Kuvendi pa deputetë, opozita kërkon zgjedhje

Aktuale July 10, 2018 - 08:45
Lexoni më shumë detaje

Partitë opozitare edhe në seancën e djeshme parlamentare kanë vazhduar kërkesën e tyre për zgjedhje të jashtëzakonshme pasi që, sipas tyre, Qeveria aktuale është Qeveri e pakicës dhe si e tillë nuk mund t’i sigurojë votat e nevojshme në Kuvend që të kalojë çështje me rëndësi për vendin, shkruan sot Gazeta "Zëri"

As pas 5 orëve debat Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta votojë Projektligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit për shkak të mungesës së deputetëve në procesin e votimit.

Megjithëse ishin mbi 70 deputetë në sallë, vetëm 56 prej tyre e shfrytëzuan votën e tyre për këtë pikë.

Me këtë rast Projektligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme është shtyrë për një seancë tjetër.

LEXO EDHE: Ministria e Shëndetësisë sërish lë pacientët pa insulina

Fillimisht seanca e djeshme u shty pasi ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, nuk ishte në Kuvend, gjë të cilën e kundërshtoi Lëvizja Vetëvendosje, shkruan më tutje "Zëri".

Kjo e fundit madje e liroi sallën e Kuvendit, duke thënë që qeveria “Haradinaj” është Qeveri e pakicës dhe për këtë arsye vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Kërkesë për zgjedhje pati edhe nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndërkohë, pavarësisht se ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani u kthye në seancë, përsëri deputetët nuk arritën të votojnë për asnjërën nga pikat në rend dite në mungesë kuorumi.

Opozita kritikon Projektligjin për Dhomat e Posaçme dhe AKP-në

Projektligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit ka marrë kritika nga opozita lidhur me mundësinë që një gjyqtar të vendosë për të gjitha lëndët, por gjithashtu edhe me funksionin e saj brenda Gjykatës Supreme.                                                                                                            

Deputeti Hajdar Beqa në emër të Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se për Projektligjin mund të diskutohet në komisione për leximin e dytë, por të mos ndalohet Projektligji për shkak se ajo Dhomë e është e pafunksionalizuar.                                     

Ndërsa Albulena Haxhiu, nga Vetëvendosja, ka thënë se Projektligji në fjalë ka defekte të shumta.

Ata që e kanë shkruar këtë draft kanë pasur për qëllim akomodimin e gjyqtarëve që do të merren me lëndët e AKP-së ose të vendimeve të padrejta të AKP-së, por jo edhe për palët”, ka thënë ajo.

Kurse Frashër Krasniqi, nga Partia Socialdemokrate, ka thënë se nuk duhet të lejojnë raste shumë të mëdha t’i vendosë vetëm një gjyqtar.                                                        
Ndërkohë, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka thënë se derisa disa deputetë kërkojnë që Dhoma të kalojë në Gjykatën Themelore dhe lëndët të mos shqyrtohen vetëm nga një gjyqtar nuk po e di që në Themelore të gjitha lëndët shqyrtohen vetëm nga një gjyqtar.

“Nëse e vendosim në Gjykatën Themelore departamentin e parë, atëherë lëndët do të trajtohen nga një gjyqtar, jo nga tre siç është aktualisht dhe ata gjyqtarë që janë në Gjykatën Themelore kanë tre vjet përvojë pune, jo 8 sa kërkohen për t’i trajtuar këto lëndë të privatizimit në kuadër të Dhomës së Posaçme”, ka thënë ai.

Sejdiu: Ne ende nuk e dimë se çka do të bëjë EULEX-i në Kosovë

Në anën tjetër, deputeti i pavarur Korab Sejdiu derisa po shqyrtohej Projektligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme ka thënë se askush ende nuk e di mandatin e ri të EULEX-it në Kosovë përpos presidentit Thaçi.                                                           

“Po flasim për një institucion tejet të rëndësishëm dhe për mënyrën sesi mund ta adresojmë atë, e kuptoj që është paraqitur shpesh që ky ligj ka të bëjë me largimin e EULEX-it, është paraqitur si diçka që kush është pro EULEX-it e kush është kundër. Por në fakt në më pak se një nen ky projektligj e adreson këtë çështje. Projektligji ka të bëjë me diçka shumë më të madhe, për një institucion që është filtri i fundit”, ka thënë Sejdiu. 

Sipas tij, para se të votohet pro ose kundër këtij projektligji duhet të kihet parasysh se Kosova ende nuk e di mandatin e ri të EULEX-it në Kosovë.                                                 

“Po flitet për përfundimin e mandatit të EULEX-it, por ne nuk e dimë se cili është mandati i ri i EULEX-it në Kosovë. Letrat e këmbimit të presidentit nuk na janë dhënë ne si deputetë pavarësisht kërkesës së Komisionit për Legjislacion. Si mund ta adresojmë një prezencë ndërkombëtare në Kosovë kur nuk e dimë çka është mandati i ri dhe a po e shkelim atë marrëveshje të nënshkruar nga presidenti me anë të këtij projektligji”, theksoi Sejdiu.

Haxhiu: Kjo Qeveri i ka ditët e numëruara

Në anën tjetër, me të përfunduar shqyrtimi i Projektligjit për Dhomat e Posaçme Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka lëshuar sallën e Kuvendit në shenjë proteste ndaj mungesave të ministrave të qeverisë “Haradinaj” në seancë parlamentare.

Në momentin që ka munguar ministri i Tregtisë Bajram Hasani, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Qeveria i ka ditët e numëruara dhe në shenjë proteste partia e saj do ta lirojë sallën.

“Jeni Qeveri e pakicës dhe nuk ka asnjë dyshim që ditët e kësaj qeverie janë të numëruara, andaj edhe zgjidhja për këtë situatë janë zgjedhjet. Nuk ka kuptim që 7 orë të diskutojmë a ka ardhur ministri, a ka ardhur deputeti...kjo është tallje me qytetarët, prandaj ne si Grup Parlamentar në shenjë proteste ndaj kësaj situate qysh tani do ta lëshojmë sallën“, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, kryesuesi i seancës Xhavit Haliti e përkrahu Vetëvendosjen në këtë rast, duke thënë që ministrat duhet të jenë të pranishëm çdoherë që diskutohet për çështje që lidhen me ministrinë që ata udhëheqin.

Edhe deputeti i LDK-së Armend Zemaj ka thënë se pozita nuk i ka votat dhe si rezultat nuk po mund ta vazhdojë qeverisjen.                                                                                     

Ndaj Zemajt reagoi shefi i deputetëve të Nismës për Kosovën Bilall Sherifi, i cili tha se nuk është mirë që koalicioni qeverisës t’i ketë mbi 80 deputetë.

“Ne e kuptojmë opozitën për kërkesën për zgjedhje, por në këso marrëveshjesh duhet të ketë bashkëpunim”, ka thënë Sherifi.