Prishtinasit, të tmerruar nga mushkonjat

Aktuale July 09, 2018 - 08:16
Mësoni më shumë shumë detaje

Ndonëse dy herë është bërë dezinfektimi hapësinor në komunën e Prishtinës, qytetarët  janë në hall të madh nga mushkonjat, shkruan sot Gazeta "Zëri".

“Unë jetoj në lagjen ‘Emshir’ të kryeqytetit dhe pavarësisht se është bërë dezinfektimi i lagjes prapë ka shumë mushkonja. Dezinsektimi nuk po ka efekt dhe nuk do e dimë se ku po qëndron problemi. Mushkonjat vetëm po shumohen”, ka thënë M.L., nga kjo lagje.

Sipas qytetarëve, një gjendje e tillë është edhe në pjesë tjera të kryeqytetit, ndërsa lidhur me këtë gjë zyrtarë nga kompania kontraktuese për Zërin kanë deklaruar se shkaktarë kanë qenë reshjet e mëdha të shiut, të cilat ia kanë humbur efektin produktit për eliminimin e mushkonjave.

LEXO EDHE: Kryeministrat takohen në Londër, flasin edhe për luftimin e korrupsionit

Të njëjtën gjë e kanë deklaruar edhe zyrtarë nga Komuna e Prishtinës.

Këta të fundit për Zërin kanë deklaruar se deri më tani kushtet klimatike kanë qenë ato që kanë ndikuar në shumimin e mushkonjave.

Sipas tyre, për këtë gjë kanë pranuar ankesa edhe nga qytetarët.

Përndryshe, për dezinsektimin hapësinor Komuna e Prishtinës ka dhënë tender në vlerë prej mbi 615 mijë eurosh.

Kompania kontraktuese: Dy fazat e para të dezinsektimit, të pasuksesshme

Alban Gunga, zyrtar nga kompania “Truly Nolen”, e cila është e kontraktuar nga Komuna për dezinfektimin hapësinor, ka deklaruar se dy fazat e para të këtij procesi nuk kanë pasur suksese për shkak të reshjeve intensive të shiut, por që tani kjo kompani ka hartuar një strategji të re, e cila sipas tyre besohet që do të ketë efekt.

“Deri të hënën po pritet që të ketë përkeqësim të motit dhe nuk po mundemi të fillojmë me fazën e tretë e dezinsektimi. Efekt dhe qëndrueshmëri të shërbimeve nuk është që ka pasur për shkak të reshjeve me intensitet shumë të madh, të cilat e kanë shpërlarë edhe produktin, por në të njëjtën kohë ka ndikuar edhe në shumimin e mushkonjave. Ne do të marrim masa të reja, që do të kenë efekt në largimin e mushkonjave. Tani kemi krijuar një strategji të re, e cila besoj që do të ketë efekt”, ka thënë Gunga.

Tahiri: Do të vazhdojmë me fazën e tretë

Lidhur me shumimin e mushkonjave zyrtari për Informimin në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, për “Zërin” ka konfirmuar se kanë pranuar ankesa edhe nga qytetarët.

Sipas tij, arsyet e shumimit të mushkonjave kanë qenë reshjet e shumta të shiut. 

“Reshjet e shumta në muajt e fundit kanë krijuar kushte për shumimin e insekteve dhe e kanë zbehur efektin e dezinsektimit. Megjithatë, ne kemi arritur t'i përfundojmë dy fazat e para të dezinfektimit, sepse po të mos ndodhte një gjë e tillë gjendja do të ishte shumë më e rëndë. Ankesa kemi marrë për numrin e madh të mushkonjave e jo për kompaninë”, ka thënë Tahiri.

Ai ka njoftuar edhe për fazat e radhës të dezinfektimit hapësinor të komunës së Prishtinës.

“Këtë të hënë do të vazhdojmë me fazën e tretë, pas tri javësh me të katërtën e kështu me radhë derisa të përfundohen të gjashtë fazat e dezinsektimit. Me kushtet aktuale klimatike presim që efekti i këtij procesi të jetë shumë më i madh në fazat e radhës”, ka përfunduar Tahiri.

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe kryetari i Prishtinës shpend Ahmeti të dielën përmes një postimi në “Facebook”.

Sipas Ahmetit, kanë mbetur edhe katër faza për të përfunduar, mirëpo që nuk do të fillojnë pa përfunduar reshjet e shiut, të cilat e kanë kapluar Prishtinën këto ditë.

Ai po ashtu ka shkruar se për shkak të shiut efekti i dezinsektimit është i pavërejtur.

“Dy valë të dezinsektimit kanë përfunduar dhe kanë mbetur edhe katër. Mirëpo, kur ka të reshura efekti është minimal. Valën e tretë ende nuk po e fillojmë, sepse deri të mërkurën pritet të ketë shi. Në momentin kur kemi së paku një periudhë dyditore pa shi Komuna fillon menjëherë valën e tretë, sepse përndryshe efekti i dezinsektimit është i pavërejtshëm”, ka shkruar Ahmeti.