Kurti: ''Pseudoopozitarët'' s’po e rrëzojnë Qeverinë

Aktuale July 10, 2018 - 07:58
Intervistë me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se dhënia e autonomisë për serbët e veriut do të ishte skenari më katastrofal për Kosovën. Gjatë kësaj interviste Kurti ka qenë i ashpër jo vetëm me pozitën, por edhe me opozitën, duke i quajtur si “pseudoopozitarë”

Dhënia e autonomisë për serbët gjatë negociatave me Beogradin do të ishte skenari më katastrofal për Kosovën.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetënZërilideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, duke shtuar se kjo është si një shtëpi me dy pronarë.

Sipas tij, ky kompromis i mundshëm, siç po paralajmërohet, në këmbim të njohjes nga Serbia është bosnjëzim i Kosovës.

“Të gjithë ata që e shohin si arritje këtë le ta shohin ku është sot Bosnja, pa asnjë perspektivë evropiane, e izoluar, e varfër, e kontrolluar nga Serbia e Rusia dhe pa rrugëdalje, edhe pse Serbia e ka njohur formalisht Bosnjën si shtet. Asisoj çlirimi dhe pavarësia zhvlerësohen. Sepse cili është kuptimi i daljes së Kosovës nga Serbia nëse kjo pasohet me hyrjen e Serbisë në Kosovë”, pyet Kurti.

Gjatë kësaj interviste për ZërinKurti ka kritikuar ashpër qeverinë “Haradinaj”, duke e vlerësuar si shumë të dobët dhe të korruptuar, por nuk i ka kursyer nga kritikat as partitë opozitare, siç i ka quajtur parti “pseudoopozitare”, duke aluduar në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe në Partinë Socialdemokrate.

LEXO EDHE: Zvarritja e rekomandimit për vizat, shqetësuese

Për Partinë Socialdemokrate të Shpend Ahmetit Kurti ka thënë se ende nuk po japin sinjale që janë kombëtarë, të majtë ose luftues të korrupsionit, por përkundrazi.

Sipas tij, PSD-ja edhe po të dyfishohet nuk e kalon pragun zgjedhor prej 5 për qind.

Duke folur për rritjen e pagave të qeveritarëve, Kurti ka thënë se Kosova është vendi më i varfër në rajon, me qeveritarët më të pasur në rajon dhe kjo, siç thotë ai, është për të qeshur e për të qarë.

“Në vend të politikanëve që sakrifikojnë veten për të bërë shtet kemi politikanë që sakrifikojnë shtetin për të bërë qejf”, ka theksuar mes të tjerash Kurti.

Në opozitë ka shumë pseudoopozitarë

Zëri: Zotëri Kurti, qeveria “Haradinaj” qe disa muaj po vazhdon funksionimin pa shumicën e nevojshme parlamentare. Pse opozita nuk po arrin të mobilizohet që ta rrëzojë Qeverinë?

Kurti: Qeveria është shumë e dobët, por edhe në opozitë kemi shumë pseudoopozitarë. Disa prej tyre kanë frikë të shkojnë në zgjedhje sepse nuk e kalojnë pragun dhe mbeten pa mandate e pa benefitet ekonomike e shoqërore që përfitojnë duke qenë deputetë. Disa të tjerë duan të presin që kjo Qeveri të vërë në jetë “Zajednicën”, duan që Thaçi ta kryejë dialogun me Serbinë, sepse u tremben këtyre temave nëse vijnë vetë në pushtet. Pra, lakmia e tyre personale për mandatin e deputetit dhe frika prej temave të rëndësishme për Kosovën i bën këta pseudoopozitarë t’ia zgjasin jetën një qeverie kaq të dobët, edhe pse kjo do të thotë shumë dëm dhe shumë kosto për Kosovën. Opozitarë veç në emër që e mbajnë këtë Qeveri veç në një këmbë.

Zëri: A është i gjithë spektri politik opozitar i gatshëm ta rrëzojë Qeverinë apo një pjesë e opozitës është me “një këmbë në Qeveri”, prandaj Kosova po vazhdon të udhëhiqet nga “Qeveria e pakicës”?

Kurti: Së pari, Qeveria e pakicës është Qeveri e ngelur në një këmbë. Së dyti, më shumë sesa opozita me një këmbë në Qeveri është një pjesë e koalicionit qeverisës që është me një këmbë jashtë Qeverisë. Kapja e institucioneve vazhdon të jetë ajo e njëjta, prej kreut të PDK-së dhe SHIK-ut, kështu që partitë partnere si AAK-ja ose Nisma nuk kanë gjetur hapësirë dhe janë hedhur në garë për të marrë ç’të mundin. AAK-ja kryesisht përmes tenderëve të rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe tash kapjes së postit të kryeshefit të Telekomit, ndërkaq Nisma përmes punësimeve e premtimeve për punësime sipas modelit të partive të vogla klienteliste, që më parë e kemi hasur edhe në Shqipëri. Korruptimi dhe klientelizimi i shpejtë i këtyre dy partive i bën ato të kërcënueshme prej gjyqësisë, pra edhe më të varura prej PDK-së. Të qenët e tyre në Qeveri, madje edhe në liri, tash për tash është në dorë të PDK-së, e cila më përpara ka treguar se është në gjendje të çojë në hetim për korrupsion edhe liderë të këtyre partive kur ka dashur të bëjë presion ndaj tyre.

