Thaçi në ''rrugë pa krye''

Aktuale July 09, 2018 - 07:40
Mësoni më shumë shumë detaje

Iniciativa e presidentit Hashim Thaçi për të krijuar një grup të unitetit në procesin e dialogut me Serbinë s’po përkrahet assesi nga opozita kosovare. Në këtë rrugë të vështirë politike i pari i shtetit, si kryenegociator i këtyre bisedimeve, po synon mbështetjen e partisë më të madhe opozitare (LDK), shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ndonëse presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tashmë ka paralajmëruar krijimin e një grupi të unitetit rreth procesit të dialogut me Serbinë, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë.

Përkundrazi, partitë opozitare po vazhdojnë të mos e mbështesin mënyrën sesi ka nisur faza finale e dialogut e as udhëheqësin e kësaj etape, presidentin Hashim Thaçi.

Megjithëkëtë, nga ana e koalicionit qeverisës tashmë kanë nisur përpjekjet për ta bindur të paktën LDK-në për ta mbështetur këtë fazë ashtu si ka nisur, shkruan më tutje "Zëri".

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj para dy ditësh u takua me kryetarin e LDK-së Isa Mustafën, me ç’rast ky i fundit bëri të ditur se me Haradinajn kanë biseduar pikërisht për dialogun me Serbinë.

Megjithëkëtë, nga Kryesia e LDK-së thonë për gazetën Zëri se ky subjekt vazhdon të mbetet prapa qëndrimit që kishte rreth kësaj çështjeje, që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe tek pastaj të vendoset për fazën finale të negociatave.

Megjithëkëtë, monitoruesit e procesit të dialogut nga shoqëria civile vlerësojnë se LDK-ja mund ta përkrahë procesin në fazën e fundit, ndonëse sipas tyre nuk pritet të arrihet ndonjë konsensus i gjerë mes spektrit politik në Kosovë.  

Rugova: Vendi të shkojë në zgjedhje, pastaj të vendoset për dialogun

Duke folur rreth fazës finale të dialogut, nënkryetari i LDK-së Haki Rugova ka thënë se LDK-ja tashmë e ka qëndrimin e saj si parti rreth kësaj çështjeje.

Pavarësisht disa deklarimeve jo të përputhshme brenda këtij subjekti sa i përket dialogut, Rugova ka thënë se LDK-ja është unike sa i takon këtij procesi.

“E keni parë komunikatën tonë, deklaratat tona dhe ai është qëndrimi ynë, që është vendosur dhe nuk kam qëndrim tjetër. Qëndrimin e partisë e përkrah, ato të tjerat janë krejt spekulime. Jemi unikë për qëndrimin definitivisht”, ka deklaruar ai.

I pyetur rreth asaj nëse presidenti duhet ose jo ta drejtojë këtë proces, ai ka institucionet që dalin nga Kushtetuta, duhet ta drejtojë dialogun. Sipas tij, vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje të parakohshme dhe pastaj të vendoset për të ardhmen e negociatave.

“Nuk është çështje e presidentit këtu, ne kemi thënë shumë qartë që institucionet e dala nga Kushtetuta, institucionet legjitime janë ato që merren me procesin e dialogimit. Dhe ne jemi për atë që të shkojmë sa më parë në zgjedhje dhe të dalin organet kompetente e legjitime që merren edhe me dialogun”, ka potencuar ai gjatë një bisede për “Zërin”.

Duke folur për takimin mes kryeministrit Ramush Haradinaj dhe liderit të LDK-së Isa Mustafa, Rugova ka thënë se ky takim ka qenë spontan.

“Është spekuluar shumë, ka qenë një takim spontan, ka vendosur kryeministri të shkojë dhe të bisedojë me kryetarin e partisë dhe Isa Mustafa ka të drejtë të bisedojë edhe me cilindo prej liderëve të partive të tjera. Është normale”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, teksa për takimin me Haradinajn ka folur lideri i LDK-së Isa Mustafa, ka konfirmuar se ka diskutuar pikërisht për negociatat me Serbinë.

