PSD-ja nis mbledhjen e nënshkrimeve për këtë çështje

Aktuale July 12, 2018 - 14:46
Lexo detajet

Nënkryetari i Partisë Social Demokrate (PSD), Visar Ymeri ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme për fazën finale të dialogut me Serbinë, shkruan “Zëri.info”.

Përmes llogarisë së tij në “Facebook”, Ymeri ka njoftuar se PSD-ja ka nisur sot mbledhjen e nënshkrimeve që të thirret kjo seancë me datë 16 korrik 2018 nga ora 11:00. /Zëri

Postimi i plotë i Ymerit:

Me propozimin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate, sot kemi nisë mbledhjen e nënshkrimeve për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme me 16 korrik 2018 nga ora 11:00 në lidhje me fazën finale të dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Muajin e kaluar në Bruksel, pa marrë pëlqimin e Kuvendit, dhe pa platformë shtetërore të miratuar nga Kuvendi, është zhvilluar takimi i nivelit të lartë ndërmjet Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi dhe Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq. Në ndërkohë, nga Zyra e përfaqësues së lartë e Bashkimit Evropian, është bërë e ditur se takimi i radhës ndërmjet të dy presidentëve do të mbahet me 18 korrik 2018 në Bruksel.

Duke e pasur parasysh ndikimin politik që ka ky dialog dhe marrëveshja eventuale që del nga ai do ta ketë në procesin e shtetndërtimit, zhvillimit, e demokracisë në Republikën e Kosovës, përmes kësaj seance të jashtëzakonshme deputetët nënshkrues do të kërkojnë që diskutimi dhe vendimmarrja t’i kthehet Kuvendit, organit më të lartë legjislativ.