Na i vodhën 12 mandate në Kuvend

Zëri: Sa jeni të hendikepuar në veprimet opozitare pa ish-bashkëpartiakët tuaj, të cilët së fundi i janë bashkëngjitur PSD-së?

Kurti: Populli na dha 32 mandate për të vepruar sipas një plani të mirëpërcaktuar. Por dikush na i vodhi 12 mandate. Kjo na pengon pak në veprimin tonë, pasi kemi shumë më shumë votues që duhen përfaqësuar, por më pak deputetë që duhet t'i përfaqësojnë. Nga ana tjetër, ata që s’kanë votues thuajse fare kanë 11 deputetë. Ky është absurditet, i cili më shumë sesa që hendikepon Vetëvendosjen, hendikepon rëndë vetë demokracinë.

Jemi të gatshëm për zgjedhje, do të dalim të parët

Zëri: Në zgjedhjet e fundit keni qenë partia e parë, por në sondazhin e fundit të bërë nga KDI-ja keni dalë partia e tretë. A ju dëmtoi PSD-ja apo a ndikoi ndarja negativisht në elektoratin tuaj?

Kurti: Asnjëra nga këto. Në sondazhet e bëra 6 muaj para zgjedhjeve të qershorit ne po ashtu kemi qenë parti e tretë. Kjo shpjegohet edhe nga fakti se mbi 10% e të anketuarve nuk dëshirojnë të përgjigjen. Shpesh ky hezitim në përgjigje ndodh për shkak se jo pak qytetarë druhen se humbin vendin e punës nëse tregojnë se cilën parti e mbështesin. Dhe ata që druhen se mund ta humbin vendin e punës në administratë publike pse mbështesin një parti shpesh janë mbështetës të Lëvizjes. Fenomeni tjetër i cili nuk rezulton në sondazh është edhe mërgata, që na i sjell neve edhe dy ose tre deputetë më shumë. E, në fund, është normale që komunikimi politik të shpeshtohet në periudhën e fundit para zgjedhjeve në muajt e fushatës. Dhe pikërisht në atë periudhë ne vazhdimisht shënojmë rritje edhe në sondazhe, kjo edhe për shkak se kemi program të drejtë, të thellë e progresiv, strategji të mirë, moderne e të sinqertë komunikimi dhe se jemi më shpesh në terren sesa në medie ose në reklama. Pra, nuk shoh të na ketë dëmtuar kush. Jemi të gatshëm për zgjedhje, do të dalim të parët, do të dalim edhe më mirë se në qershor 2017. 

Skandalet e qeverisë “Haradinaj”

Zëri: Si e vlerësoni punën e deritanishme të qeverisë “Haradinaj”?

Kurti: Ne e kemi pritur me kritikë veprimin e Haradinajt, i cili u duk se ishte gati të hiqte dorë nga gjithçka për t’u bërë kryeministër. Nuk ka asnjë ndryshim cilësor me qeveritë e mëparshme, vazhdojnë vjedhjet, asfalti, mosdënimet dhe rezultatet e këqija e skandalet në ekonomi, në diplomaci, në arsim, në shëndetësi,në rend, në siguri etj. Më shumë sesa ta ngresh veten në rolin e kryeministrit kemi pasur rolin e kryeministrit që ai e ka ulur derisa e ka përshtatur me veten.

Zëri: Si Vetëvendosje keni kritikuar disa vendime të Qeverisë aktuale. Cilat vendime i shihni si më të dëmshme?

Kurti: Pazari me Radojçiqin e përkëdhelja e Rikallos, inflacioni me 80 zëvendësministra dhe dyfishimi i pagës vetvetes, kontrata kapitulluese me “Contour Global”-in, ratifikimi i Demarkacionit të Mehës, duke mashtruar me korrigjimin që u harrua, dëbimi pa ligj e gjyq i gjashtë shtetasve të Turqisë, humbja e 53 milionë eurove te “Bechtel”-it, debakli i organizimit të 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit etj. etj. kanë diskredituar këtë Qeveri të delegjitimuar në Qeveri të pakicës. Dhembjen dhe dëmin më të madh e ka shkaktuar me Demarkacionin e bazuar mbi rrena e tradhti, si dhe me marrëveshjen e korrupsionit miliardësh të zhvatjes së popullit e pasurive tona përmes kontratës me “Contour Global”-in.

