Asnjë libër amzë i Serbisë nuk i është dorëzuar Mitrovicës së Veriut

Aktuale July 09, 2018 - 08:41
Lexoni më shumë detaje

Shefja e Administratës Komunale në Komunën e Mitrovicës së Veriut, Ardiana Hoxhiq, është ankuar se librat e amzës që ka lëshuar Republika e Serbisë e të cilat i janë dorëzuar Agjencisë së Regjistrimit Civil në Prishtinë nuk i janë dorëzuar Mitrovicës së Veriut, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Për këtë arsye Hoxhiq ka thënë se qytetarët e Mitrovicës Veriore kanë probleme të mëdha për t’u pajisur me dokumente.

Ajo ka sqaruar se ky është njëri nga problemet më të mëdha dhe shumë serioz, të cilin thotë se e ka alarmuar publikisht, madje edhe para faktorit ndërkombëtar, para ministrive të ndryshme, por që nuk ka pasur asnjë përgjigje konkrete.    

LEXO EDHE: Pacientët, mal ankesash për mungesën e mjekëve në punë                                                                             

“Komuna jonë është komuna e vetme që nuk ka pranuar këto libra. Mos ndoshta dikush ka menduar se Komuna Veriore e Mitrovicës është bashkë me atë Jugore dhe përbëjnë një komunë, e që selia është në jug. Ky është jointeresim i njerëzve që punojnë para së gjithash në Komunën Jugore e gjithashtu edhe të atyre që punojnë në Agjencinë e Regjistrimit Civil, të cilët nuk kanë kuptuar dhe nuk kanë dashur as të dëgjojnë për kërkesat tona. Për shkak të këtyre mangësive nuk jemi në gjendje që t’u ofrojmë shërbime qytetarëve”, ka deklaruar Hoxhiq, deklaratën e së cilës e përcjell “Radio Kontakt Plus” në veri të Mitrovicës.

Shefja e Administratës në Komunën e Mitrovicës së Veriut ka kërkuar që të krijohet një udhëzim administrativ, i cili do të njihte të gjitha kurorëzimet dhe çdo dokument të lëshuar nga komunat serbe, duke përfshirë certifikatat dhe vërtetimet e lëshuara nga institucionet serbe.                        

“Sepse nuk mund të paraqitemi sikur ato nuk ekzistojnë dhe nuk kanë ekzistuar, de fakto që ekzistojnë dhe falë Zotit ato kanë ekzistuar, sepse ka ekzistuar dikush përgjegjës që ua ka përcjellë gjendjen civile të gjithë njerëzve që jetojnë në këto hapësira”, ka thënë ajo.

Problem tjetër Hoxhiq ka përmendur mungesën e një përkthyesi.                                                                

“Nëse nuk ka përkthim adekuat të dokumenteve, atëherë nuk keni mundësi të komunikimit, atëherë për çfarë besimi mund të flasim”, ka pyetur shefja e Administratës Komunale në Komunën Veriore të Mitrovicës, Adriana Hoxhiq.