S’ka datë për takimin e dytë të fazës finale

Aktuale July 12, 2018 - 08:01
Mësoni më shumë detaje

Pavarësisht se në takimin e parë të fazës finale të dialogut Prishtinë - Beograd të dyja palët janë pajtuar që të intensifikohen takimet në kuadër të këtij procesi, ende nuk dihet se kur do të mbahet takimi i dytë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ani pse faza finale e dialogut Kosovë - Serbi ka nisur zyrtarisht më 24 qershor, ende nuk dihet se kur do të mbahet takimi i radhës (i dyti) në kuadër të kësaj faze.

Këtë e kanë pohuar për gazetën zyrtarë të Presidencës, të cilët kanë thënë se ende nuk ka ndonjë datë të saktë se kur do të ketë takim në Bruksel.

Pavarësisht kësaj, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili është drejtues i këtij procesi nga pala kosovare, u ka bërë thirrje edhe njëherë akterëve politikë që të kontribuojnë në procesin e negociatave me Serbinë.

LEXO EDHE: Asociacioni përçan Qeverinë dhe ekipin menaxhues

Mirëpo, opozita po vazhdon ta kundërshtojë fuqishëm një gjë të tillë, shkruan më tutje "Zëri".

Sipas përfaqësuesve të opozitës, Thaçi nuk duhet të jetë personi i cili do t’i udhëheqë bisedimet me palën serbe. Përkundrazi, sipas tyre thirrja e Thaçit për krijimin e një grupi të unitetit rreth këtij procesi është krejtësisht hipokrite.

Kjo pasi, siç deklarojnë zyrtarët opozitarë, kreu i shtetit nuk është i legjitimuar për ta drejtuar procesin e dialogut.

Pavarësisht këtyre, i pari i shtetit është zotuar se do të arrihet një marrëveshje finale mes Kosovës e Serbisë, e cila  do të rezultojë me njohjen reciproke të të dyja vendeve.

Thaçi: Në procesin e dialogut duhet të kontribuojmë të gjithë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka bërë thirrje edhe një herë që të gjithë akterët politikë t’i kontribuojnë procesit të dialogut me Serbinë.

Sipas tij, askush nuk mund ta drejtojë i vetëm këtë proces të negociatave, porse askush po ashtu nuk do të mundë ta bllokojë vazhdimin e dialogut.

“Qëllimi ynë është ta arrijmë një marrëveshje përfundimtare. Jemi të vendosur për marrëveshjen përfundimtare të paqes dhe të pajtimit, pas së cilës do të ketë njohje reciproke të Kosovës dhe të Serbisë. Kjo do të jetë një arritje historike për Kosovën, për paqen dhe për stabilitetin në rajon. Që kjo njohje të ndodhë duhet të kontribuojmë të gjithë”, është shprehur Thaçi.

Ndërkaq i pyetur se kur do të zhvillohet takimi i dytë në kuadër të fazës finale, Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit, ka thënë se ende nuk dihet një datë e saktë se kur do të ndodhë një gjë e tillë.

“Datë ende nuk ka. Ne presim të ketë takime, por datë të saktë nuk ka”, ka deklaruar shkurt për “Zërin” Arifaj.

Rugova: Presidenti nuk ka legjitimitet për ta udhëhequr dialogun

Në anën tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Naser Rugova ka vlerësuar se liderët institucionalë nuk është dashur të nxitojnë në procesin e dialogut pa u arritur së pari një konsensus i gjerë politik dhe nacional.

“Të hartohet një platformë në radhë të parë, të caktohen vijat e kuqe, se çka nuk guxojmë të diskutojmë dhe e dyta: përmbajtja e asaj platforme për negociata të jetë konkrete dhe substanciale, të futen parimet e reciprocitetit, ruajtja e sovranitetit dhe e kushtetueshmërisë dhe pastaj të vihen limitet kohore për marrëveshjet e nënshkruara që nuk janë implementuar”, ka theksuar Rugova.

Mirëpo, sipas tij, nuk mund të arrihet një konsensus i gjerë politik që do ta mbështeste Thaçin për drejtues të negociatave me Serbinë.

Kjo pasi, sipas tij, Thaçi nuk është i autorizuar për ta drejtuar këtë proces.  

“Nuk ka konsensus politik që bisedat e presidentit do ta përfaqësojnë vullnetin e gjerë dhe politik. Nuk ka legjitimitet kushtetues, sepse sipas një rezolute të votuar në Kuvend më 2012-ën kryeministri autorizohet që të procedojë me të gjitha aspektet e dialogut. Ajo rezolutë është ende në fuqi, nuk është shfuqizuar. Çdo veprim tjetër jashtë frymës kushtetuese dhe pa konsensus të gjerë politik konsideroj që na dobëson si shtet dhe si popull”, ka shtuar ai.

Ndonëse në bisedimet me Serbinë duhet të shkohet me një frymë unike, sipas Rugovës Kosova tashmë është vonuar në këtë drejtim. Andaj vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje të parakohshme dhe dialogun ta drejtojë ai subjekt që do të dalë fitimtar nga zgjedhjet.

Nagavci: Thaçi po shkon të negociojë për veten, jo për Kosovën

Kurse deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka vlerësuar se dialogu me Serbinë është duke vazhduar pa transparencë.

Thirrja e presidentit të Kosovës për formimin e një grupi të unitetit për këtë proces, sipas saj, është krejtësisht hipokrite.

“Bisedat po vazhdojnë si deri më tani, pa asnjë transparencë, pa marrë një konfirmim paraprak nga Kuvendi. Andaj, thirrja e presidentit është krejtësisht hipokrite, pasi që ai nuk është i mandatar nga Kuvendi. Edhe pse ne jemi Republikë Parlamentare, ai ka shkuar aty me vetiniciativë dhe tashmë është e qartë që ai shkon të negociojë për veten dhe jo për Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Nagavci.

Sipas saj, para se të shkohet me fazën finale duhet fillimisht të shqyrtohen të gjitha marrëveshjet e arritura me Serbinë, prej fillimit deri më tani.

“Ne mendojmë që paraprakisht duhet të shqyrtohet i gjithë procesi i dialogut, të shqyrtohet zbatimi i marrëveshjeve që janë arritur dhe pastaj me një konsensus të plotë, pas bisedave e diskutimeve, të caktohet rruga përpara, se kush do të marrë pjesë në ekipin e bisedave, çka duhet të diskutohet aty”, ka shtuar ajo.

Ndërkohë, ka ripotencuar edhe një herë faktin që LVV-ja është kundër Thaçit për kryenegociator.

“Ne e kemi të qartë qëndrimin tonë, Thaçi është përgjegjës për të gjithë situatën që na ka sjellë deri këtu, ai duhet të mbajë përgjegjësi për të gjitha bisedat që ka bërë gjatë këtyre viteve pa asnjë rezultat konkret për Republikën e Kosovës”, ka theksuar Nagavci.