Ky do të jetë delegacioni i Kosovës në Samitin e Londrës

Aktuale July 09, 2018 - 15:26
Lexoni më shumë detaje

Nesër pritet të takohen kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian në Samitin e Londrës, i cili mbahet në kuadër të “Procesit të Berlinit”.

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se fokusi i këtij Samiti do të jenë siguria, ekonomia dhe bashkëpunimi politik.

Delegacioni i Kosovës do të udhëhiqet nga kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa pjesëmarrës të tjerë do të jenë edhe ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli dhe ai i Punëve të Brendshme Bejtush Gashi.

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë për gazetën “Zëri” ka konfirmuar se më datën 10 korrik kryeministrja britanike Theresa May do ta presë Samitin e Ballkanit Perëndimor në Londër si një shenjë e angazhimit të gjatë të këtij shteti në rajon dhe në sigurinë evropiane.

Zyra për Informim në Qeverinë e Kosovës ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se në Samitin e Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Londër, Kosova do të përfaqësohet nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Në sesionin kryesor të datës 10 korrik do të jenë dy sesione, njeri i udhëhequr nga kryeministrja e Britanisë së Madhe Theresa May dhe tjetri sesion nga kancelarja gjermane Angela Merkel.

Në këtë Samit përveç kryeministrit Haradinaj marrin pjesë edhe ministrat Behgjet Pacolli e Bejtush Gashi.

“Në Londër, po në këtë Samit, me rol të veçantë do të jenë edhe ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli dhe ministri i Punëve të Brendshme Bejtush Gashi. Ekonomia, politika e jashtme, çështjet bilaterale, siguria dhe migrimi janë disa nga temat e Samitit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.

Kurse profesori i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka thënë për gazetën “Zëri” se samitet e tilla janë shumë të rëndësishme, në radhë të parë për faktin se janë forume ku mblidhen krerët e shteteve, që mund të jenë presidentë vendesh ose kryeministra ose edhe mbretër.

“Nisur nga primati i Samitit, nuk do koment se është një eveniment i një rëndësie të veçantë dhe në dritën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Është po ashtu i rëndësishëm për faktin se do të rikonfirmohet edhe një herë interesimi i BE-së, në radhë të parë i shteteve më të fuqishme, për përfshirjen e kësaj pjesë në BE”, ka vlerësuar Hoti.