Zëri: Si e vlerësoni vendimin për rritjen e pagave për qeveritarët? A ka Kosova luksin që pushtetarët të paguhen kaq shumë?

Kurti: Vendi më i varfër në rajon me qeveritarët më të pasur në rajon, kjo është për të qeshur e për të qarë. Në vend të politikanëve që sakrifikojnë veten për të bërë shtet kemi politikanë që sakrifikojnë shtetin për të bërë qejf.

Shpresojmë të hiqet izolimi poshtërues

Zëri: Së shpejti pritet të publikohet raporti për heqjen ose jo të vizave me BE-në. A prisni që Kosova këtë vit ta fitojë liberalizimin apo kjo gjë nuk do të ndodhë për shkak të kundërshtimeve nga pesë shtetet mosnjohëse, përkatësisht Spanjës?

Kurti: Dëshiroj shumë që të ndodhë liberalizimi i vizave në Kosovë. Që edhe populli ynë e sidomos të rinjtë të mundë të dalin nga ky izolim poshtërues. Po ashtu familjet e mërgimtarëve që na e mundësuan edhe luftën çlirimtare dje, edhe paqen sociale sot mbeten të ndara pa mundësi vizitash normale. Por, me këta qeveritarë që kemi nuk mund të kemi asnjë koncept të politikës së jashtme. E vetmja diplomaci që këta bëjnë është të paguajnë firma lobimi e këshillimi me paratë tona dhe të shkojnë të hanë darka e dreka me politikanë të huaj. Kështu nuk ecet përpara, pa plan, pa strategji. Jemi vonuar shumë, tepër shumë. Sepse jemi në rrugë të gabuar, shumë të gabuar me këtë Qeveri. 

Zëri: A është duke u luftuar seriozisht krimi i organizuar dhe korrupsioni derisa nuk ka as bazë ligjore për konfiskimin e pasurisë së paligjshme?

Kurti: Jo. As baza ligjore nuk është e duhura, por as vullneti nuk ekziston. Asnjë kriminel i madh, asnjë organizatë kriminale, asnjë i korruptuar i fuqishëm nuk është dënuar nga Kosova. Pse? Sepse ata vetë i kontrollojnë partitë në pushtet, por edhe disa nga pseudoopozitarët. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do shtet të fortë dhe këtë mund ta bëjë vetëm Lëvizja Vetëvendosje. Me qeverisjen tonë kurrë më s'do të ketë as individë, as parti e as kompani më të fuqishme se shteti. 

Nuk do ta lejojmë Thaçin ta poshtërojë Kosovën

Zëri: Tashmë ka filluar faza finale e dialogut me Serbinë. Cili sipas jush do të jetë rezultati i këtij procesi?

Kurti: Ky proces është jolegjitim dhe përfundimi i tij do të jetë i papranueshëm. Thaçi nuk ka mandat të merret vesh me askënd për Kosovën, sepse Kosova është Republikë dhe mandatet i jep Parlamenti. Nuk do ta lejojmë atë ta shesë e ta poshtërojë Kosovën në një dialog, i cili gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë pa parime, pa strategji, pa synime transparente dhe me plot rrena e padrejtësi.

Zëri: Ju keni dalë kundër Thaçit si kryenegociator, por kush duhet ta udhëheqë këtë proces dhe a do të pranonit që ju ta udhëhiqni?

Kurti: Nuk është i pranueshëm asnjë proces dialogu pa u bërë në Kuvend një vlerësim i hollësishëm i asaj çka ka ndodhur deri më tash me dialogun gjashtëvjeçar dhe pa marrë përgjegjësitë personat përgjegjës për dëmet e pakthyeshme që ia ka shkaktuar Kosovës ky dialog. Pas raportimit dhe vlerësimit të detajuar të dialogut mund të përcaktohemi për rrugën që duhet ndjekur më tej e ku vendosim si për parimet e kushtet, për kërkesat ndaj Serbisë e qëllimet tona në dialog, po ashtu edhe për ekipin negociator e udhëheqjen e tij.

Zëri: A mund të jetë zgjidhje kompromisi për një autonomi për serbët e Kosovës në këmbim të njohjes së vendit nga Serbia?

Kurti: Ky është skenari më katastrofal për Kosovën, si një shtëpi me dy pronarë. Kjo është në fakt ajo që e kemi quajtur bosnjëzim i Kosovës. Të gjithë ata që e shohin si arritje këtë le ta shohin ku është sot Bosnja, pa asnjë perspektivë evropiane, e izoluar, e varfër, e kontrolluar nga Serbia e Rusia dhe pa rrugëdalje, edhe pse Serbia e ka njohur formalisht Bosnjën si shtet. Asisoj çlirimi dhe pavarësia zhvlerësohen. Sepse, cili është kuptimi i daljes së Kosovës nga Serbia nëse kjo pasohet me hyrjen e Serbisë në Kosovë?

