15 asamblistë, peng të moskonstituimit të KQZ-së

Aktuale July 12, 2018 - 08:20
Mësoni më shumë detaje

Rreth 15 asamblistë nga të gjitha komunat e Kosovës janë duke pritur me muaj konstituimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në mënyrë që të marrin mandatin në Kuvendet Komunale, duke i zëvendësuar asamblistët të cilët e kanë lëshuar këtë pozitë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

KQZ-ja ka mbetur jofunksionale nga fundi i muajit mars, kur anëtarëve të këtij institucioni u ka përfunduar mandati, ndërkohë presidenti i vendit Hashim Thaçi është duke e prolonguar dekretimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së.

Sipas njohësve të çështjeve politike, vonesat e tilla kanë ndikuar në bllokimin e shumë proceseve të cilat janë në kompetencën e KQZ-së.

LEXO EDHE: S’ka datë për takimin e dytë të fazës finale

Ata thonë se Thaçi duke mos i dekretuar përfaqësuesit e partive politike është duke e ndihmuar koalicionin PDK-AAK-Nisma (PAN), pasi ka problem në përzgjedhjen e dy anëtarëve që do t’i përfaqësojë këto tri parti në KQZ. 

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se 15 asamblistë janë në listat e pritjes për ta marrë mandatin në kuvendet komunale.

“Deri tani në listë për zëvendësimin në kuvende komunale janë duke pritur rreth 15 asamblistë. Kurdo që mbahet mbledhja e KQZ-së do të zëvendësohen këta asamblistë me të tjerët, por pasi Presidenca ta caktojë datën për dekretimin e anëtarëve”, ka thënë Elezi për gazetën Zëri.

Kurse drejtori ekzekutiv i organizatës “Demokraci Plus”, Valmir Ismaili, ka thënë për “Zërin” se fajtori për këtë bllokadë është presidenti Hashim Thaçi, i cili nuk i ka respektuar kompetencat e tij kushtetuese për t’i dekretuar anëtarët e emëruar nga partitë politike në KQZ.

Megjithatë, Ismaili fajtore i bënë edhe partitë politike, që sipas tij janë vonuar për dërgimin e emrave.

“Fajin kryesor për një ngecje të tillë e ka presidenti i vendit, i cili nuk ka respektuar kompetencat e tij kushtetuese për të emëruar anëtarët e KQZ. Një pjesë të fajit e mbajnë edhe subjektet politike, të cilat nuk i kanë dërguar me kohë emrat e anëtarëve të tyre”, ka vlerësuar Ismaili, duke thënë se e gjithë kjo vonesë është bërë për faktin që Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të kishin nga dy anëtarë, aq sa edhe do të kishte PAN-i.

“Dhe kjo nuk i ka konvenuar PAN-it dhe kështu këta të fundit, me ndihmën e presidentit, e kanë vonuar konstituimin e KQZ-së me anëtarë të rinj”, ka thënë Ismaili.

Më tutje ai ka thënë se vonesat e tilla ndikojnë në shumë procese, si ajo e bllokimit të KQZ-së, zëvendësimit të këshilltarëve komunalë, si dhe shumë projekte të cilat kanë mbetur pezull.

“E ka paralizuar komplet KQZ-në dhe si rrjedhojë asnjë vendim nuk po mund të merret në këtë institucion. Një numër i këshilltarëve komunalë nuk po mund të zëvendësohen, sepse kërkohet aprovimi në KQZ, po ashtu një numër projektesh kanë mbetur pezull në KQZ sepse po ashtu kërkohet aprovim nga anëtarët e KQZ-së. Por çka është edhe më keq, çfarë do të ndodhte nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme qoftë për ndonjë komunë ose në nivel vendi, pra institucioni që është përgjegjës për organizim të zgjedhjeve është jofunksional”, ka thënë më tutje ai.