Skandal me draftin e Asociacionit, antikushtetues!

Aktuale July 11, 2018 - 07:30
Lexo detajet

Ekipi menaxhues ia ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës draftstatutin për Asociacionin, i cili bie ndesh me ligjet e Kosovës dhe me rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese. Zyrtarë të Qeverisë kanë konfirmuar për “Zërin” hartimin e një drafti të tillë, të cilin thonë se nuk e pranojnë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ekipi menaxhues për hartimin e draftstatutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ia ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës një propozim-dokument, që bie në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Për këtë shkak ekzekutivi i vendit nuk po e pranon draftin e Asociacionit, që i është dorëzuar së fundi nga ekipi menaxhues.

Zyrtarë të Qeverisë i kanë konfirmuar gazetës “Zëri” se ekipi menaxhues ka hartuar një draft antiligjor dhe antikushtetues për Asociacionin, me ç’rast kanë bërë të ditur se nuk do ta pranojnë të njëjtin.

Ekipi menaxhues për hartimin e Asociacionit ka qenë i përbërë vetëm nga pjesëtarë të komunitetit serb në vend, të cilët draftin e Asociacionit e kanë hartuar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit e jo sipas rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Ata kanë hartuar një draft politikisht jokorrekt, i cili nuk mund të implementohet kurrë në Kosovë kur dihet se edhe statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë. Ekipi menaxhues ka shtruar kërkesa politike, që dalin jashtë mandatit të tij ligjor dhe kushtetues”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit Ramush Haradinaj për “Zërin”.

Institucionet e Kosovës në prill të këtij viti kishin marrë rekomandim nga Bashkimi Evropian që deri në fillim të muajit të ardhshëm (gusht) ta përgatisin dokumentin për Asociacionin, megjithatë për shkak të shkeljeve ligjore nga ana e ekipit menaxhues një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Haliti: Nuk pranohet Asociacioni me kompetenca ekzekutive

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë  për “Zërin” se Asociacioni i Komunave Serbe nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive, por nëse një gjë e tillë kërkohet nga serbët Kosova nuk do ta pranojë.

“Problemi i këtij Asociacioni është që ka pasur debat rreth tij dhe ka pasur shkelje të normave kushtetuese në disa pika, të cilat i ka gjetur edhe vetë Gjykata Kushtetuese, por nëse Asociacioni krijohet në bazë të atyre të gjeturave që ka bërë Gjykata Kushtetuese, atëherë është gjithçka në rregull”, ka thënë Haliti.

Sipas tij, Bashkimi Evropian nuk do të kërkojë kompetenca ekzekutive, por nëse një gjë e tillë ndodh shteti i Kosovës nuk do t’i pranojë ato.

“BE-ja nuk kërkon kompetenca ekzekutive, ata janë deklaruar që Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, por sigurisht që Serbia po insiston që Marrëveshja të zbatohet në përpikëri, ashtu siç është nënshkruar në Bruksel, gjë që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Besoj që nuk do të pranohet në Kosovë kjo gjë, por edhe BE-ja nuk do të insistojë që Marrëveshja të implementohet në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, ka theksuar Haliti.

Vetëvendosja paralajmëron demonstrata nëse Asociacioni ka kompetenca ekzekutive

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, duke folur për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ka thënë se nuk do të lejojnë që ASK-ja të ketë kompetenca ekzekutive, në të kundërtën do të detyrohen që sërish të dalin në demonstrata kundër “Zajednicës” për ta mbrojtur Kosovën.

I pyetur se cili do të jetë reagimi i Vetëvendosjes nëse Asociacioni i Komunave Serbe do të ketë kompetenca ekzekutive, Kurti për “Zërin” ka thënë se nëse është e nevojshme do të dalin edhe në demonstrata.

“Kjo do të jetë diçka që do të diskutohet e do të vendoset në forumet e Lëvizjes. Ne kemi protestuar në Kuvend kundër Demarkacionit dhe kemi bërë disa protesta simbolike kundër fenomeneve negative të kësaj Qeverie. Por, demonstrata ende nuk ka pasur. Shpresojmë që të mos e detyrojnë popullin të dalë sërish në demonstrata kundër ‘Zajednicës’ për ta mbrojtur Kosovën”, ka thënë Kurti.

Tahiri: Formimi i Asociacionit, në dorë të Qeverisë së Kosovës

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike të vendit Ramush Tahiri, duke folur për Asociacionin e Komunave Serbe, ka thënë për “Zërin” se procesi i formimit të AKS-së është në dorë të Qeverisë së Kosovës, e cila e ka fjalën e fundit për këtë proces.

“Ekipi menaxhues për draftimin e dokumenteve të Asociacionit të Komunave Serbe ka bërë dokumentin dhe e ka çuar në Qeveri, mbetet te Qeveria ta miratojë atë ose jo. Pavarësisht se prej kujt formohet ekipi menaxherial ose çfarë nacionaliteti ka, vendimi nuk merret tek ata, por në Qeveri”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se “vendimi i Qeverisë nuk është vetëm politik, por edhe në mbrojtje të Kushtetutës së Kosovës”.

Ai vlerëson se Qeveria e Kosovës e ka për obligim që ta marrë vendimin përfundimtar për formimin e AKS-së në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, ka mundësi që ekipi menaxhues për këtë draft nuk i është përmbajtur Kushtetutës së Kosovës e nëse ndodh kjo, sipas Tahirit, duhet të formohet një komision shtesë për hetimin e kësaj çështjeje.

“Qeveria do t’ia dalë që ta miratojë në afat që BE-ja ka kërkuar për këtë çështje, por mbetet vetëm çështje procedurale nëse Qeveria do ta mbështesë ose do të kërkojë komision shtesë, i cili e drafton statutin, kjo për arsye se ekipi menaxhues ka mundësi që nuk i është përmbajtur vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë mes të tjerash ai.