Thaçi për revistën holandeze: Kemi nevojë për marrëveshje përfundimtare me Serbinë

Aktuale July 08, 2018 - 10:37
Detajet

Revista më e vjetër diplomatike në Holandë “Diplomat”, ballinën e numrit të saj më të ri ia ka kushtuar Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit.

Kjo magazinë diplomatike ka shkruar për mesazhet diplomatike të presidentit Thaçi të dhëna në Institutin holandez për Marrëdhënie Ndërkombëtare “Clingendael”

.“Paqja dhe drejtësia janë dy çështje themelore për çdo shoqëri, veçanërisht për ato në tranzicion”, citohet të ketë thënë Thaçi, shkruan “Diplomat”.

Revista e parë diplomatike holandeze ka shkruar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka prodhuar një marrëveshje historike në Bruksel, saktësisht pesë vjet më parë.

LEXO EDHE: Përçarje edhe në Serbi për dialogun, kryeministrja serbe i del në mbrojtje Vuçiqit

“Ne jemi krenarë me luftën tonë për liri dhe nuk kemi asgjë për të fshehur apo për t’u frikësuar nga e vërteta. Askush asnjëherë nuk u përpoq të ikte apo të fshihej nga drejtësia, krahasuar me shtetet e tjera në rajon”, citohet të ketë thënë Thaçi.Duke folur për shtetndërtimin në Kosovë, presidenti Thaçi ka theksuar se vetëm dhjetë vjet më parë Kosova shpalli Republikën më të re në Evropë dhe tani mund t’i shikojmë me krenari arritjet gjatë dekadës së kaluar.

“Kosova është një rrëfim suksesi, por kemi ende sfida të shumta, ashtu siç kanë edhe të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.

Sipas revistës holandeze “Diplomat”, presidenti kosovar gjatë qëndrimit në Holandë ka numëruar tri sfidat më të rëndësishme, ku një prej tyre është edhe përmbyllja e dialogut me Serbinë.

“Si Kosova, ashtu edhe Serbia, duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe të dy shtetet e dimë se duhet ta njohim njëri-tjetrin. BE-ja nuk do të na pranojë me probleme. Ne kemi nevojë për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. E di se do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për të dyja palët dhe mbi të gjitha për Kosovën. Por, jam i bindur se dialogu dhe marrëveshja janë e vetmja rrugë përpara”, ka thënë Thaçi, shkruan “Diplomat”.

LEXO EDHE: 'Brukseli si tigër pa dhëmbë'

Kjo revistë shkruan se sfida tjetër për Kosovën është ekonomike.

“Kosova po vazhdon të shënojë rritje ekonomike, por ka nevojë për të krijuar më shumë vende pune. Ne duhet të përqendrohemi në ekonominë e re dhe në mundësitë e reja. Nuk është e lehtë dhe ne ende duhet të bëjmë më shumë reforma strukturore”, citohet të ketë thënë Thaçi.

Image

Ndërkaq, sfida e tretë, presidenti Thaçi ka thënë se ka të bëjë me integrimin e Kosovës në NATO dhe BE, ku sipas tij, Kosova po punon në përmbushjen e kritereve demokratike në politikë, ekonomi dhe legjislacion.

Revista më e vjetër diplomatike në Holandë ka shkruar edhe për librin biografik për Hashim Thaçin “New State, Modern Statesman”, të promovuar para shumë përfaqësuesve të shtetit holandez, diplomatëve, ambasadorëve, gazetarëve dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Institutin holandez për Marrëdhënie Ndërkombëtare “Clingendael”.