Për tre muaj, 18 raste të kafshimit nga gjarpërinjtë

Aktuale July 12, 2018 - 08:56
Lexoni më shumë detaje

Gjatë tre muajve të fundit 18 persona janë kafshuar nga gjarpërinjtë në Kosovë, prej të cilëve 14 kanë qenë në gjendje të rëndë shëndetësore. Qendrat e mjekësisë familjare i referojnë në Klinikën Infektive pacientët që kafshohen nga këta zvarranikë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Qendrat e mjekësisë familjare në komuna të ndryshme të vendit nuk u kanë dhënë 18 qytetarëve serumin pas kafshimit nga gjarpërinjtë, por të njëjtit janë referuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).

Sipas mjekëve, nëse atyre që kafshohen nga gjarpërinjtë nuk u jepet sa më shpejt serumi, atëherë të njëjtëve u rrezikohet jeta.

Ky numër prej 18 personave janë kafshuar nga gjarpërinjtë vetëm prej prillit të këtij viti e deri më tani. 

LEXO EDHE: Stacioni i Autobusëve s’i mbyll avancat që nga viti 1999

Hamdi Ramadani, drejtor i Klinikës Infektive, ka thënë për Zërin se qendrat e Mjekësisë familjare kanë një ose dy serume dhe sipas tij, as stafi mjekësor në këto qendra nuk është i përgatitur sa i Klinikës që e drejton.

“Kanë shkuar në ambulanca përkatëse dhe i kanë referuar për shkak se ne kemi një përvojë më të madhe. Atje nuk kanë marrë serum. Është shumë e vështirë, ata mund ta kenë një ose dy doza, është e vështirë që shërbimi primar shëndetësor ta ketë shërbimin sikurse ne që e kemi me komplet terapinë. Duhet të dinë edhe si ta japin terapinë. Ne kemi një përvojë shumë më të madhe sesa një mjek ambulator. Ndërsa sa më shumë që vonohet pacienti situata bëhet shumë më e rëndë dhe më serioze”, ka thënë ai.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë ka vetëm një serum

Besim Berisha, farmacist në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, ka thënë për “Zërin” se për herë të fundit janë furnizuar me pesë seruma në muajin maj të këtij viti.

Sipas tij, nga pesë serumat që u janë dhënë nga Ministria e Shëndetësisë ata e kanë shpërndarë nga një në qendrat e tjera, ndërsa në këtë qendër momentalisht është vetëm një serum.

Megjithatë, sipas tij, te kjo qendër ende nuk ka pasur ndonjë kërkesë për serum.

“Këtu në qendër është vetëm një serum. S’ka pasur asnjë rast me kafshim të gjarprit te ne, por ne e kemi marrë si prioritet. Gjithmonë kemi pasur nëpër stoqe, por u ka dalë afati dhe i kemi tërhequr”, ka thënë ai.

Sipas tij, pacienti mundet edhe të vdesë nëse nuk merr me kohë serumin.

 “Është shumë e rrezikshme nëse pacienti nuk e merr menjëherë serumin, mundet pacienti të vdesë menjëherë. Në stacionet që ne e kemi ditur që është rrezik e kemi dërguar serumin, si te qendra në Gërmi e ashtu edhe në Hajvali, por ne mundemi edhe t’i bartim ato. Për momentin me sa e di unë Ministria nuk ka serume, sepse ne i kërkojmë çdo muaj dhe ata duhet të na i sjellin neve”, ka theksuar ai.

Ramadani: Të gjitha rastet i kemi trajtuar në mënyrë urgjente

Hamdi Ramadani, drejtor në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë për “Zërin” se nga 18 veta që janë kafshuar nga gjarpërinjtë, 14 kanë qenë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas tij, të gjitha rastet janë trajtuar në mënyrë urgjente.

“Deri më sot ka pasur një numër të konsiderueshëm të kafshimit nga gjarpri. Pacientët kanë qenë të kafshuar nga gjarpri në pjesë të sipërme ose të poshtme. Për fat të mirë të gjitha këto raste, të cilët janë ndalur për mjekim që ka qenë raste të rënda, janë trajtuar në mënyrë urgjentë me terapi specifike, me serum. Sot e kemi lëshuar rastin e fundit në shtëpi, bëhet fjalë për një djalë 10-11 vjeç”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se me rritjen e temperaturave  rritet edhe aktiviteti i gjarpërinjve, derisa siç ka thënë ai, edhe qytetarët u ekspozohen atyre duke dalë në ambiente malore.

