Pacientët, mal ankesash për mungesën e mjekëve në punë

Aktuale July 09, 2018 - 08:27
Mësoni më shumë shumë detaje

Besim Kodra, drejtor i Programeve në Shoqatën për të Drejtat e Pacientëve, ka thënë për “Zërin” se 38% e ankesave në këtë shoqatë janë për mungesën e stafit mjekësor në vendin e punës

L.B. kishte shkuar për kontroll ditë më parë në njërën nga klinikat në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), megjithatë ajo priste kot pasi që mjeku nuk ishte në vendin e punës.

Ajo ka treguar për gazetën Zëri se kishte pritur më shumë se gjysmë ore dhe pasi që nuk kishte marrë shërbimin mjekësor në Spitalin publik ishte drejtuar për në klinikë private.

“Kam shkuar diku rreth orës 10:00 për një kontroll mjekësor. E kam parë që ishin duke pritur për kontroll edhe pacientë të tjerë. Mendova që dikush ishte brenda duke u kontrolluar, por kur e hapa derën nuk kishte qenë askush prej mjekëve. I pyeta motrat medicionale, të cilat kalonin andej dhe më thanë se tani vjen mjeku. Prita ndoshta diku më shumë se gjysmë ore, por nuk erdhi askush. Nuk munda të pres më shumë, u ngrita dhe i kërkova bashkëshortit të më dërgonte te ndonjë klinikë private”, ka thënë ajo.

LEXO EDHE: Prishtinasit, tmerr nga mushkonjat

Megjithatë, ky nuk është rasti i vetëm kur pacientët nuk mund ta gjejnë personelin mjekësor gjatë orarit të punës në vendet e tyre duke punuar.

Këtë gjë së fundmi pacientët kanë vendosur ta tregojnë edhe përmes incizimeve.

Ditë më parë është publikuar një video e realizuar në Qendrën Emergjente në QKUK.

Në incizimin i cili thuhet se është bërë në orët e hershme të mëngjesit shihet as asnjë punëtor mjekësor nuk ishte në Klinikë.

Ndërsa një video e tillë është publikuar edhe nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Ferizaj, ku derisa pacientët prisnin për kontroll pas orës 16:00 asnjë mjek nuk ishte në vendin e punës.

Shumë ankesa për mungesën e mjekëve në punë

Besim Kodra, drejtor i Programeve në Shoqatën për të Drejtat e Pacientëve, ka thënë për “Zërin” se 38% e ankesave në këtë shoqatë janë për mungesën e stafit mjekësor në vendin e punës.

“Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë në vazhdimësi pranon ankesa të ndryshme nga pacientët. Ankesat janë të natyrave të ndryshme, por vlen të theksohet se më shumë nga to, 38% nga të gjitha kategoritë e tjera, kanë të bëjnë me mungesën e profesionistëve shëndetësorë në vendin e punës”, ka thënë ai.

Kodra ka deklaruar se ankesat më të mëdha për këtë çështje kanë të bëjnë me Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe me spitalet rajonale.

Sipas tij, edhe pse këto ankesa Shoqata i ka drejtuar edhe në institucione të tjera, siç ka thënë ai, ndëshkimet për stafin mjekësor që i bën këto shkelje janë shumë të ulëta.

“Të gjitha ankesat ne i drejtojmë te komisionet për ankesa të pacientëve pranë institucioneve, por fatkeqësisht ka një trajtim të padinjitetshëm të tyre. Kur them të padinjitetshëm mendoj në faktin se shumë herë nuk japin përgjigje, nëse japin përgjigje ato janë shumë të vonuara, por edhe ndëshkimet e stafit mjekësor që i shkel të drejtat e pacientëve janë tejet të ulëta”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se sistemi shëndetësor ka nevojë që profesionistët shëndetësorë të ndërgjegjshëm t’i shpërblejë e ata të pandërgjegjshëm t’i ndëshkojë.

Syla: Pak mjekë s’e respektojnë orarin e punës

Në anën tjetër, kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë Blerim Syla ka thënë se është një numër i vogël i rasteve kur mjekët nuk e respektojnë orarin e punës, derisa ka kërkuar që ato të bëhen publike.