Zëri: A mund të ketë ndarje apo shkëmbim territoresh?

Kurti: Kosova është një dhe e pandashme. Serbia duhet të ballafaqohet me krimet dhe dëmet e luftës së vet, të kërkojë falje dhe të njohë Kosovën. Kjo është ajo që duhet kërkuar vazhdimisht të gjithë partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës.

Zëri: Cili do të jetë reagimi i opozitës nëse themelohet Asociacioni me kompetenca ekzekutive, do t’i riktheheni organizimit të protestave apo keni ndryshuar formën e kundërshtimit, pasi që gjatë mandatit të kryeministrit Haradinaj nuk keni organizuar asnjë protestë?

Kurti: Kjo do të jetë diçka që do të diskutohet e do të vendoset në forumet e Lëvizjes. Ne kemi protestuar në Kuvend kundër Demarkacionit dhe kemi bërë disa protesta simbolike kundër fenomeneve negative të kësaj Qeverie. Por, demonstrata ende nuk ka pasur. Shpresojmë që të mos e detyrojnë popullin të dalë sërish në demonstrata kundër “Zajednicës” për ta mbrojtur Kosovën.

Me Thaçin, Haradinajn e Veselin Kosova nuk do të ketë ushtri

Zëri: Qeveria ende nuk po arrin ta transformojë as FSK-në në Forca të Armatosura të Kosovës për shkak të kundërshtimeve të Listës Serbe. A duhet bërë një transformim të tillë me ndryshime kushtetuese apo nëpërmjet ndryshimeve ligjore dhe në kundërshtim me rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë?

Kurti: Shumë më tepër në botë ka ushtri pa shtete sesa shtete pa ushtri. Ushtritë pa shtet janë të panumërta. Shtetet pa ushtri numërohen në gishta të dorës. Edhe ato kanë një marrëveshje bilaterale me ndonjë shtet tjetër që i mbron, si p.sh. Islanda me SHBA-në. Ne nuk kemi as me SHBA-në e as me Shqipërinë. Ushtria është domosdoshmëri për Republikën e Kosovës. Nuk po punohet fatkeqësisht me partnerët në këtë drejtim. As këtu nuk ka plan dhe strategji serioze. Jetojmë në kohë rreziqesh të mëdha gjeopolitike e ne vazhdojmë  të mashtrohemi nga Thaçi, Haradinaj e Veseli. Me këta nuk do të kemi kurrë ushtri. Po të mundë të bëhej me tender ushtria do ta kishin bërë me kohë. Sepse ata i duan kompanitë e tyre, jo ushtrinë për shtetin. 

Zëri: Kur mendoni se në Kosovë do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Kurti: Sa më shpejt, aq më lehtë për popullin. Sa më vonë, aq më vështirë do ta kemi të gjithë, sepse gabimet dhe krimet e qeveritarëve tanë po vijnë duke u shtuar. Me Qeveri të pakicës nuk kemi as minimumin e demokracisë institucionale në shtetin e Kosovës, që është Republikë Parlamentare. 

Zëri: Me herët keni deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje ka vija të kuqe për koalicion me PDK-në. Nëse vendoset për zgjedhje të parakohshme a do të keni vija të kuqe vetëm me partinë e Kadri Veselit apo edhe me ndonjë subjekt tjetër politik që është pjesë e Qeverisë aktuale?

Kurti: Ne kemi vija të kuqe për të gjithë ata që janë korruptuar, kanë marrë pjesë në krim ose kanë tradhtuar interesat kombëtare. Për koalicionet gjithnjë marrim si bazë marrëveshjet programore dhe pastërtinë ligjore të atyre që do të qeverisin.

PSD-ja shumë e vogël, edhe po të dyfishohet nuk e kalon pragun

Zëri: A do të bëni koalicion me partinë e ish-nënkryetarit tuaj, Shpend Ahmeti?

Kurti: Deri më tani nuk duket e nevojshme. Ende nuk po japin sinjale që janë kombëtarë, të majtë ose luftues të korrupsionit, përkundrazi. Dhe në përqindje janë aq pak: edhe po të dyfishohen nuk e kalojnë pragun prej 5%. U kanë shkaktuar zhgënjim të madh votuesve dhe anëtarëve tanë me sjelljet e tyre dhe me braktisjen e idealit të përbashkët, por dëmin më të madh ia kanë bërë vetvetes. Ka humbur shpresa e njerëzve në ta e për ta.