Kërcënon Gjuriq: Lironi serbët ose e ndërpresim dialogun

Aktuale July 10, 2018 - 13:38
Lexoni më shumë detaje

Drejtori i Zyrës për Kosovë në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka kërcënuar me ndërprerje të dialogut nëse pesë serbët e arrestuar sot nuk lirohen.

“Në qoftë se pesë të arrestuarit në komunën e Gjilanit nuk lirohen sonte nuk do të ketë dialog për një kohë të gjatë”, është shprehur Gjuriq, përcjell lajmi.net.

Ai ka theksuar se ky mesazh vjen nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq duke shtuar se edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian tashmë janë informuar në lidhje me këtë çështje mirëpo ende nuk kanë kthyer përgjigje.

“Arrestimet ishin brutale, një skenar i përgatitur nga ekstremistët shqiptarë, ky veprim është në kundërshtim me atë që u dakorduan Vuçiq dhe Mogherini në takimin e fundit ku në mënyrë të qartë u tha se gjëra të tilla nuk do të ndodhin. Mëkati i vetëm i të arrestuarve ishte se kundërshtuan verbalisht formimin e ushtrisë së Kosovës”, ka thënë Gjuriq.

Policia e Kosovës zhvilloi sot një aksion në rajonin e Gjilanit ku arrestoi pesë serbë nën dyshimet se janë përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.