“Raste individuale ka. Unë kam kërkuar nga ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili dhe po kërkoj nga të gjithë që vetë qytetarët t’i dedikojnë me emra dhe me mbiemra dhe të dalin publikë. Është një numër shumë i vogël. Një numër i madh i tyre e kryejnë punën me nder”, ka thënë ai për gazetën.

Syla ka shtuar se nuk i mbron profesionistët shëndetësorë, të cilët shkelin ligjin.

“Unë e kam lutur edhe Ministrinë që t’i bëjmë mekanizmat e përbashkëta, t’i kontrollojmë këto raste dhe të dalim bashkë. Unë nuk dua t’i mbroj ata, unë dua të luftoj deri në pikën e fundit për të drejtat e tyre, por jo t’i mbroj ata të cilët nuk e respektojnë ligjin. Sot ka qenë një mbledhje në mes ministrit dhe i kam thënë atij që të formojnë grupe të posaçme dhe t’i evitojmë këto raste”, ka thënë ai.

SHSKUK: Kemi pranuar 5 ankesa, inkurajojmë qytetarët të ankohen

Zyrtarë për Informim në Zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) kanë thënë  për “Zërin” se në klinika ekzistojnë kutitë e ankesave për pacientët, megjithatë këto kuti shfrytëzohen pak nga ata.

“Në klinikat e QKUK-së ekzistojnë kutitë e ankesave, në të cilat pacientët kanë mundësi të shprehin shqetësimet, ankesat, vërejtjet, sugjerimet dhe lëvdatat e tyre nga përvojat e tyre personale gjatë trajtimit në QKUK. Komisioni prej 3 anëtarëve bën hapjen e kutive të ankesave, në të cilat nuk janë gjetur ankesa direkte nga pacientët. Pra, këto kuti shfrytëzohen pak nga pacientët”, kanë thënë ata.

Sipas tyre, Komisioni për Trajtimin e Ankesave në SHSKUK muajve të fundit ka pranuar pesë ankesa në lidhje me komunikimin e stafit profesional.

“Krahas kutive të ankesave, brenda SHSKUK-së ekziston edhe Komisioni për Trajtim të Ankesave dhe të Shqetësimeve të Qytetarëve, i cili shqyrton në vazhdimësi ankesat që drejtohen në këtë institucion. Muajt e fundit ky komision ka pranuar 5 ankesa, që kryesisht kanë pasur të bëjnë me komunikimin e stafit profesional. Komisioni pasi ka shqyrtuar ankesat ua ka tërhequr vërejtjen klinikave për ku kanë ardhur ankesat”, kanë thënë ata.

Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm ka inkurajuar të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore për të shprehur shqetësimet tyre në lidhje me trajtimin në QKUK.

Sipas tyre, QKUK-ja garanton se do të ruhet konfidencialiteti i plotë dhe secila nga ankesat eventuale do të shqyrtohet me seriozitet të madh.

Ismaili: Do të shtohen masat për rritjen e disiplinës në punë

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ditë më parë përmes rrjetit të tij social “Facebook” ka thënë se do të shtohen masat për rritjen e disiplinës në punë.

“Krahas shtimit të investimeve, përmirësimit të kushteve për personelin mjekësor dhe për pacientët do të shtohen edhe masat për rritjen e disiplinës në punë. Kjo në veçanti ndaj papunëtorëve, të cilët i shohin spitalet dhe klinikat tona publike si recepsione referuese. Së fundi, kemi marrë disa ankesa nga qytetarët, të cilat kanë dërguar edhe fotografi dhe video të ndryshme. Meqë qytetarët janë epiqendra e shërbimeve tona, për të cilët ne jemi duke e bërë gjithë këto punë, edhe këto ankesa nuk do të kalojnë pa u trajtuar”, ka thënë ai.

Sipas tij, as politika dhe as menaxhmenti shëndetësor nuk do të jenë strehë e papunëtorëve dhe të papërgjegjshmëve, të cilët i lënë zyrat dhe dhomat e kontrollit të zbrazëta.