Veseli për arrestimin e serbëve: Policia përmbushi detyrën e saj

Aktuale July 10, 2018 - 13:21
Lexoni më shumë detaje

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli ka dënuar kërcënimet që po bëhen ndaj familjeve të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga komuniteti serb, raporton “Zeri.info”.

Madje Veseli ka njoftuar se Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona si të dyshuar se kanë kërcënuar familjet e këtyre pjesëtarëve të FSK-së.

Sipas Veselit, Policia e Kosovës ka përmbushur detyrën e saj.

Ai këto komente i bëri përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, duke shtuar se, provokime të tilla nga Serbia nuk i kontribuojnë normalizimit të raporteve në Ballkan, përcjell më tutje “Zeri.info”.

Postimi i plotë i Veselit pa ndërhyrje:

Kërcënimi i familjeve të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të komunitetit serb, është i papranueshëm.

Dënojmë të gjitha aktet që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe cenimin e jetës së qytetarëve tanë.

Dhe sigurojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, se ne do t’i mbrojmë ata.

Sot, institucionet e rendit dhe sigurisë në Kosovë kanë përmbushur detyrën e tyre, duke arrestuar pesë persona të dyshuar për cenim të sigurisë dhe rendit.

Tentimet e vazhdueshme të politikës serbe për ta penguar dhe dëmtuar në çdo hap integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës janë në kundërshtim me parimet e fqinjësisë së mirë, interesave të qytetarëve serbë në Kosovë, vlerave europiane dhe aspiratave për integrimin në BE.

Institucionet e Kosovës janë gjithmonë të gatshme për dialog dhe fqinjësi të mirë.

Çdo provokim nga Serbia, që e lëndon këtë proces, nuk i kontribuon interesave të të dyja vendeve që synojnë normalizimin e marrëdhënieve dhe stabilitetin e paqen në Ballkan