Sipas tij, vetëm në muajin maj 11 persona janë kafshuar nga gjarpërinjtë dhe kanë kërkuar trajtim në Klinikën Infektive.

Ndërsa sipas të dhënave që ka treguar ai për gazetën, katër pacientë të kafshuar nga gjarpërinjtë kanë qenë nga Prishtina, dy nga Vitia, tre nga Gllokovci, një nga Drenasi, një nga Vushtrria, një nga Skenderaj, dy nga Lipjani, një nga Graqanica, një nga Podujeva, një nga Mitrovica dhe një nga Hani i Elezit.

Ramadani ka treguar se ka pasur raste edhe kur për trajtimin e pacientëve u kanë dalë në ndihmë edhe stafi i Kirurgjisë Plastike, pasi që pacientëve u është dëmtuar ena e gjakut ku është kafshuar nga gjarpri.

Sipas tij, të gjitha këto raste janë ndalur në mjekim pesëditor ose shtatëditor dhe u është dhënë terapia.

“Ne presim që edhe në ditët në vijim të kemi këtë patologji nga kafshimi i gjarprit, pasi që ata janë aktivë dhe qytetarët dalin në fusha e në male, por shpresojmë që numri i tyre të mos jetë shumë i madh. Ne jemi mirë të përgatitur, ne kemi përvojë të mirë, kemi terapinë komplete. Momentalisht kemi 8 doza serum dhe po aq doza kemi edhe në barnatoren qendrore, pra kemi edhe për 16 raste. Në ndërkohë nëse neve na shfaqet nevoja bëjmë kërkesë urgjente. Ne në asnjë mënyrë nuk mund të qëndrojmë pa serum”, ka theksuar ai.

Ai ka treguar se vitin e kaluar në një kohë të caktuar kishin pasur edhe mungesa të serumit, ndërsa siç ka thënë, Forca e Sigurisë së Kosovës ua kishte siguruar një dozë.

Sipas tij, rastet e kafshimit nga gjarpërinjtë mund të jenë më serioze atëherë kur pacienti mund të ketë ndonjë problem në shëndetin e tij.

“Gjarpri e sulmon të sëmurin me helmin që e ka dhe në qoftë se një i sëmurë ka  probleme me zemër, sëmundjen e gjakut, të mushkërive e të veshkave situata di të jetë edhe serioze. Për fat të mirë, në të gjitha rastet që kanë qenë ne ecurinë e sëmundjeve e kemi pasur të mirë dhe rastet kanë dalë të kuruara. Ajo që është më e rëndësishmja, është se serumi është dhënë në tre ose katër orët e para, sepse sa më herët të jepet serumi specifik, aq edhe efekti i terapisë dhe ecuria e sëmundjes është e kënaqshme”, ka thënë ai.

MSH: Kemi furnizuar spitalet me aq serume sa na kanë kërkuar

Zyrtar për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë për “Zërin” se institucionet publike shëndetësore janë mjaftueshëm të furnizuar me serume për mbrojtje nga helmimi prej kafshimit të gjarprit. 

“SHSKUK-ja dhe institucionet e tjera (QKUK dhe 7 spitalet e përgjithshme) janë furnizuar me aq serume sa kanë kërkuar ato. MSH-ja ka edhe rreth pesëdhjetë serume të tjera në stok në dispozicion të institucioneve shëndetësore, nëse ato kanë nevojë. Gjithashtu serume u janë shpërndarë edhe QKMF-ve që kanë kërkuar, por ju shpjegojmë se shumica e rasteve të kafshimit nga gjarpri drejtohen për në spitalet rajonale (repartet infektive) dhe Kliniken Infektive të QKUK-së për trajtim për shkak të specifikave që i ka trajtimi i pacientëve të kafshuar nga gjarpri”, kanë thënë ata.

Sipas tyre, serume të mjaftueshme kundër helmimit nga kafshimi i gjarprit ka pasur në sasi të mjaftuara edhe vitin që shkoi dhe në këtë aspekt nuk ka pasur mungesa.

E në këtë furnizim me serume ata kanë treguar se kanë kontribuar edhe donatorët.