Aliu: S’ka insulina për të gjithë pacientët

Aktuale July 10, 2018 - 10:46
Furnizimi me insulina këtë vit më i ulët se vitin e kaluar

Fatos Aliu, farmacistë i diplomuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, në një intervistë për Gazetën “Zëri” ka thënë se furnizimi me insulina nuk i ka përmbushur të gjitha kërkesat e pacientëve. Sipas tij, furnizimi me insulina vitin e kaluar ka qenë më i mirë se këtë vit.

Aliu ka treguar se insulinat më të kërkuara janë ato analoge.

Zëri: Sa ka qenë këtë vit përqindja e furnizimit me insulina dhe a i ka përmbushur ajo të gjitha kërkesat?

Aliu: Në gjashtë mujorin e parë të këtij viti prej periudhës janar qershor jemi të furnizuar afërsisht me secilën lloj të insulinës. Insulina që është më e kërkuara nga pacientët është insulina analoge e llojit novomiks që ka qenë përqindja e furnizimit afërsisht 52% për këtë periudhë. Pastaj është ajo analoge neoraped me të cilën kemi qenë të furnizuar deri në 64% këtë periudhë dhe është insulina determil jemi të furnizuar 38.5%. Këto janë llojet më të kërkuara, të tjerat janë përmbushur deri në 100%. Janë insulinat humane që janë më pakë të kërkuara, pra që i përdorin më pak pacientët e që i kemi në barnatoren qendrore.

Zëri: A është numri i madh i kërkesave për insulinë?

Aliu: Ka kërkesa, është një numër afërsisht deri në 2,000 pacientë që e marrin insulinën. Afërsisht 25 pacientë në muaj janë raste të reja të cilat hyjnë në listën e insulinë marrësve.

Zëri: A furnizoheni çdo muaj me insulina?

Aliu: Planifikimi bëhet gjashtë mujor por kërkesa është mujore. Çdo muaj furnizohemi me insulinë, sigurisht kur kanë ministria me na furnizu, ne kërkesën e bëjmë çdo muaj.

Zëri: Cilat mosha më shumë kërkojnë insulina?

Aliu: Zakonisht janë mosha 55 deri në 65 vjeç, megjithatë kemi raste edhe kur pacientët janë fëmijë, edhe të rritur.

Zëri: Gjatë kohës sa nuk ka furnizim me insulinë, si trajtohen pacientët?

Aliu: Insulinën nuk e zëvendëson asnjë produkt tjetër që është medicional, kështu që atyre ju mbetet ose të presin gjë që është pak e vështirë pa e përdorur insulinën ose të ju drejtohen barnatoreve. Në kërkesat i bëjmë dhe furnizim kur marrim e shpërndajmë. Është kënaqësi kur e ki produktin dhe ia jep pacientit, e kryen një obligim për të cilin ne edhe paguhemi. Mirëpo kjo nuk është kompetencë e ynja.

Zëri: Përveç insulinave, a keni furnizim të mjaftueshëm edhe me barna tjera nga lista esenciale si dhe material shpenzues?

Aliu: Vërehen përmirësime nga vitet e kaluara. Ka përmirësim me produkte tabletare dhe material shpenzues. Jemi të kënaqur me furnizimet tjera, mirëpo me insulinë ky vit nuk na ka filluar mirë me furnizim. Shpresojmë që shpejt edhe ministria i ka kaluar problemet që i kanë pas dhe shpresojmë që gjithçka ka me qenë në rregull.

Zëri: Prej fillimit të këtij viti deri më tani, a ka pasur rritje apo rënie të furnizimit me insulina?

Aliu: Ka pasur rritje gradualisht, ka ardhur duke u rritur sasia, por asnjëherë nuk kemi mundur të marrim sasinë sa e kemi ne të planifikuar si kërkesë mujore, asnjëherë nuk është përmbushur plotësisht.

Zëri: Në krahasim me vitet tjera, a është furnizimi me insulina këtë vit më i mirë?

Aliu: Me insulinë viteve të kaluara furnizimi ka qenë më i mirë. Prej fillimit të këtij viti kemi pasur probleme me furnizim me insulina. Shpresoj që këto probleme së shpejti të kalohen dhe do të rregullohet gjithçka.

Zëri: Çfarë arsyetimi ju kanë dhënë nga Ministria e Shëndetësisë për këto mungesa të insulinave?

Aliu: Ne bashkëbisedojmë me ta. Ata kanë pasur problem me kontrata, i kanë skaduar kontratat. Sipas tyre, kjo çështje ka kaluar dhe tani pritet që të rregullohet edhe furnizimi dhe ata të marrin furnizimin sa është e planifikuar për gjithë Kosovën./ZERI/