“Mbrëmë prita kryeministrin Haradinaj, me të cilin diskutuam lidhur me qëndrimet e LDK-së për dialogun me Serbinë, qëndrime këto të cilat i kemi bërë publike si Kryesi e LDK-së dhe nga takimi me kryetarët e degëve të LDK-së”, deklaroi Mustafa.

Selimi: Thaçi po tenton ta kurorëzojë interesin e Serbisë në Kosovë

Kurse deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka theksuar edhe një herë se LVV-ja nuk do ta mbështesë presidentin Thaçi për kryenegociator.

Kjo pasi, sipas tij, Thaçi po kërkon nga partitë që t’i bashkohen atij vetëm për interesa të Serbisë.

“Ai sjell Kosovën në një pozicion pa rikthim e pastaj kërkon të bëhet bashkë me të tjerët për ta ndarë me ta fajësinë që ia ka bërë tashmë Kosovës. LVV-ja nuk merr as faj nga fajësia e tij, po ashtu nuk bëhet as pjesë e së keqes së tij. Çfarë po ndodh tani është që Thaçi po përpiqet ta neutralizojë dëmin që ia ka bërë tashmë Kosovës dhe ta kurorëzojë interesin e Serbisë në Kosovë me atë që ai e quan marrëveshje finale”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

LVV-ja, sipas Selimit, do të merrte pjesë në diskutimet rreth këtij procesi vetëm nëse paraprakisht do të përmbusheshin dy kushte.

“Nëse në radhë të parë do të kishte dialog me serbët, jo me Serbinë, sepse nëse tek e fundit kemi nevojë t’i integrojmë serbët e Kosovës s’kemi pse flasim me Serbinë. E dyta, nuk mund të jetë në krye të negociatave një njeri jokredibil siç është Thaçi. Ai po e mbron dialogun me Serbinë dhe marrëveshjen finale me Serbinë”, ka potencuar ai.

Haxhiu: Besoj që do ta arrijmë konsensusin

Pavarësisht deklarimeve të opozitarëve, deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu është shprehur optimiste se do të arrihet një konsensus i gjerë rreth procesit të dialogut.

“Këtë herë unë besoj që subjektet politike vërtet do ta gjejnë një mes dhe një konsensus, në mënyrë që përmbyllja e këtij dialogu të jetë e të gjithëve”, ka deklaruar ajo.

Kjo pasi, sipas Haxhiut, çështja e dialogut nuk është vetëm temë e Qeverisë ose e partive politike, porse është një çështje me interes nacional.

Teksa ka folur për këtë proces, deputetja e AAK-së ka thënë se dialogu ka qenë i imponuar, jo i zgjedhur nga pala kosovare.

“Nuk është që e kemi zgjedhur, por megjithatë duhet ta përmbyllim”, ka nënvizuar ajo.

Haxholli: S’do të ketë konsensus të gjerë

Në anën tjetër, Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) në kuadër të projektit për dialogun, ka vlerësuar se opsioni më i mirë për fazën finale të dialogut është krijimi i një platforme nacionale.

“Është mirë që këta po mundohen ta krijojnë një grup të unitetit, por ndoshta më mirë është që të mundohen ta krijojnë një platformë nacionale. Ta hartojnë një platformë nacionale në dialog dhe pastaj rreth asaj të diskutojnë se cilat janë qëndrimet rreth saj dhe secili subjekt politik t’i ofrojë imputet e veta. Më mirë është të koncentrohet aty diskutimi sesa te ajo se a po e përkrahin presidentin si individ ose jo”, është shprehur ajo.

Ndërkohë, teksa ka folur rreth mundësisë së arritjes së një konsensusi mes spektrit politik Haxholli ka vlerësuar se arritja e një konsensusi të gjerë është thuajse i pamundur.

“Për momentin sa po shohim është se është arritur një konsensus brenda koalicionit qeverisës dhe me gjasë edhe LDK-ja do ta përkrahë. Pra, sërish do të kemi një konsensus të kufizuar, nuk ka konsensus të gjerë të spektrit politik, pasi që subjektet si Lëvizja Vetëvendosje po pritet që të mos e përkrahin përfaqësimin e Kosovës nga presidenti Thaçi. Pra, ende është një konsensus i kufizuar, pasi që LVV-ja, por edhe PSD-ja mbeten jashtë këtij konsensusi”, ka nënvizuar ajo.