuar 3.1 për qind femra dhe 0.7 për qind meshkuj”, thuhet në raportin e ASK-së, përcjell Telegrafi.

Mosha mesatare e të martuarve ishte 30 vjeç. Prej tyre, mosha mesatare e meshkujve ishte 32 vjeç, ndërsa mosha mesatare e femrave ishte 28 vjeç.

Prizreni zë vendin e parë në Kosovë me 1 594 kurorëzime ose 8.6 për qind, ndjekur nga Prishtina me 1,420 kurorëzime ose 7.6 për qind dhe Ferizaj me 1,047 kurorëzime ose 5.6 për qind nga tërësia e kurorëzimeve.

Sipas përgatitjes shkollore, dominojnë femrat dhe meshkujt me shkollë të mesme. Numri i femrave të kësaj kategorie është 10,946 kurorëzime ose 64 për qind dhe numri i meshkujve është 12,312 ose 71.9 për qind. /Telegrafi/