Luftimi i korrupsionit, ende nën ''llupën'' e BE-së

Aktuale July 05, 2018 - 07:47
Mësoni më shumë shumë detaje

Zyrtarë të Komisionit Evropian (KE) i kanë deklaruar “Zërit” se ende janë duke e vlerësuar nëse Kosova e ka përmbushur kriterin e fundit për liberalizim të vizave, përkatësisht luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Ndërsa njohës të këtij procesi thonë se rekomandimi i KE-së do të jetë pozitiv, por vendimmarrja politike do të jetë e vështirë pasi është rritur skepticizmi në disa shtete të rëndësishme

Komisioni Evropian (KE) pritet që deri në mesin e javës së ardhshme të publikojë rekomandimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Zyrtarë të KE-së kanë thënë për gazetën Zëri se vlerësimi për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit është duke vazhduar ende.

Ndërsa njohës të këtij procesi thonë se rekomandimi i KE-së do të jetë pozitiv, por vendimmarrja politike do të jetë e vështirë pasi ata thonë se është rritur skepticizmi në disa shtete të rëndësishme si Franca, Gjermania, Holanda, Suedia e Austria, shkruan më tutje "Zëri".

Ata thonë se vendimi për heqjen e vizave për Kosovën mund t’i forcojë subjektet politike të ekstremit të djathtë në Parlamentin Evropian.

Prandaj sipas njohësve të integrimeve, vendimi për heqjen e vizave mund të mos merret deri pas zgjedhjeve për PE-në, të cilat mbahen në majin e vitit të ardhshëm.

KE: Vlerësimi për luftimin e korrupsionit s’ka përfunduar

Të pyetur se kur do të publikohet rekomandimi i Komisionit Evropian lidhur me çështjen e vizave dhe se deri ku ka arritur procesi i vlerësimit mbi kriterin e fundit, nga ky institucion i kanë thënë gazetës “Zëri” se vlerësimi nuk ka përfunduar ende.

“Kosova ka plotësuar njërin nga kriteret me ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin me Malin e Zi, më datë 21 mars. Kur bëhet fjalë për luftën kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit, vlerësimi është ende në vazhdim”, thuhet në përgjigjen e KE-së dhënë “Zërit”.

Në anën tjetër ditë më parë ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se pritjet janë që deri më 11 korrik të publikohet rekomandimi i Komisionit Evropian.

Sipas saj, vendimi për heqjen e vizave do të merret brenda këtij viti.

Kollçaku: Pushtetarët po shëtisin, por nuk po lobojnë

Anëtarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka thënë se janë disa arsye që e kanë penguar Kosovën të marrë liberalizimin e vizave, por kushti kryesor sipas saj ka qenë luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit.

“Janë shumë arsye pse Kosova nuk u është bashkangjitur shteteve që e kanë fituar të drejtën për lëvizje të lirë në Zonën Shengen. Por kushti kryesor ka qenë lufta kundër krimit dhe korrupsionit institucional e që është për keqardhjen niveli, ndërsa pushteti është ngutur me ratifikimin e Demarkacionit me pretekstin se është kushti kryesor”, ka deklaruar ajo.

Më tej deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se pushtetarët janë shëtitur nëpër vendet evropiane dhe ato botërore, porse kanë munguar rezultatet.

“Jo vetëm që nuk është bërë lobim i mjaftueshëm, por është bërë edhe regres. Pushtetarët në vend se të lobojnë, po shëtisin nëpër Evropë, por edhe më gjerë dhe nuk po sjellin asgjë konkrete. Mosserioziteti, mungesa e vullnetit politik që të përmbushen kriteret dhe qasja e gabuar në lobim kanë rezultuar me këtë që edhe po na shtohen kushtet”, ka deklaruar Kollçaku për gazetën “Zëri”.

Në fund ajo ka thënë se Qeveria në vazhdimësi po bën “autogola”.

Sipas saj, vendet mike të Kosovës kanë të drejtë të jenë të zhgënjyera me Qeverinë e Kosovës, pro vendimi për mosliberalizim do të ishte dënim për qytetarët dhe jo për Qeverinë.

