‘Nuk do ta lejojmë Thaçin ta poshtërojë Kosovën’

Aktuale July 10, 2018 - 11:51
Mësoni më shumë detaje

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka rikonfirmuar edhe një herë qëndrimin e partisë së tij në lidhje me dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kurti në një intervistë dhënë për gazetën “Zëri”, ka thënë se partia që ai e udhëheq do të angazhohet në maksimum që të mos e lejojë presidentin Hashim Thaçin që siç ka thënë ai, ta shesë e ta poshtërojë Kosovën në një dialog, pasi që sipas tij, mandatet i jep Parlamenti .

Sipas Kurtit, Thaçi nuk është personi i duhur për ta udhëhequr dialogun me Serbinë.

Kurti në këtë intervistë po ashtu ka folur edhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ku ka thënë se nuk do ta lejojnë që ASK-ja të ketë kompetenca ekzekutive, në të kundërtën do të detyrohen që sërish të dalin në demonstrata për siç është shprehur ai, kundër “Zajednicës” për ta mbrojtur Kosovën.

Zëri: Tashmë ka filluar faza finale e dialogut me Serbinë. Cili sipas jush do të jetë rezultati i këtij procesi?

Kurti: Ky proces është jolegjitim dhe përfundimi i tij do të jetë i papranueshëm. Thaçi nuk ka mandat të merret vesh me askënd për Kosovën, sepse Kosova është Republikë dhe mandatet i jep Parlamenti. Nuk do ta lejojmë atë ta shesë e ta poshtërojë Kosovën në një dialog, i cili gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë pa parime, pa strategji, pa synime transparente dhe me plot rrena e padrejtësi.

LEXO EDHE: Çka thotë Kurti për partinë e Shpend Ahmetit?

Zëri: Ju keni dalë kundër Thaçit si kryenegociator, por kush duhet ta udhëheqë këtë proces dhe a do të pranonit që ju ta udhëhiqni?

Kurti: Nuk është i pranueshëm asnjë proces dialogu pa u bërë në Kuvend një vlerësim i hollësishëm i asaj çka ka ndodhur deri më tash me dialogun gjashtëvjeçar dhe pa marrë përgjegjësitë personat përgjegjës për dëmet e pakthyeshme që ia ka shkaktuar Kosovës ky dialog. Pas raportimit dhe vlerësimit të detajuar të dialogut mund të përcaktohemi për rrugën që duhet ndjekur më tej e ku vendosim si për parimet e kushtet, për kërkesat ndaj Serbisë e qëllimet tona në dialog, po ashtu edhe për ekipin negociator e udhëheqjen e tij.

Zëri: A mund të jetë zgjidhje kompromisi për një autonomi për serbët e Kosovës në këmbim të njohjes së vendit nga Serbia?

Kurti: Ky është skenari më katastrofal për Kosovën, si një shtëpi me dy pronarë. Kjo është në fakt ajo që e kemi quajtur bosnjëzim i Kosovës. Të gjithë ata që e shohin si arritje këtë le ta shohin ku është sot Bosnja, pa asnjë perspektivë evropiane, e izoluar, e varfër, e kontrolluar nga Serbia e Rusia dhe pa rrugëdalje, edhe pse Serbia e ka njohur formalisht Bosnjën si shtet. Asisoj çlirimi dhe pavarësia zhvlerësohen. Sepse, cili është kuptimi i daljes së Kosovës nga Serbia nëse kjo pasohet me hyrjen e Serbisë në Kosovë?

Zëri: A mund të ketë ndarje apo shkëmbim territoresh?

Kurti: Kosova është një dhe e pandashme. Serbia duhet të ballafaqohet me krimet dhe dëmet e luftës së vet, të kërkojë falje dhe të njohë Kosovën. Kjo është ajo që duhet kërkuar vazhdimisht të gjithë partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës.

Zëri: Cili do të jetë reagimi i opozitës nëse themelohet Asociacioni me kompetenca ekzekutive, do t’i riktheheni organizimit të protestave apo keni ndryshuar formën e kundërshtimit, pasi që gjatë mandatit të kryeministrit Haradinaj nuk keni organizuar asnjë protestë?

Kurti: Kjo do të jetë diçka që do të diskutohet e do të vendoset në forumet e Lëvizjes. Ne kemi protestuar në Kuvend kundër Demarkacionit dhe kemi bërë disa protesta simbolike kundër fenomeneve negative të kësaj Qeverie. Por, demonstrata ende nuk ka pasur. Shpresojmë që të mos e detyrojnë popullin të dalë sërish në demonstrata kundër “Zajednicës” për ta mbrojtur Kosovën.