Baftiu: Mungesa e barnave tregon dështimin e Ministrisë së Shëndetësisë

Aktuale July 05, 2018 - 12:41
Lexoni më shumë detaje

Besa Baftiu kryetare e Komisionit për Shëndetësi, në seancën plenare të Kuvendit që është duke u mbajtur tha se, mungesat e barnave arsyetohen vetëm me dështimin e Ministrisë së Shëndetësisë, raporton "Zeri.info".

Ajo tha se gjatë muajit maj furnizimi me barna nga lista esenciale dhe material shpenzues ka qenë nën 60%.

“I kam disa të dhëna të cilat janë nxjerrë në disa nga spitalet e përgjithshme në muajin maj. Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka qenë e furnizuar me 57% me barna nga lista esenciale dhe 41% material shpenzues, Spitali i Prizrenit me 44% me barna dhe 18% me material shpenzues, Spitali i Gjakovës me 58% me 26%, Spitali i Gjilanit 41% me 24%, Spitali i Ferizajt me 47% me 27% dhe ai i Pejës 44% me 20%. Këto mungesa të barnave mund të arsyetohen vetëm me dështim të MSh që të menaxhoj furnizimin me barna”, ka thënë ajo, raporton “Zeri.info”.

Sipas saj, Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur t’i përmbushë objektivat dhe detyrat e saj.

“Është diskutuar për gjendjen në shëndetësi dhe është kërkuar që sektori i shëndetësisë të ketë trajtimin e duhur nga ana e Qeverisë dhe të jetë po ashtu prioritet. Mirëpo të gjitha qeveritë deri më tani nuk kanë treguar vullnet politik për të mbështetur dhe rregulluar sistemin shëndetësor. MSH nuk ka arritur që të përmbush objektivat dhe detyrat që i përkasin si ministri, si pasojë ne sot po gjendemi përball një realiteti të hidhur në këtë sektor, apo po gjendemi përball kolapsit ku në spitalet tona publike shpeshherë nuk gjenden as barnat vitale”, tha ajo.

Baftiu më tej shtoi se ka pasur edhe keqpërdorim të buxhetit, pasi që barnat janë blerë shumë më shtrenjtë se çmimi real i tyre.

“Unë po besoj se e keni parë apo edhe dëgjuar një hulumtim që është bërë nga Instituti Columbus e që po besoj që gjithsecili që e keni parë jeni tmerruar në atë që ka ndodhur në prokurimin e barnave gjatë viteve 2016-2017. Efektet e këtyre keqpërdorimeve po i bartin pacientët të cilët janë të detyruar t’i blejnë nga shiringat e deri te penjtë kirurgjik. Në këtë hulumtim është gjetur se çmimi i barnave është rritur nga 100% deri në 2,000%. Miliona euro janë keqpërdorur nga disa kompani farmaceutike”, theksoi ajo.

Ajo së bashku me anëtarët e tjerë të Komisionit për Shëndetësi kishin edhe pyetje për t’i bërë ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, megjithatë për shkak të mungesës së ministrit në seancën plenare, ata nuk i parashtruan pyetjet e tyre.

Për shkak të mungesës së ministrit, as ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani nuk pranoi të bënte pyetjen pa qenë ministri prezent.

“Pyetjen nuk do ta bëjë, sepse nuk jam i interesuar me fol vetëmevete dhe nuk e kam veç me dal në televizor, pyetja që kam pas me shtrua është e interesit të madh publik për qytetarët dhe pacientët”, tha ai. /ZËRI/