“Vendet mike kanë të drejtë të na qortojnë, por shpresojmë se nuk do të marrin ndonjë vendim i cili do t’i dënonte qytetarët e Kosovës, pasi ky nuk është dënim për Qeverinë. Qytetarët nuk e meritojnë të dënohen për mospunën e Qeverisë”, ka përfunduar Kollçaku.

Kryeziu: Rekomandimi pozitiv, por vendimmarrja politike e vështirë

Njohësi i integrimeve evropiane Taulant Kryeziu ka thënë për “Zërin” se pret që rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën të jetë pozitiv.

Por ai ka thënë se rekomandimi i Komisionit është pjesa teknike e procesit.

Më tej ai ka thënë se pjesa teknike e procesit, e cila kërkon një vendimmarrje politike, e vendimmarrja politike për procesin e liberalizimit të vizave zhvillohet në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e BE-së nën konfiguracion të ministrave të Brendshëm ose të Drejtësisë.

Sipas tij, vendet e rëndësishme si Gjermania dhe Franca janë ende skeptike për heqjen e vizave për Kosovën.

“Prandaj kjo duhet të ndahet në dy pjesë: raporti është pjesa teknike që e pres pozitiv, por për disa arsye kryesisht që kanë të bëjnë me luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit të nivelit të lartë, sistemi ynë i drejtësisë nuk është treguar efikas, problemeve të migrimit që ka vetë BE-ja, skepticizmi që po ekziston në vendet kryesore të BE-së: Francë, Gjermani, Holandë dhe e dyta është kërkuar nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme, Këshilli ka kërkuar prej Komisionit edhe raport se a po vazhdon zbatimi edhe i kritereve të tjera të cilat janë”, ka vlerësuar Kryeziu, duke thënë se këto arsye mund ta shtyjnë procesin sa i përket vendimmarrjes politike.

Më tej ai ka thënë se raporti pritet të dalë së shpejti, porse vendimmarrja politike do të ketë probleme.

“Skenari pozitiv do të kishte qenë që ta kemi një vendimmarrje këtë vit. Që të kemi vendim nga ana e Parlamentit dhe e Këshillit e pastaj a bëhet liberalizimi në fund të vitit ose në vitin tjetër është pak me rëndësi. Por është qenësore që vendimmarrjen ta kemi këtë vit dhe të mos devijojë procesi për vitin 2019”, ka shtuar Kryeziu.

Ai po ashtu ka thënë se nuk pret që këtë vit të ndodhë liberalizimi.

“Unë nuk pres që sivjet ose pres vështirësi që liberalizimi të ndodhë këtë vit. Janë gjasat më të vogla për tri arsye: çështja e migrimit - skepticizmi brenda vetë vendeve anëtare të BE-së, mosefikasiteti i sistemit tonë të drejtësisë në trajtimin e rasteve të profilit të lartë dhe çështja e tretë që është kërkuar edhe një raport për kriteret e tjera se a vazhdojnë të zbatohen në mënyrë të kënaqshme”, ka potencuar ai duke thënë se me saktësi nuk e di askush, përveç vendeve anëtare kryesore të BE-së dhe pozicionimi i tyre në Këshill.

Murati: Kosova t’i bindë shtetet e BE-së se s’do të ketë valë të migrimit

Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën në këtë vit mund të ndikojë që subjektet politike të ekstremit të djathtë të rriten në Parlamentin Evropiane në zgjedhjet që do të mbahen në majin e vitit të ardhshëm. “Nëse liberalizohen vizat tash në këtë fazë mund të ndikojë në rritje të subjekteve politike të ekstremit të djathtë dhe që kanë politika kundër migracionit dhe kjo mund t’i dëmtojë shtetet e caktuara ose subjektet e caktuara në zgjedhjet e Parlamentit Evropian”, ka vlerësuar Murati.

Ai po ashtu ka thënë se Kosova duhet t’i bindë shtetet mike se nuk do të ketë valë të migrimit pas liberalizimit.

“Teknikisht edhe ka shanse që edhe këtë vit të kemi viza, por duhet të binden shtetet anëtare që Kosova nuk përbën rrezik as për zgjedhjet e Parlamentit Evropian dhe nuk është se do të ketë ndonjë ndikim negativ edhe nëse na liberalizohen vizat”, ka shtuar Murati.