Haradinaj: Limaj e Thaçi darkojnë së bashku, sjelljet në publik për vota

Aktuale July 04, 2018 - 18:21
Lexoni më shumë detaje

Kryeministri Haradinaj thotë se mungesa e Fatmir Limajt dhe ministrave të Nismës në raportimin e presidentit Thaçi në Qeveri ishte ‘lojë për vota’ pasi, sipas tij, Limaj e Thaçi kanë raporte të mira

Kryeministri Ramush Haradinaj në një intervistë dhënë për Gazetën Express dhe Televizionin 7 ka komentuar mungesën e zëvendësit të tij, Fatmir Limajt dhe ministrave të Nismës në mbledhjen e Qeverisë ku raportoi presidenti Hashim Thaçi.

Kryeministri Haradinaj thotë se nuk e di nëse mungesa e Limajt dhe ministrave të Nismës ishte bojkot por thotë se arsyetimet e mëpasshme të tyre janë veç një lojë.

Duke iu përgjigjur deklaratës së ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqi, i cili të martën tha se refuzuan të marrin pjesë në mbledhjen e Qeverisë ku prezent ishte presidenti Thaçi sepse ministrat e Nismës ishin lajmëruar shumë vonë për këtë raportim të presidentit.

Të gjitha këto, sipas kryeministrit janë vetëm lojëra të partnerit qeveritar për vota.

Haradinaj thotë se se i ka parë disa herë në darka zv.kryeministrin Limaj dhe presidentin Thaçi, prandaj nuk e kupton pse refuzuan të marrin pjesë në mbledhjen e Qeverisë kur aty erdhi presidenti Thaçi.